Ndërlidhjet

Beogradi shpreson në ngadalësimin e njohjes së Kosovës


Pamje në Beograd
Pamje në Beograd

Serbia ende insiston në një mendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar të hiqet dorë nga një gjë e tillë. Kurse, analistët serbë thonë se mendimi nuk ka ndonjë ndikim, megjithëse mund të ngadalësojë njohjen e shtetësisë së Kosovës.

Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, ka paralajmëruar ankesë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës. Ai ka thënë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë duhet të japë mendimin e saj lidhur me çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe legalitetin e saj.

Por, ambasadorët e shteteve të fuqishme në Beograd që përkrahin pavarësinë e Kosovës, i kanë sugjeruar Jeremiqit të mos e bëjë një gjë të tillë. Megjithatë, Serbia nuk ka hequr dorë nga ankesa.

Analistët thonë se kjo nuk do të ketë ndikim në çështjen e Kosovës, përveçse nëse gjykata jep mendimin e saj pro Serbisë, atëherë procesi i njohjes së Kosovës si shtet mund të ngadalësohet pas hezitimit nga shtete të ndryshme.

Ky ka qenë edhe qëllimi i vizitës së ministrit të Jashtëm francez, Bernard Kuochner, dhe komisarit për zgjerim të Bashkimit Evropian, Oli Rehn, e cila u anulua për shkak të takimit të ministrave të BE-së në Bruksel.

Dushan Laziq, nga Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare, thotë për Evropën e Lirë se duhet pasur parasysh që Gjykata e Hagës nuk do të bëjë një gjykim, por thjesht do të japë një mendim të sajin.

Por, sipas tij, pas luftës në mes të Gjeorgjisë dhe Rusisë për dy krahinat e këtij vendi, Serbia do të mundohet të paraqesë më shumë argumente.

“Mendimi i gjykatës ka rëndësinë e tij, sepse ky është institucioni më i lartë i drejtësisë i Kombeve të Bashkuara dhe kjo mund të ketë ndikim, por them që ky nuk do të jetë një mendim obligues”.


“Nga kjo mund të konkludohet se nuk duhet pritur që shtete, të cilat e kanë njohur Kosovën, të kthehen mbrapa, por thashë se mund të pritet një ngadalësim sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës”, thotë Laziq, duke shtuar se kërkesat nga Franca janë të panevojshme dhe të tepërta.

Ndërkaq, Boshko Jakshiq, analist i të përditshmes “Politika”, mendon se pavarësia e Kosovës është një çështje e kryer dhe se mendimi i Gjykatës në Hagë është i panevojshëm.

“Mendoj se rrëfimi për statusin ka mbaruar prej kohësh, formalisht edhe më 17 shkurt. Mendimi i paobligueshëm i tribunalit do të ishte një komplikim edhe më i madh në momentin kur shihet se rrezatimi i asaj që ka ndodhur në Kosovë, ka pasojat e saj direkte në Osetinë e Jugut dhe bëhet fjalë për gjëra që nuk kanë asnjë vlerë praktike dhe është thjesht një ushtrimore diplomatike”, shton Jakshiq.
XS
SM
MD
LG