Ndërlidhjet

logo-print

SHPK e gatshme t’i sigurojë pikat kufitare me Serbinë


SHPK

SHPK

Një grup veteranësh të luftës nga pjesë të ndryshme të Serbisë ka paralajmëruar se do të niset drejt pikës kufitare me Kosovën, në Merdare. Por, sipas njoftimeve nga SHPK-ja, një veprim i tillë nuk ka ndodhur.

Policia e Kosovës thotë se do të reagojë në bazë të ligjit dhe nuk do të lejojë të prishet rendi dhe qetësia publike, duke iu përgjigjur kështu disa paralajmërimeve të një grupi veteranësh të luftës nga Serbia, i cili kishte paralajmëruar se sot do të nisej drejt pikës kufitare me Kosovën, në vendin e quajtur Merdare.

Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, tha se kishte paralajmërime që veteranët serbë të luftës do të protestonin në vendin e quajtur Kurshumli në Serbi dhe më pas të nisen drejt Kosovës. Por, si tha Elshani, kjo nuk kishte ndodhur edhe pse në çdo rast policia e Kosovës është e gatshme të reagojë në bazë të ligjit.

“Ne kishim paralajmërime që diku rreth orës 13:00 veteranët e luftës nga Serbia do të protestonin në një vend afër Kurshumlisë në drejtim të Kosovës. Por, policia e Kosovës do të reagojë në bazë të ligjit, që do të thotë se nuk do të lejojë që të prishet rendi dhe qetësia publike dhe do të mbrojmë pronën publike të qytetarëve të Kosovës”, tha Elshani.

Ky grup i veteranëve të luftës së Serbisë, sipas njoftimeve nga disa media, planifikonte që në afërsi të kufirit me Kosovën të ndezte qirinj për kolegët e rënë gjatë luftës, si dhe pretendonte të hiqte mbishkrimin ‘Mirë se Vini në Republikën e Kosovës’.

Sidoqoftë, zëdhënësi Elshani thotë se diçka e tillë nuk kishte ndodhur dhe nuk do të lejohet që të ndodhë as tash, e as në të ardhmen. Ndërkaq, duke vlerësuar gjendjen e përgjithshme në pikat kufitare Kosovë – Serbi, Elshani thotë se përjashtimisht djegies së dy pikave kufitare në veri të Kosovës, pikat tjera janë të qeta dhe ka siguri të mjaftueshme.

“Duke marrë parasysh se më datën 19 shkurt 2008 ne kishim djegien e dy pikave kufitare në veri të Kosovës, ndërkaq kishte edhe disa protesta të organizuara në pikën numër 3 dhe 4 tek Motivoda, në përgjithësi pikat kufitare, vendkalimet kufitare konsiderohen të jenë të qeta e të sigurta, kur dihet se në secilën pikë kufitare ne e kemi policinë e Kosovës dhe kemi njësitë e KFOR-it. Do të thotë, nuk ka mundësi që këto pika kufitare të jenë më të sigurta”, tha Elshani.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, disa pika kufitare Kosovë – Serbi, disa ditë kanë qenë në shënjestër të sulmeve të grupeve serbe, por të cilat qenë evituar nga policia e Kosovës.

Këto incidente ka një kohë të gjatë që janë ndalur dhe nuk janë përsëritur në këtë pjesë të Kosovës. Ndërkohë që pjesa më e pa kontrolluar kufitare mbetet ajo në veri të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG