Ndërlidhjet

SBASHK-u kërkon diferencim të pagave


Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë edhe këtë vit kërkon rritje të pagave për mësimdhënësit, por, për dallim nga vitet tjera, kësaj radhe kërkon që rritja e pagave të ndodhë sipas përgatitjes profesionale dhe përvojës së punës. Kështu thotë krytetari i kësaj sindikate, Ali Shabani, duke shtuar se nëse kërkesat e tyre nuk realizohen nga Qeveria, atëherë mësimi nuk do të fillojë më 1 shtator.

“Kërkojmë diferencim të pagave, sipas përgatitjes profesionale, përvojës se punës dhe performancës që do të fillojë në fazën e dytë të licencimit të mësidhënësve. Dhe, ai ndryshim pagash nuk do të jetë linaer. Por, do të jetë i ndryshueshëm varësisht nga përgatitja profesinale e arsimtarëve dhe përqindjen mund ta nxjerrim në total pasi t’i realizojmë ato një për një, prej punëtorit të pakualifikuar deri tek doktori i shkencave“, tha Shabani.

Edhe pse Shabani nuk jep ndonjë përqindje se sa duhet të rriten pagat, ai thotë se sindikalistët kërkojnë që paga e një mësidhënësi në arsimin e mesëm të arrijë në 300 euro, nga 216 sa marrin aktualisht.

“Do të duhej të ishte rreth 300 euro paga e një profesori të arsimit të mesëm, me kualifikim përkatës. Ky do të ishte një hap drejt stabilizimit të pagave në sektorin e arsimit. Përndryshe, edhe 300 euro nuk i mbulojnë kërkesat e arsimtarëve për të jetuar si duhet”, thotë Shabani.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thonë se në radhë të parë do të fillojë licencimi i mësimdhënëseve dhe pas përfundimit të këtij procesi, do të ketë edhe rritje të pagave.

Zëvendësministri i arsimit, Agim Hyseni, edhe pse nuk premton rritje deri në shtator të këtij viti, ai thotë se gjatë mandatit qeverisës, rritje të pagave për arsimtarë do të ketë.

“...që në periudhën mandatore të realizohet rritja e të ardhurave që tejkalon suazat e 50 përqindëshit. Por, normalisht këto diferencime nuk mund të shihen në mënyrë lineare, sepse nuk jemi të interesuar të vazhdojmë pagesën lineare dhe të paguhet si ai që ka marrë doktoraturën në këtë periudhë, sikur ai që për 15 vjetësh nuk ka përfunduar një shkollë të lartë ose fakultet“, thotë Hyseni.

Por, Ali Shabani thotë se nëse Qeveria injoron kërkesat e sidikalisteve, procesi mësimor nuk do të fillojë në afatin e rregullt.

“Me siguri se do të ketë probleme. Ne kështu ua kemi bërë me dije edhe ministrit, edhe zëvendësministrit të arsimit, se nëse Qeveria del e shurdhër karshi kërkesave të SBASHK-ut dhe MASHT-i nuk arrin ta bindë kabinetin qeveritar për ndryshime pozitive, athërë normalisht se punëtorët e arsimit nuk mund ta gurojnë gjatë këtë gjendje që i ka katandisur“, shprehet Shabani.

Sidoqoftë, viteve të fundit, kryesisht fillimi i vitit shkollor, në muajt shtator është shënuar me greva të arsimtarëve, të organizuara nga sindikata e arsimit, por deri më tani kanë përfituar vetëm rritje simbolike, e asnjëherë nuk janë realizuar kërkesat e plota të tyre.
XS
SM
MD
LG