Ndërlidhjet

Krijimi i policisë serbe - i papranueshëm


Shërbimi Policor i Kosovës
Shërbimi Policor i Kosovës

Ideja për krijimin e policisë serbe brenda policisë së Kosovës s'do funksionojë në asnjë mënyrë dhe një vendim i tillë do të ishte hap i gabuar, thonë autoritetet e rendit dhe ekspertët e sigurisë.

Një ide e tillë ka ardhur nga shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, pas takimit të tij të fundit me ministrin për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq.

Naim Maloku, ekspert për çështje sigurie dhe anëtar i Komisionit për punë të brendshme dhe siguri në Kuvendin e Kosovës, konsideron së një ofertë e tillë, si ajo e kreut të administratës së UNMIK-ut, është e pakuptimtë.

“Unë mendoj se do të ishte hap shumë i gabuar që të krijohet një polici e veçantë serbe. As dy polici, e as dy ushtri nuk mund të funksionojnë; është gabim shumë i madh nëse shkohet nga formimi i policisë së veçantë serbe”,
thotë Maloku.

Ngjashëm mendon edhe eksperti tjetër, Nuredin Ibishi. Ai pohon se policia e Kosovës është një polici multietnike dhe, sipas tij, nuk lejohet ndonjë polici tjetër në kuadër të saj.

“Ajo ka mundur të jetë derisa ka qenë policia e UNMIK-ut; ka qenë një formë varësie, pasi që edhe SHPK-ja ka qenë në varësi. Mirëpo, tash kur e ka autoritetin e plotë, është absolutisht e papranueshme që të ketë një formë të ndarjes njënacionale në kuadër të policisë së Kosovës", tha Ibishi
.
Sipas zotit Ibishi, ndarja e policisë në baza etnike, asnjëherë nuk ka dhënë rezultate.

Edhe Reshat Maliqi, asistent i komisarit të Policisë së Kosovës, thotë se në të gjitha takimet e zhvilluara me policinë e UNMIK-ut, është bërë e qartë se në kuadër të policisë së Kosovës nuk ka mundësi për një polici tjetër, siç pretendohet nga kreu i UNMIK-ut Lamberto Zannier.

“Ne nuk pajtohemi me asnjë agjenci tjetër policore në Kosovë që të krijohet, përveç policisë së Kosovës. Duhet të ekzistojë një polici dhe ta ketë një komandë unike në tërë territorin e Kosovës dhe ta ketë një hierarki komanduese, e jo të ketë disa komanda", thotë Maliqi.

Ndryshe, në deklaratën e tij të fundit, shefi i UNMIK-ut në Kosovë , Lamberto Zannier, ka paralajmëruar një ofertë, e cila, sipas tij, do të krijonte policinë etnike serbe brenda policisë së Kosovës, por me autonomi speciale.
XS
SM
MD
LG