Ndërlidhjet

“Kërkohet ndihma e Bushit për njohjen”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

LAJM
Që prej ardhjes në Kosovë, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, ka thënë se së shpejti do ta vizitojë Beogradin, por zyrtarët e kësaj administrate, përveç pohimeve se ekziston gatishmëri e dyanshme për takim, sërish nuk kanë mundur ta japin datën e kësaj vizite. Derisa Zannieri përgatitet ta bëjë vizitën në Beograd, krerët e institucioneve kosovare kanë thënë se nuk do të pranojnë asnjë marrëveshje që mund të arrihet pa dijeninë e tyre në emër të Kosovës. Lidhur me këto deklarime, zëdhënësi i UNMIK-ut, Russell Geekie, tha se Lamberto Zannier e ka bërë të qartë se vetëm dëshiron ta lehtësojë dialogun dhe të punojë në ato çështje me Beogradin. Sipas Geekie, presidenti Sejdiu, në takimin me shefin e UNMIK-ut, ka dhënë pëlqimin pozitiv për gjashtë çështje teknike dhe praktike që do të diskutohen. "Nuk i përket PSSP-së që të bëjë marrëveshje me Beogradin. Kjo është shumë e qartë, dhe ai do të konsultohet me Prishtinën dhe Nju Jorkun, si gjithherë, para se të shkojë në Beograd". Ndërkaq, edhe pse jo të konfirmuara me ndonjë datë të saktë, zyrtarët e UNMIK-ut pohojnë se Zannieri është i disponueshëm që ta vizitojë lidershipin e Beogradit, por edhe pala atje nuk ka asgjë kundër që të takohet me PSSP-në...

EXPRESS
Pas një mori shtyrjesh, Misioni i Bashkimit Evropian në fushën e sundimit të ligjit së shpejti do të hyjë në një fazë tranzicioni me UNMIK-un, për të zbarkuar tërësisht dhe për t'u bërë funksional në fund të nëntorit ose në dhjetor. Shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, thotë se është përgatitur një draft i Memorandumit të Mirëkuptimit që do të nënshkruhet me UNMIK-un. Tash ky draft po shqyrtohet nga ekspertë ligjorë në Nju Jork dhe Bruksel. Nënshkrimi i tij nga De Kermabon dhe Lamberto Zannier nuk do të vonohet. "Sa më shpejt që të nënshkruhet, aq më mirë", ka thënë De Kermabon, në një intervistë për Express, të mërkurën. Nënshkrimet në këtë dokument shënojnë fillimin e periudhës së tranzicionit. De Kermabon pret që tranzicioni të zgjasë 120 ditë, por tërheq vërejtjen se kjo periudhë duhet të kuptohet më shumë si një koncept dhe jo një afat i prerë kohor. Megjithatë, ai thekson se gjatë vjeshtës EULEX do të kompletohet, nëse gjithçka shkon në rregull...

KOSOVA SOT

Vitet e fundit, mijëra studentë kosovarë kanë vijuar studimet në universitetet private. Ata kanë shpenzuar miliona euro për të studiuar në këto universitete, por ata tani ndihen të rrezikuar, sepse rezultatet e procesit të akreditimit i kanë zhgënjyer ata. Studentët e këtyre universiteteve rrezikojnë të mbesin në udhëkryq, pa fajin e tyre, dhe kjo e tëra vjen pasi që procesi i akreditimit, i nisur në muajin qershor, ka rezultuar negativisht për të gjitha institucionet private, në përjashtim të Universitetit Amerikan të Kosovës (AUK). Kjo situatë është krijuar pas rekomandimeve të Këshillit Britanik për Akreditim dhe vendimit të Qeverisë së Kosovës, që asnjë universitet mos të akreditohet dhe mos të pranojë studentë të rinj pa i plotësuar kriteret. Ministri aktual i Arsimit, Enver Hoxhaj, ka bërë të ditur se bartësit e arsimit të lartë privat, të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret për akreditim, nuk do të kenë të drejtë funksionimi më tutje. "Në bazë të Ligjit mbi arsimin e lartë, pas dështimit të akreditimit të dytë, parashihet që këto institucione nuk guxojnë që edhe më tutje të funksionojnë. Bartësit e IAPL-së kanë të drejtë të funksionojnë vetëm edhe një vit akademik dhe nëse as në procesin e dytë të akreditimit nuk i plotësojnë kriteret, atëherë këto universitete do të mbyllen", ka thënë ai...

KOHA DITORE
Delegacioni kosovar, në përbërje të presidentit Fatmir Sejdiu, kryeministrit Hashim Thaçi dhe ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni, ka udhëtuar të mërkurën për në Shtetet e Bashkuara te Amerikës. Ata do të kërkojnë ushtrimin e ndikimit të superfuqisë botërore për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet që nuk e kanë pranuar atë, por edhe do t'i shprehin disa shqetësime, të cilat krerët kosovarë nuk kanë preferuar t'i zbulojnë para nisjes. "Natyrisht që do të kem parasysh po ashtu edhe pjesën e proceseve të nxitjes apo të ndihmës që SHBA-ja do ta ketë në ndikesën për njohjen e pavarësisë edhe nga vendet e tjera të anëve të ndryshme të botës sikurse që e kanë bërë deri tash", ka thënë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Pasi e ka vlerësuar vizitën si "vulosje të suksesit", kryeministri Thaçi ka bërë të ditur se delegacioni kosovar ka edhe shqetësime për te shprehur, por ato nuk ka preferuar t'i zbulojë për opinionin kosovar. "Do të shprehim qëndrimet tona për procesin aktual që po kalojmë, për zotimet që kemi marrë para qytetarëve për paqen dhe stabilitetin në rajon. Në të njëjtën kohë do t'i shprehim edhe shqetësimet që ne mendojmë se i kemi dhe do të kërkojmë mbështetje të mëtutjeshme", ka deklaruar Thaçi...

ZËRI
Serbia përpiqet për vazhdimin e kërkimit të zgjidhjes kompromise për Kosovën, e cila do të kënaqte edhe Beogradin e edhe Prishtinën dhe do të konfirmohej në KS të KB, ka deklaruar dje ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiq, para shkuarjes së tij, sot, në një vizitë njëditëshe në Rusi. "Nuk do të heqim dorë as nga Kosova, as nga lufta diplomatike e politike për ruajtjen e tërësisë së Serbisë dhe i jemi tepër shumë mirënjohës Rusisë për përkrahjen parimore e vëllazërore në këtë çështje", ka thënë Jeremiq në intervistën dhënë agjencisë informative ruse, RIA Novosti. Jeremiq ka theksuar se në procesin e kërkimit të zgjidhjes "Rusia ka qenë aktori më i fuqishëm e më konstruktiv që ka vepruar në këtë drejtim", dhe këtë gjë, tha ai, Serbia e çmon jashtëzakonisht shumë, ndërsa, sipas fjalëve të tij, gabimin më të madh e kanë bërë ata të cilët "që nga fillimi kanë folur se mund të ekzistojë vetëm një zgjidhje e konfliktit - dhënia e pavarësisë për Kosovën”. Ministri ka thënë se flet "në përgjithësi për të gjithë ata që kanë dhënë deklaratat e tilla, përfshirë edhe ndërmjetësin ndërkombëtar Martti Ahtisaari, për shkak të të cilëve shqiptarët kanë qenë të bindur se do të realizojnë qëllimet e veta pa marrë parasysh rrjedhën e negociatave"...

EPOKA E RE
Ligjvënësit e Kuvendit të Serbisë e kanë shtyrë të mërkurën për ditët e ardhshme shqyrtimin dhe miratimin e "Rezolutës për kontinuitetin e politikës shtetërore ndaj Kosovës", të paraqitur nga Qeveria serbe. Qeveria serbe ka propozuar që kjo të jetë pikë e parë e rendit të ditës, mirëpo deputetët e opozitës, por edhe disa nga pozita, kanë kundërshtuar të debatohet për këtë rezolutë, pa konsultime me grupet parlamentare, të cilat nuk e kanë harmonizuar tekstin e saj, siç ndodh në rastet e tilla. Gjithashtu popullistët e Koshtunicës dhe radikalët e Sheshelit e kanë propozuar rezolutën e vet, ashtu siç ka vepruar edhe Partia Liberal Demokratike e Çedomir Jovanoviqit, por secila me arsyet e veta. Duke u gjetur në këtë situatë, Qeveria serbe ka propozuar që rezoluta të radhitet si pikë e fundit e rendit të ditës së mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit dhe që, ndërkohë, grupet parlamentare të përpiqen t'i integrojnë tri propozim-rezolutat në një tekst të përbashkët...

INFOPRESS
Vdekja e liderit të saj, ndarja në dysh, ngufatja e brendshme, humbja e thellë në zgjedhjet e nëntorit 2007, e ka detyruar Lidhjen Demokratike të Kosovës [LDK) t'i hyjë një strukturimi të brendshëm, që, sipas udhëheqësve të saj, ka për synim përshtatjen me realitetin e ri në Kosovë. Në këtë kuadër, kryesia e kësaj partie, ditë më parë, ka themeluar një Organ Ekzekutiv, duke caktuar në krye të tij ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Blerim Kuçin. Sipas udhëheqësve të LDK-së, ky organ do të merret ekskluzivisht me organizim, menaxhim dhe zbatim të politikave. "Është formë e re, por reforma është në fillim. Ne i kemi dokumentet dhe politikat tona të qarta, dihet saktë kush çfarë angazhimi ka në këtë fazë të punës. Shpresojmë që ky proces në të cilin po hyjmë gradualisht, do të dinamizohet shpejt dhe do të finalizohet në kohën kur është paraparë", thotë nënkryetari i kësaj partie dhe shef i Grupit Parlamentar në Kuvendin e Kosovës, Lufti Haziri...

BOTA SOT
Në vazhdën e aktiviteteve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në drejtim të afirmimit të Kosovës në skenën ndërkombëtare, në Prishtinë u mbajt takimi në mes të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe nënkryetarit të Aleancës Nacionale të Italisë për regjionin e Merates, Massimo Adobati. Në takim u bisedua për çështje të ndryshme të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Italisë, si dhe bashkëpunimit ndërpartiak të AAK-së me Aleancën Nacionale të Italisë, me qëllim të avancimit të demokracisë, vlerave evropiane dhe sundimit të ligjit. Qëllimi i vizitës së Z. Adobati në Kosovë ishte kërkesa e Aleancës Nacionale të Italisë për binjakëzim me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Aleanca Nacionale e Italisë, parti e udhëhequr nga ish-ministri i Jashtëm italian, aktualisht kryetar i Parlamentit të Italisë, Gjanfranko Fini, merr pjesë në koalicionin qeverisës të qendrës së djathtë të Italisë së bashku me partinë Forca Italia të kryeministrit Berluskoni...

XS
SM
MD
LG