Ndërlidhjet

Këshilli i Sigurimit për trazirat e marsit në Mitrovicë


Ekspertë hetuesie të Kombeve të Bashkuara në Mitrovicë
Ekspertë hetuesie të Kombeve të Bashkuara në Mitrovicë

Raporti hetimor mbi dhunën e 17 marsit në Mitrovicë, ku u vra një polic i OKB-së, do t'i paraqitet KS-së. Raporti ka të bëjë me ndërhyrjen e forcave të rendit në Gjykatën e Qarkut në veri, e cila u okupua nga protestuesit serbë.


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të njoftohet sot edhe formalisht me rezultatet e hetimeve që janë zhvilluar mbi dhunën e marsit në Mitrovicë, pas shpalljes së pavarësisë.

Gjatë përplasjeve midis protestuesve serbë dhe paqeruajtësve ndërkombëtarë më 17 mars të këtij viti, ka humbur jetën një pjesëtar i policisë së Kombeve të Bashkuara dhe dhjetëra të tjerë patën marrë lëndime.

Situata ishte përshkallëzuar pas hyrjes së dhunshme të protestuesve serbë në ndërtesën e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, e cila gjendej në veri të qytetit. Autoritetet ndërkombëtare patën urdhëruar rimarrjen e kontrollit mbi gjykatën më 17 mars.

Në kohën e intervenimit të forcave të rendit, autoritetet më të larta ndërkombëtare patën thënë se e gjithë dhuna është orkestruar nga pjesëtarë të Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme që veprojnë në Kosovë dhe se me sulmet kundër forcave ndërkombëtare kaluar vija e kuqe.

Sidoqoftë, raporti hetimor që është zhvilluar nga një ekip i Kombeve të Bashkuara, duket se ka përçarë këtë institucion të lartë botëror.

Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve kanë njoftuar se disa anëtarë të tij, siç është Rusia, kanë thënë se është shfrytëzuar forcë e panevojshme, derisa të tjerët, zyrtarë perëndimorë, kanë argumentuar se me të shtëna armësh dhe hedhje granatash nga duart e protestuesve serbë, intervenimi ka qenë i pashmangshëm.

Ndryshe, që prej trazirave të marsit, gjykata në Mitrovicë ende nuk funksionon, ndërkaq kalimet kufitare në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë të “hapura” dhe pa shërbime doganore.
XS
SM
MD
LG