Ndërlidhjet

Rezoluta për Kosovën vazhdimësi e politikës së Beogradit


Rezoluta për Kosovën që pritet të miratohet nga Kuvendi i Serbisë, është vazhdimësi e politikës së Beogradit ndaj Kosovës. Kështu vlerësojnë përfaqësuesit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë. Ndërkaq, përfaqësuesit e Këshillit Nacional Serb thonë se presin angazhim konkret dhe pragmatik në terren nga ana e autoriteteve të Beogradit.

Kuvendi i Serbisë pritet të miratojë edhe një rezolutë për Kosovën, në të cilën thuhet se Qeveria e Serbisë do t’i përdorë të gjitha mjetet ligjore, politike dhe diplomatike për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues.

Por, kjo rezolutë nuk mund ta ndryshojë faktin se Kosova tashmë është e pavarur dhe e njohur deri më tash nga 43 shtete. Kështu thotë Xhavit Beqiri, zëdhënësi i Presidencës së Kosovës.

Ai thekson se me rezolutën për Kosovën, Kuvendi dhe Qeveria e Serbisë e vërtetojnë vazhdimësinë e politikës shtetërore të Serbisë ndaj Kosovës, por për qytetarët e Kosovës ky akt është i paqenë.

“Aktet e tilla, si ky i Qeverisë serbe, fatkeqësisht janë tërësisht në frymën e politikës së mëhershme të Beogradit zyrtar, jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj të gjithë rajonit. Prandaj, për qytetarët dhe institucionet e Kosovës, ky akt është i paqenë, sepse koha kur për vendin tonë ka folur tjetërkush, ka përfunduar”.

“Sidoqoftë, Kosova ka shprehur gatishmërinë e saj për politikë të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit, e në këtë mes edhe me Serbinë. Mirëpo, për ta jetësuar një frymë të tillë, natyrisht që duhet angazhim i ndërsjellë, ndërsa Kosova tashmë e ka shtrirë dorën e saj”,
tha zoti Beqiri.

Ndërkaq, Ahmet Isufi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se me rezolutën për Kosovën nga Kuvendi i Serbisë, Qeveria e Beogradit dhe Kuvendi i Serbisë po e ndjekin të njëjtën politikë që e kanë ndjekur edhe më herët dhe nuk ka ndonjë reformim të pushtetit dhe politikës serbe.

“Edhe një rezolutë e tillë, që është e njëjtë sikurse ato tjerat, do të shkojë në humbje, sepse në fakt Kosova ka marrë rrugën e shtetit, është shtet i pavarur tani dhe po ecën rrugës së integrimeve të reja në Evropë”.

“Ndërkaq, Serbia, me veprimet që po i bën edhe tani me Qeverinë e re, tregon se nuk është në rrugën që kërkon Bashkimi Evropian dhe integrimet e reja që po ndodhin në Ballkan dhe në përgjithësi në Evropë”, tha zoti Isufi.

Ai shtoi se mosndryshimi i politikes së Beogradit është pengesë për vetë zhvillimin e shtetit serb dhe për integrimet që i duhen Serbisë. Sipas tij, sikur Serbia të ndiqte një politikë të kundërt me atë të tashmen, do të hapeshin mundësi që të relaksohen raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, serbët e Kosovës presin që Qeveria e Serbisë të angazhohet me aktivitete konkrete në Kosovë. Dragan Veliq, kryetar i Këshillit Nacional Serb, me seli në Graçanicë, pret që pas rezolutës, Beogradi të mundësojë mbrojtje institucionale të serbëve, si dhe mbijetesën dhe kthimin e serbëve të zhvendosur.

“Presim zgjidhje të problemeve jetësore në një mënyrë transparente, më të fuqishme dhe më të saktë, çfarë deri më tash , fatkeqësisht, nuk ka ndodhur ose ka pasur rezultate të pakta”.

“Presim edhe krijimin e korpusit unik politik të serbëve, në kuptimin e realizimit të strategjisë shtetërore. Presim që të realizohet në mënyrë pragmatike edhe në terren e gjithë ajo që kemi pritur dhe kërkuar gjatë këtyre viteve”, tha Veliq.

Ai shtoi se pret nga institucionet shtetërore të Serbisë që me detyra konkrete të angazhohen për forcimin ekonomik të bashkësisë serbe.

Sido që të jetë, miratimi i Rezolutës për Kosovën nga Kuvendi i Serbisë është iniciuar nga Qeveria e re serbe, me të cilën rikonfirmohet Rezoluta e mëhershme për Kosovën, e cila ishte miratuar nga Kuvendi paraprak i Serbisë.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG