Ndërlidhjet

Dugolli: Takimet në SHBA - garanci për konsolidim të shtetit


Ilir Dugolli
Ilir Dugolli

“Vëmendja e SHBA-ve ndaj Kosovës nuk po zbehet dhe kjo vërtet çon peshë shumë të madhe. Kjo paraqet garancinë më të rëndësishme për konsolidimin e shtetit të Kosovës”, thotë analisti Ilir Dugolli.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dugolli, çfarë rëndësie kanë për Kosovën takimet e liderëve kosovarë me presidentin Bush dhe me sekretaren amerikane të Shtetit, Condoleezza Rice?

ILIR DUGOLLI
Mendoj se kanë rëndësi të jashtëzakonshme. S’do mend se takimi në nivelin më të lartë nga udhëheqësi i vendit më të fuqishëm në botë, është sinjal tejet inkurajues për zhvillimet në Kosovë, është përkrahje shumë e fuqishme për Kosovën dhe për mua kjo ka rëndësi vërtet të jashtëzakonshme.

Në kohën kur një numër i vendeve edhe evropiane, përfshirë edhe vende që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë druajtje për ta trajtuar Kosovën si shtet, kohë pas kohe ka një ngurrim që shihet tek ta për t’i trajtuar udhëheqësit e Kosovës si pushtetar, qasja e SHBA-ve është ajo që thyen akullin në një mënyrë.

Edhe sikur shumë raste të tjera më parë, edhe tani janë SHBA-të që ua bëjnë me dije në një formë të tjerëve se Kosova tanimë është shtet, se Kosova duhet të trajtohet si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, ndër të tjera duke u mbështetur në parimet e së drejtës ndërkombëtare, pra parimet e barazisë së shteteve etj.

Por, çka është shumë e rëndësishme, edhe pse ka shumë aspekte pozitive, është se vëmendja e SHBA-ve ndaj Kosovës nuk po zbehet dhe kjo vërtet çon peshë shumë të madhe. Kjo paraqet garancinë më të rëndësishme për konsolidimin e shtetit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Po flisni se këto takime i japin rëndësinë shtetit të Kosovës. Në anën tjetër, është publikuar dje raporti i Ban Ki Moonit, i cili vazhdon ta theksojë rëndësinë e 1244-shit në Kosovë. Si e vlerësoni në tërë këtë situatë edhe këtë raport?

ILIR DUGOLLI
Kur flasim për bashkësinë ndërkombëtare, atëherë kjo nganjëherë është term në kundërshtim me vetveten, sepse ka aq shumë struktura brenda bashkësisë ndërkombëtare dhe nganjëherë ka luftë të vërtetë për interpretime të ndryshme, për qasje të ndryshme, ka bindje që bien ndesh me njëra-tjetrën.

Për rastin e Kosovës, kjo më nuk është fshehtësi. Unë e përmenda se sa është e rëndësishme që vendi më i rëndësishëm në botë të vazhdojë të çojë sinjale pa ekuivokë se e sheh Kosovën si shtet, se e përkrah Kosovën dhe i trajton udhëheqësit e Kosovës si udhëheqës të këtij shteti të ri.

Në anën tjetër, OKB-ja vazhdon të paraqesë një vend të thyerjes së shtizave të qëndrimeve të ndryshme dhe kjo pasqyrohet edhe në raportet e Sekretarit të Përgjithshëm, ku vazhdohet me neutralitetin ndaj statusit, ashtu siç e thotë edhe Sekretari i Përgjithshëm - qëndrimet janë me shumë ekuivokë dhe me shumë mundësi të ndryshme të interpretimeve.

Ka disa elemente që janë inkurajuese, por ka edhe elemente shqetësuese. Si shqetësuese është se, për aq sa vërejta, ky neutralitet ndaj statusit, në raportin e tij të fundit, ka marrë njëfarë forme gati-gati të barazimit të pushtetit të institucioneve legjitime kosovare me pushtetin e paligjshëm dhe pushtetin e institucioneve të Serbisë në Kosovë.

Ka edhe elemente të tjera që janë jo aq shpresëdhënëse, si vënia në një mënyrë e misionit të EULEX-it nën kornizën, nën ombrellën e OKB-së, si herëve të tjera.

Mirëpo, mu për të gjitha këto vështirësi, mu për shkak të ngurrimit të OKB-së që të luajë një rol më aktiv, unë besoj se është e rëndësishme që shtetet e fuqishme, mbi të gjitha SHBA-të e me shpresë edhe BE-ja, do të jenë më të vendosura se deri më tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Folët për BE-në, por është parë ditëve të fundit se edhe brenda BE-së ka mosunitet, madje është përsëritur edhe qëndrimi i ministrit të Jashtëm suedez, që EULEX-i të mos shtrihet në veriun e Kosovës, por atje të mbetet UNMIK-u. Atëherë, nëse nuk ka një unitet brenda BE-së, çfarë do të ndodhë me funksionimin e shtetit të Kosovës?

ILIR DUGOLLI
E gjithë kjo gjendje me EULEX-in mund të cilësohet në mënyra të ndryshme, por nëse e cilësojmë pa eufemizma, nëse e themi troç, është gjendje goxha kaotike. Nuk do mend, pa pikë dyshimi.

Në fund të fundit, ky është një mision, i cili ka pasur më shumë se një vit kohë për t’u përgatitur, ka pasur pararojën e vet që ka ardhur në terren, ka përgatitur terrenin dhe është e paimagjinueshme që ata të mos jenë të përgatitur për pengesa krejt të parashikueshme. Kështu që nëse nuk janë përgatitur për këtë, unë vërtet nuk e di se për çfarë kanë mundur të përgatiten.

Është çështje tjetër dhe akoma më problematike kjo që ju përmendet – dallimet në qëndrime, të cilat po vërehen, po manifestohen - lëshimi pe ndaj shantazheve të Beogradit e të strukturave paralele, tërheqja nga misioni fillestar, pra ideja për t’u shtrirë në mbarë territorin e Kosovës. Krejt këto janë vështirësi të shumta për institucionet e Kosovës, për të gjithë Kosovën.

Nëse do të dëshironim t’i shohim gjërat jo vetëm nga ana e rreziqeve, por edhe nga ana e mundësive, unë besoj se këto ofrojnë në të njëjtën kohë një mundësi të mirë që institucionet e Kosovës të tregojnë se janë zot shtëpie, që janë autoriteti sipëror në Kosovë, në vend se të presin për dritë të gjelbër nga UNMIK-u, EULEX-i apo struktura të tjera – t’i zbatojnë gradualisht, por me siguri të plotë përgjegjësitë që u takojnë sipas Kushtetutës.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, sa mund të dëshmojnë se janë zot shtëpie kur në Kosovë përveç Kushtetutës, në fuqi mbetet ende 1244-shi?

ILIR DUGOLLI
Nuk është lehtë, por nuk është e pamundur. Po vërehet qysh tani edhe nga vetë raportet e Sekretarit të Përgjithshëm, sepse ai po i raportin Këshillit të Sigurimit për atë se si po sfidohet në terren, tani Kushtetuta është nxjerrë, ligjet po shpallen nga presidenti e kështu me radhë.

Të gjitha këto përgjegjësi që janë ushtruar nga UNMIK-u deri më tani dhe nuk ka çka të bëjë. Kështu që përballja e UNMIK-ut me një gjendje faktike, ku institucionet ushtrojnë përgjegjësitë që u takojnë, nuk i lë atij mundësi të mëdha manovruese.

Do të ketë përpjekje për të gjetur mundësi manovruese sa më të gjerë që është e mundur, ta zëmë, për të luajtur njëfarë roli ndërmjetësues në bisedimet me Beogradin, ose për të zbuluar ndonjë mision të ri për veten.

Mirëpo, përderisa institucionet vërtet kanë një ide të qartë se çfarë duhet të bëjnë dhe si t’i ushtrojnë përgjegjësitë që u takojnë nga Kushtetuta, unë nuk shoh ndonjë vështirësi të paimagjinueshme dhe krejt të paparashikueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke mbetur te raporti i Ban Ki Moonit, është përmendur prapë nevoja e dialogut mes Prishtinës e Beogradit, që do të mbikëqyret nga Lamberto Zannier. Sa i shihni ju si funksionale këto bisedime kur Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës?

ILIR DUGOLLI
Është e vështirë ideja për të hyrë në bisedime. Unë e kuptoj që institucionet e Kosovës nuk mund ta eliminojnë tërësisht idenë e dialogut si dialog. Do të thotë, dialogu, në fund të fundit, paraqet njëfarë vlere në mendjen perëndimore dhe është vështirë ta eliminosh vetë dialogun si dialog.

Kështu që një ide e hapur për mundësi bisedimi duhet të tregohet dhe demonstrohet nga institucionet kosovare, por me kushte të caktuara, me kushte të bisedimeve sipas parimeve fqinjësore mes shteteve, që është e para dhe më e rëndësishmja, dhe e dyta, që për mua është po aq e rëndësishme, duke bërë me dije se dialogu tani për tani nuk është në krye të listës së prioriteteve të Kosovës.

Besoj se në krye të listës është konsolidimi i pushtetit në territorin e Kosovës, ndërsa çështjet, të cilat Sekretari i Përgjithshëm me sugjerimin e Beogradit i ka hapur si tema diskutimi, shumica prej tyre nuk do të duhej fare të jenë tema bisedimi me Beogradin.

Kurse ato që mund të jenë eventualisht, nuk do të duhej të negocioheshin dhe të bisedohet për to tani për tani, mu për shkak të gjasave të qindpërqindta që nga Serbia dhe nga Rusia, apo edhe ndonjë shtet tjetër, ato të shihen si rifillim i bisedimeve për statusin.
XS
SM
MD
LG