Ndërlidhjet

Mujota: I gatshëm për post të ministrit të Mbrojtjes


Fehmi Mujota
Fehmi Mujota

“Nëse ka nevojë vendi, praktika ka dëshmuar se nuk kam refuzuar ndonjë obligim që është menduar se mund ta kryej me sukses”, thotë Fehmi Mujota, nga Partia Demokratike e Kosovës.




RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Mujota, është paralajmëruar që gjatë kësaj jave të emërohet ministri i Mbrojtjes. Një nga emrat për të cilët flitet se mund të jetë ministër, është edhe emri juaj. A do të jeni ju ministër?

FEHMI MUJOTA
Këto gjëra nuk i shoh në vetën e parë dhe mendoj se është një kohë e arsyeshme që në përputhje me obligimet kushtetuese dhe nevojat e ngritjes së kapaciteteve qeverisëse në Kosovë, vendimi i kryeministrit të vijë në këtë periudhë kohore.

Prandaj, mbetet çështje e një koordinimi më të mirë, e një analize më të thellë të vendimit që do të vijë, meqë deri më tani janë përmendur shumë emra të nderuar dhe meritorë për të udhëhequr këtë ministri me peshë në Kosovë.

Meqë është përmendur në disa raste emri im, për mua është një respekt që është përmendur si emër, ndërsa po aq do të jetë respekt edhe sikur të mos kandidohesha për këtë post, sikur që do të ishte një përgjegjësi e madhe dhe një sfidë e re për mua nëse do të jem kandidati për Ministri të Forcës së Sigurisë.

Kjo është çështje jo e një grupi më të madh të njerëzve që bisedohet në këtë formë, por është një e drejtë dhe obligim që vjen për kryeministrin, por deri më tani nuk ka pasur një takim zyrtar për të konfirmuar, për të pohuar ose mohuar një lajm që tanimë është hapur në mediat e Kosovë. Andaj, jemi në pritje.

Unë mendoj se kryeministri do ta marrë vendimin më të duhur, më të drejtë dhe në harmoni me interesat e vendit në ndërtimin e kapaciteteve tona për partneritet, në NATO dhe ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për periudhën që na pret.

Deri më tani nuk kam bërë ndonjë, do të thosha garë, për të qenë diku. Nëse është e nevojshme për një institucion ose nëse është e nevojshme për vendin dhe për qytetarët e vendit, atëherë praktika ka dëshmuar se deri tani nuk kam refuzuar ndonjë obligim që është menduar se mund ta kryej me sukses.

RADIO EVROPA E LIRË
Flasim për zhvillimet e tjera në vend. Institucionet e Kosovës ende nuk po arrijnë që të shtrijnë autoritetin e tyre në gjithë vendin. Sipas jush, ku qëndron problemi?

FEHMI MUJOTA
Ajo që është më rëndësishmja tani për tani është se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare që ka pasur, në Kosovë ka pasur qetësi dhe ka një pranim gjithnjë e më të hapur nga të gjithë qytetarët e Kosovës, në këtë rast nënkuptoj edhe komunitetin serb.

Ndonëse, të jemi shumë korrektë, askush nga ne si përfaqësues të institucioneve, por as qytetarët e Kosovës, nuk kanë pasur pritje tjetër pos asaj që kemi deri në këto momente.

Pritjet që ekzistojnë për të ardhmen janë ato që të ketë funksionalizim të institucioneve të Kosovës në të gjithë territorin e Kosovës, t’i përmbushim obligimet kushtetuese pas fuqizimit të Kushtetutës dhe të respektojmë propozimin gjithëpërfshirës të Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit edhe Kosova është njohur ndërkombëtarisht.

Kjo nënkupton se Kosova është territor i pandarë, është një territor unik, një territor i pavarur, sovran, në të cilin do t’i gëzojnë të gjitha të drejtat qytetarët që jetojnë në të dhe natyrisht përgjegjësia më e madhe është për popullsinë shqiptare që t’i mbrojë ato vlerat për të cilat jemi përcaktuar dhe kemi marrë obligim ndërkombëtar.

Disa gjëra lëvizin më ngadalë sesa që do të duhej të lëviznin, për disa aspekte të veçanta.

Prandaj, edhe nga vetë frustrimi politik, por edhe motivimet që vijnë nga mekanizmat tjerë nga jashtë Kosovës, në këtë rast nga mekanizmat qeverisës në Beograd, për një pjesë të popullsisë, në këtë rast për qytetarët serbë në veri të Mitrovicës, është e natyrshme që duhet të kemi mjaft kujdes dhe të kemi politika të harmonizuara me të gjitha forcat e sigurisë, meqë dihet që përgjegjësia për sigurinë akoma është në duar të NATO-s dhe të përfaqësuesit civil ndërkombëtar.

Andaj, edhe problemet tjera shtesë që kanë karakter të mekanizmave ndërkombëtarë, siç është rasti me EULEX-in dhe UNMIK-un dhe rikonfigurimin që duhet të ndodhë në Kosovë, kanë ndikuar që të ketë paqartësi deri në këtë moment.

Por, jemi të bindur se shumë shpejt do të qartësohet çdo pozicion dhe do të dihet se kush është në secilin vend dhe kush çfarë përgjegjësie ka.

RADIO EVROPA E LIRË
Mitrovica vazhdon të jetë një nga sfidat më të mëdha për institucionet e Kosovës. Ka zëra që thonë se ajo pjesë e Kosovës mund të mbetet si çështje e ngrirë. Ju, si mendoni?

FEHMI MUJOTA
Qëndrimi i institucioneve të Kosovës duhet të jetë dhe është që asnjë pjesë në Kosovë të mos ketë këtë tretman si pjesë e ngrirë e ndonjë konflikti të imagjinuar ose gjysmë-real.

Dhe, për këtë, institucionet e Kosovës po tregojnë gatishmërinë duke marrë hapa konkretë dhe në të ardhmen sigurisht se do të ketë edhe më tej shtrirje ekonomike dhe trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët.

Sa më shumë që do të dekurajohen forcat ekstremiste që kanë kokën diku tjetër, jashtë Kosovës, e që aktualisht mund të jenë brenda në Kosovë, në këtë pjesë për të cilën flisni, gjërat do të lëvizin më mirë.

Mendoj se kanë ndodhur disa veprime jashtëzakonisht të rëndësishme këtyre ditëve në Kosovë, rreth Kosovës dhe në rajon, sikurse edhe porosia e qartë e presidentit të SHBA-ve, George Bush, për Kosovën unike dhe për vazhdimin e njohjes së Kosovës nga shtetet tjera që ende nuk e kanë bërë këtë punë.

Mendoj se gjërat po i drejtojnë në anën e duhur të proceseve demokratike dhe në një prosperitet shumë më të mirë, sesa që kemi pasur mundësi ta shohim gjatë këtyre gjashtë muajve.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni udhëhequr komisionin ‘ad-hoc’ për shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve që dalin nga pakoja e Ahtisaarit. A ka filluar zbatimi i tyre dhe cilat janë ato ligje që kërkojnë më shumë kohë për t’u zbatuar në tërësi?

FEHMI MUJOTA
Kuvendi i Republikës së Kosovës me një vendim të veçantë ka bërë një shmangie nga rregulli për miratimin e ligjeve në Kuvendin e Republikës, me qëllimin më të mirë që të mund të përmbledhë një numër më të madh të ligjeve që dalin si obligim nga pakoja e Ahtisaarit për statusin e Kosovës.

Një numër i këtyre ligjeve tashmë ka filluar të zbatohet në praktikë, edhe pse jo në shkallën e plotë, sepse dihet që vetëm pak javë kemi nga dita e nënshkrimit të këtyre ligjeve dhe numri i tyre deri më tash është 41.

Pritet që të kemi edhe një numër tjetër të ligjeve që rregullojnë ca çështje të bartjes së kompetencave në institucionet e Kosovës dhe tani jemi në rrugë të mirë për fillimin e zbatimit praktik të tyre.

Por, ka disa nga ato ligje që tashmë edhe zbatohen, siç është Ligji për përdorimin e gjuhëve ose ndonjë ligj tjetër, por në këtë aspekt duhet të presim edhe sfida të kohës.

Nuk jemi ata që mendojmë se çdo gjë do të shkojë aq lehtë, por jemi shumë të bindur se nuk ka vend për të menduar se do të shkojnë më vështirë, sesa që realisht në këtë fazë, Kosovën, në këtë tranzicion, mund ta përcjellë zbatimi i këtyre ligjeve.

Mendoj se ne, si institucione të Kosovës, duhet të dëshmojmë se jemi të gatshëm t’i përmbushim obligimet. Duhet të fillojmë menjëherë me zbatimin praktik të këtyre ligjeve dhe të vendimeve që kanë ndikuar që Kosova të ketë njohje ndërkombëtare në fazën tani ku jemi.

Dhe, natyrisht, t’i përmbushim obligimet tona për qytetarët brenda Kosovës, duke bërë një platformë të saktë me orar të përcaktuar saktë, për krijimin e komunave të reja, t’i krijojmë të gjitha kushtet që na obligon Ligji për vetëqeverisjen lokale, natyrisht edhe Kushtetuta, dhe të shohim se gradualisht të gjithë do të vijnë pas krijimit të kushteve normale, mendoj në pjesën e atyre qytetarëve që ende hezitojnë të futen në procesin politik në Kosovë.

Ligji për vetëqeverisjen lokale do t’i ketë disa vështirësi në zbatimin praktik, por ne në hapin e parë duhet të mos kemi shmangie nga obligimet që kemi marrë.

Duhet të jemi koshientë që çdo përpjekje për të ndikuar edhe më pozitivisht se që është ofruar nga ligjet në fuqi, për momentin do të duket se kemi një përpjekje për të ndikuar në vendimet e popullatës që në këtë rast bën komuniteti jo-shumicë në jetën e tyre.

Prandaj, duhet të jemi shumë të kujdesshëm, ne duhet t’i mbarojmë obligimet tona, ndërsa në rrugë e sipër do të shohim se cilat janë nevojat për ndryshime, cilat janë nevojat për konsultime me vetë komunitetin pakicë, në mënyrë që të ketë jetë më funksionale të tyre.

Sa më i hapur që do të jetë komuniteti serb në raport me institucionet e Kosovës dhe me obligimet kushtetuese që kanë si qytetarë të Kosovës, gjërat do të lëvizin në drejtimin e duhur dhe ata do të mund të shfrytëzojnë edhe të drejtat, por edhe të marrin obligimet që u takojnë.
XS
SM
MD
LG