Ndërlidhjet

Makolli: Propozimi i Zannierit synon ndarjen etnike


Ibrahim Makolli
Ibrahim Makolli

“Formula e Lamberto Zannierit për bisedime me Beogradin është e papranueshme dhe e dëmshme, sepse çon në ndarje në vija etnike të institucioneve”, thotë Ibrahim Makolli, nga Aleanca Kosova e Re.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Makolli, janë mbajtur dy takime mes shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, dhe zyrtarëve të Qeverisë së Beogradit, për të biseduar për fushat që janë përcaktuar tashmë nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon. Si i shihni ju këto bisedime dhe në fakt si e shihni përfshirjen e institucioneve të Kosovës në këto bisedime?

IBRAHIM MAKOLLI
Një çështje duhet të jetë e qartë për të gjithë, edhe për zotin Zannier, por edhe për këdo tjetër: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe shteti i Kosovës është pranuar nga mbi 40 shtete, të cilat kanë njohur po ashtu edhe futjen në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Çdo përpjekje për negociata ose për rinegociata për statusin politik të Kosovës është absolutisht e papranueshme, sepse negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë bashkë me bashkësinë ndërkombëtare kanë përfunduar dhe si rezultat të këtyre negociatave kemi planin e presidentit Ahtisaari, në mbështetje të të cilit është shpallur shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës.

Ne kemi deklaruar shumë herë se nuk jemi kundër negociatave me askënd, në veçanti me fqinjët tanë, ngase ka një numër mjaft të madh të problemeve që kërkojnë zgjidhje jashtë përmasave të shtetit, por ekzistojnë disa faktorë që do të mund të mundësonin një dialog të tillë për çështje të ndryshme.

Parakushti i parë është që Serbia ta pranojë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës me të gjithë territorin e saj; së dyti, t’i ndërpresë të gjitha aktivitetet e saj brenda Kosovës, dhe së treti, ai dialog të zhvillohet nga pozita të barabarta në mes të dy shteteve.

Kemi një mori të çështjeve që janë në interes të qytetarëve të Kosovës dhe po ashtu Kosova nuk ka pse të frikësohet nga dialogu. Kemi çështjen e të pagjeturve, si dhe shumë çështje të tjera, të cilat do të duhej të zgjidheshin nga pozita ta barabarta të të dyja shteteve.

Formula se si e ka paraparë zoti Zannier, madje edhe parapropozimet që ai i ka dhënë se do të mund të negocionte dhe do të mund të gjente një formulë zgjidhjeje për disa çështje në Kosovë, për ne janë absolutisht të papranueshme dhe si të tilla janë të dëmshme.

Këtu duhet të kihet parasysh Kushtetuta e Republikës, por edhe ligjet e tjera që parashohin funksionimin e institucioneve. Propozimet që i ka paralajmëruar zoti Zannier çojnë drejt ndarjes në vija etnike të institucioneve, prandaj si të tilla janë absolutisht të papranueshme për ne.

RADIO EVROPA E LIRË
Përveç kundërshtimeve deklarative, çfarë do të duhej të bëhej konkretisht në terren nga institucionet e Kosovës, për të penguar këtë ndarje që po e quani ndarje në vija etnike të institucioneve?

IBRAHIM MAKOLLI
Pjesërisht këtu do ta fajësoja edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe institucionet e tjera, të cilat deri më tash nuk kanë një strategji të qartë se si do të duhej të zgjidheshin një mori problemesh me të cilat po përballet Kosova.

Gjithnjë kemi ditur se do të jetë sfidë shtrirja e pushtetit në të gjithë territorin e vendit dhe megjithëkëtë nuk është ndërmarrë ndonjë veprim.

Ajo që do të duhej, që kujtoj se jo vetëm i parandalon, por e bën të pamundur edhe çdo mendim të ndërtimit të institucioneve paralele të një komuniteti në Kosovë, është që institucionet e Kosovës ta shtrijnë pushtetin në gjithë territorin e vendit, ashtu siç e paracakton Kushtetua e Kosovës. Dhe, këto veprime duhet t’i ndërmarrim në afatin sa më të shpejtë kohor.

Jam i prirë të them së deri tash Qeveria nuk ka treguar seriozitet, qasje serioze ndaj këtyre problemeve, prandaj në mungesë të kësaj, ne krijojmë hapësirë që përfaqësues të ndryshëm, institucione të ndryshme, mekanizma të ndryshëm të propozojnë zgjidhje të atilla, të cilat janë tërësisht të dëmshme për funksionimin e shtetit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Folët më herët se tashmë Kosovën e kanë njohur mbi 40 shtete, ndërkohë që muajin e ardhshëm pritet të mblidhet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ku Serbia ka paralajmëruar se do ta paraqesë një rezolutë kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sa mund të rrezikohet realisht pavarësia e Kosovës?

IBRAHIM MAKOLLI
Synimet tona janë që të na njohin të gjitha shtetet e botës, sepse jemi të vetëdijshëm që për të qenë pjesë e disa mekanizmave ndërkombëtarë, nevojitet një njohje, qoftë për Kombet e Bashkuara, qoftë për mekanizmat tjerë.

Por, shteti i Kosovës tashmë është fakt i kryer dhe nuk ka kthim prapa. Prandaj, nuk konsideroj se cilido qoftë veprim i Serbisë ose i të tjerëve, mund ta kthejë prapa gjendjen e krijuar në Kosovë.

Vërtet nuk është numër shumë i madh i vendeve që kanë pranuar Kosovën, por e kanë pranuar fuqitë kryesore me ndikim në botë. Natyrisht se sfida do të ketë, sepse do të ketë edhe më tutje shtete, vende që nuk do të pajtohen me këtë, por ajo ne nuk duhet të na ndalojë në rrugëtimin tonë drejt përpjekjeve për të krijuar aleatë dhe miq që do të ndikonin në njohje të reja të shtetit të Kosovës.

Kështu që çdo përpjekje të Serbisë ndoshta e marr më tepër për nevojat e politikës ditore brenda territorit të vet, sesa që do të mund të kenë një efekt juridik ose politik në botë.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke mbetur tek njohja, në çfarë drejtimi duhet të ecet, qoftë institucionet e Kosovës, qoftë ndonjë mekanizëm tjetër kosovar, për të shtuar numrin e njohjeve?

IBRAHIM MAKOLLI
Nuk kujtoj që topi gjithherë duhet të hidhet brenda nesh ose jashtë nesh. Çështja e njohjes së një shteti nga një shtet tjetër në radhë të parë është çështje e interesit të atij shteti. Por, nuk do të thosha këtu se nuk do të kishte ndikim edhe veprimi jonë i drejtpërdrejtë.

Vërtet politika kosovare ka çaluar në momentin kur është vetëkënaqur me njohjet në fazën e parë të shtetit, të cilat nuk kanë qenë aq të pritshme nga ne.

Dhe, pastaj, sikur kemi një ngërç në këtë çështje dhe nuk kemi pasur ndonjë veprim të institucioneve në drejtim të lobimit ndoshta jo edhe klasik, por së paku të njohjes së atyre vendeve me Kosovën, me synimet e saj, që do të ndikonte në një masë mjaft të madhe edhe në ndërtimin e mendimit të atyre vendeve për ta njohur shtetin e Kosovës.

Këtu është e meta e institucioneve, tregon vetë moskompletimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, shërbimi diplomatik flet më së miri për këtë vetëkënaqje të institucioneve të Kosovës dhe këtë neglizhim që kanë pasur e që gjithsesi do të prodhojë efekte negative.

Për më tepër, Kosova ka kapacitet; shqiptarët gjithandej botës kanë pasur dhe kanë kapacitet, që po të përmblidhej, po të organizohej, po të ndërtohej një strategji, kanë mundur të kenë ndikimin e vet sado qoftë të pjesshëm në ndërtimin e qëndrimeve të këtyre vendeve për Kosovën. Edhe tash nuk është vonë që të mendohet diçka në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka zëra që thonë se tri partitë opozitare, AAK, LDD dhe AKR, mund të bëjnë një pakt të përbashkët, i cili do të niste funksionimin që nga kjo vjeshtë. Sa ka të vërteta në këto pohime?

IBRAHIM MAKOLLI
Besoj që gjithkund në vendet demokratike, e ashtu edhe tek ne, do të vijë një kohë kur subjektet që janë në opozitë, do të gjejnë interesim që të ndërtojnë pikat e përbashkëta.

Në këtë drejtim, kujtoj edhe tri subjektet politike që janë në opozitë sot në Parlamentin e Kosovës, kanë nevojë që t’i harmonizojnë qëndrimet e veta, politikat e veta, që të ndërtojnë strategji karshi koalicionit qeveritar, në mënyrë që të jenë më të suksesshme në funksionimin e vet.

Nuk besoj, sepse nuk është tashmë edhe koha që të kemi opozita klasike siç kanë ekzistuar në të kaluarën, por gjithsesi e konsideroj shumë të nevojshme, madje të domosdoshme, që subjektet politike në opozitë të organizohen brenda vetvetes, në mënyrë që të jenë më të efektshme karshi këtyre politikave që ndërmerren nga ana e Qeverisë.

Natyrisht, këtu kam parasysh se do të ketë edhe momente kur tri subjektet që janë në opozitë, nuk do të gjejnë pika të përbashkëta, sepse jemi subjekte të ndryshme, kemi politika të ndryshme, kemi vizione të ndryshme, filozofi të ndryshme politike.

Por, jam shumë i vetëdijshëm se duke qenë në opozitë, përqindjen më të madhe ose pjesën më të madhe të politikave duhet ta kemi të përbashkët.

Besoj se në të ardhmen, pasi që kanë përfunduar disa procese të përbashkëta që kanë qenë jo vetëm për politikën, por për të gjithë popullin e Kosovës, pasi që kanë përfunduar këto, do të ketë krejt një organizim të ri të jetës parlamentare, që nënkupton gjithsesi edhe bashkimin e opozitës në një pikë për çështje të caktuara.
XS
SM
MD
LG