Ndërlidhjet

Karaxhiq - një rast i guximshëm për Qeverinë serbe


Radovan Karaxhiq nën identitet të rrejshëm.
Radovan Karaxhiq nën identitet të rrejshëm.

Ekstradimi i të akuzuarit të Hagës, Radovan Karaxhiq, në Beograd është vlerësuar si një hap pozitiv nga shoqëria civile dhe analistët. Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se Serbia duhet të tregojë se është një shoqëri që nuk ka frikë.


Politika e Serbisë ka treguar guxim. Analistët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut e kanë vlerësuar pozitivisht ekstradimin për në Tribunalin e Hagës të të akuzuarit të Hagës, Radovan Karaxhiq.

Ai është shoqëruar nga pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Shërbimi Sekret serb deri në Aeroportin ‘Nikolla Teslla’. E tëra ka përfunduar rreth orës 07:00 të mëngjesit dhe Karaxhiq ka arritur në burgun e Tribunalit për krime lufte.

Natasha Kandiq, drejtuese e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, ka thënë se shteti kësaj radhe ka treguar një vendosmëri më të madhe dhe është dashur të tregohet që nuk ekziston frika.

“Në mes të folësve në miting kanë qenë mbrojtësit më të mëdhenj të kriminelëve të luftës dhe është dashur t’u tregohet se këtu nuk ka frikë. Kurse, sa i përket ankesës, që në fillim ka qenë pikëpyetje nëse ajo do të dorëzohej. Ata kanë shpresuar në shpërthimin e dhunës. Policia ka reaguar mirë kësaj radhe, por kjo tregon se më parë nuk ka reaguar pasi është udhëhequr nga ide politike”,
ka thënë Kandiq.

Ndërkaq, drejtuesja e komitetit të Helsinikit, Sonja Biserko, ka theksuar se arritja e Karaxhiqit në Hagë është një lajm shumë i mirë për Serbinë dhe ekonominë e saj.

“Ka qenë një parakusht i rëndësishëm. Është pritur për këtë që të arrihet një marrëveshje për tregtinë; në fillim të gushtit pritet të fillohet. Kurse, në shtator mund të pritet një ndryshim. Neve të gjithëve si shoqëri na pret një punë e përgjegjshme dhe serioze”, mendon Biserko.

Ekstradimi i Karaxhiqit ka ardhur menjëherë pas protestave të Partisë Radikale, të cilat përfunduan me përleshjen e policisë dhe protestuesve Policia është detyruar të shpërndajë huliganët me lotsjellës, ndërkaq bilanci i të plagosurve ka shkuar në rreth 50, prej të cilëve gjysma policë dhe civilë, përfshire këtu edhe dy gazetarë.

Analistët serbë e kanë vlerësuar këtë hap si pozitiv dhe ndikimin e protestave të mbrëmshme të Partisë Radikale të Serbisë si një nga gjërat kyçe për ekstradim. Gjykata për Krime Lufte në Beograd kishte pritur ankesën e mundshme nga mbrojta, por ajo nuk kishte arritur dhe saktësisht dy ditë pas këtij afati, prokuroria ka vendosur për të proceduar rastin në bazë të rrethanave ligjore.

Avokati Svetozar Vojaçiq ka thënë se Karaxhiqi në paraqitjen e parë para gjykatës nuk do të deklarohet fare rreth fajësisë së tij, pasi do të kërkojë kthimin e gjërave personale.

Gjykimi i Radovan Karaxhiqit pritet të fillojë në fund të këtij vitit, ndërkaq të mbarojë diku nga viti 2010. Por, mbrojta shpreson se ky proces nuk do të përfundojë në Hagë, por në ndonjë gjykatë tjetër.

XS
SM
MD
LG