Ndërlidhjet

SHPK merr kompetencat hap pas hapi


Shërbimi Policor i Kosovës
Shërbimi Policor i Kosovës

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se kompetencat që kanë mbetur pa u transferuar nga policia e UNMIK-ut te policia e Kosovës, do të barten hap pas hapi. Ndërkaq, zyrtarët e lartë të policisë së Kosovës konsiderojnë se policia është e gatshme t'i pranojë të githa përgjegjësitë. Ekspertët e kësaj lëmie pohojnë se vonesa e bartjes së kompetencave, dëmton policinë.

Qeveria e Kosovës pret që gjatë procesit të rikonfigurimit të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë t'i marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë në fushën e policisë.

Ndonëse, sipas planit të presidentit Martti Ahtisaari, misioni i Bashkimit Evropian për polici dhe drejtësi – EULEX, do të mbikëqyrë fushën e policisë, ende kanë mbetur disa sfera për të cilat Policia e Kosovës nuk është plotësisht kompetente.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Zenun Pajaziti, thotë se marrja e përgjegjësive të mbetura në këtë fushë do të bëhet hap pas hapi.

"Ne duhet ta bëjmë këtë proces hap pas hapi. Duhet të themi se në disa nga çështjet që janë të ndjeshme, neve na nevojitet kohë për t'u përgatitur në kuptimin e kapaciteteve tona. Mirëpo, ajo që dua të them tash, është se jemi të përkushtuar që ta zbatojmë Kushtetutën dhe ligjet tona, që tanimë i kemi aprovuar në Kuvend. Unë mund të them për policinë se jemi në proces të mirë, policia tashmë ka filluar t'i zbatojë obligimet e veta që dalin nga ligji",
tha ministri Pajaziti.

Por, Nuredin Ibishi, ekspert për çështje të sigurisë, mendon ndryshe. Ai konsideron se vonesa e bartjes së kompetencave në policinë e Kosovës, do ta dëmtojë policinë kosovare.

"Qeveria nuk ka bërë asgjë, me këtë edhe MPB-ja, por edhe policia e Kosovës, me qëllim të vënies në funksion të autoriteteve konform Ligjit mbi policinë e Kosovës, i cili veç është aprovuar, e normal edhe Kushtetutës. Kjo shkon më tutje edhe në problematikën e brendshme që nuk dihet kujt t'i dorëzohen ato kompetenca, cilit autoritet. Ne, për momentin, kemi vetëm zëvendëskomisarin; as emërimi nuk është adekuat sipas Ligjit policor", tha Ibishi.

Ndryshe, zëvendëskomisari i policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, thotë se policia e Kosovës tashmë ka kapacitet që t'i marrë të gjitha kompetencat e saj.

"Ne si polici jemi të gatshëm; kemi bërë të gjitha përgatitjet, kemi ngritur edhe kapacitet. Normal që janë edhe disa çështje, por ne jemi të gatshëm që të gjitha përgjegjësitë t'i marrim. Nuk ka diskutim dhe besojmë se do të ndodhë shpejt", tha Ahmeti.

Edhe ministri Pajaziti pohon se polica e Kosovës është e interesuar dhe e gatshme që sa më parë t'i marrë të gjitha kompetencat që i takojnë nga policia ndërkombëtare. Sipas tij, me ardhjen e misionit të Bashkimit Evropian, nuk mund të ketë përzierje kompetencash.

"Ne e kemi të sqaruar pozicionin tonë. Ne e kemi Kushtetutën tonë të re dhe e kemi ligjin. Ne do të bashkëpunojmë, do të kërkojmë dhe është shumë e mirëseardhur mbështetja edhe e misionit të EULEX-it dhe misionit të rikonfiguruar të UNMIK-ut".

"Ne duhet të zbatojmë ligjin. Ne nuk kemi asnjë dilemë sa i përket kësaj çështjeje. Po ashtu, edhe misioni i sundimit të ligjit i BE-së është sqaruar me kohë. Misioni i tyre do të jetë që të na mbështesin dhe të vëzhgojnë punën tonë. Por, në fakt, kompetencat tona janë definuar dhe janë dhënë me kohë me Kushtetutë", tha Pajaziti.

Megjithatë, zoti Ibishi vlerëson se vonesa e bartjes së kompetencave në policinë e Kosovës nga policia UNMIK-ut, do të shkaktojë paqartësi sa i përket asaj se kush është autoriteti qëndron në këtë rrafsh.

"Duhet ngutshëm qeveria, mendoj ministri, qoftë edhe në formë të një vendimi, që të caktojë kryerësit e detyrës, prej drejtorit të përgjithshëm, prej zëvendësdrejtorit e deri te ndihmësdrejtorët, që ata t'i marrin autorizimet, kompetencat. Mendoj se kjo ngecje shkakton edhe më tepër konfuzion, se nuk dihet se kush është përgjegjës kryesor për polici dhe askund nuk shihet se cilat janë autoritetet reale të policisë sipas Kushtetutës dhe Ligjit të policisë", tha Ibishi.

Ndryshe, deri më tash, policia e UNMIK-ut ka mbetur pa ia transferuar kompetencat policisë së Kosovës në komandën rajonale të policisë në Mitrovicë, në departamentin e krimeve të luftës, në disa aspekte të departamentit për krime të organizuara, si dhe postin e komisarit të policisë.

Ekspertët e sigurisë thonë se pjesëtarët e policisë kanë treguar pjekurinë e tyre që t'i marrin të gjitha përgjegjësitë, të cilat u takojnë.
XS
SM
MD
LG