Ndërlidhjet

Kermabon: EULEX është demonizuar


Yves de Kermabon
Yves de Kermabon

"Për disa arsye politike, e mbase edhe për arsye të tjera, EULEX-i është demonizuar te serbët. Ata nuk e dinë saktësisht se ç'është EULEX-i", thotë Yves de Kermabon, shef i misionit evropian për sundimin e ligjit.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Kermabon, vjeshta e vonshme tani po përmendet si afat kohor për funksionalizimin e EULEX-it në Kosovë. Duke pasur parasysh kundërshtimet e udhëheqësve serbë, sa keni shpresa se kjo vërtet mund të ndodhë?

YVES DE KERMABON
Fillimisht, më duhet të them se duhet të kemi kujdes kur flasim për kornizat kohore, sepse është shumë e vështirë që sot të konfirmohet nëse afati për zbarkim do të jetë saktësisht fundi i vjeshtës. Pak a shumë, jemi duke synuar për këtë afat, nëse do të jetë e mundshme.

Gjatë kësaj periudhe, ne do të shfrytëzojmë rastin që në koordinimin me UNMIK-un, të formësojmë terrenin, nëse mund ta quaj kështu. Kjo, për faktin se synojmë që EULEX-in ta zbarkojmë në mbarë Kosovën. Formësimi i terrenit nënkupton që ne duhet të shpjegojmë se ç'do të thotë EULEX-i.

Jam i sigurt se ka shumë keqkuptime mbi këtë mision, posaçërisht në mesin e serbëve. Për disa arsye politike dhe mbase edhe për arsye të tjera, EULEX-i është demonizuar tek serbët. Popullata serbe nuk e di saktësisht se ç'është EULEX-i.

Prandaj, veprimi im i parë është të dërgoj sa më shumë mesazhe mbi EULEX-in, për të shpjeguar se është mision i rendit dhe ligjit dhe se për secilin është mirë që të ketë garanci në fushën e rendit dhe ligjit.

Ne jemi këtu për t'i ofruar këto garanci dhe për të mundësuar lirinë e qarkullimit, të drejtat individuale për secilin në Kosovë. Prandaj, mendoj se nëse kemi sukses për të shpjeguar këtë, për të shpjeguar se EULEX-i është mision teknik, hap pas hapi do të mund ta bindim secilin mbi rëndësinë e EULEX-it dhe zbarkimin e tij në mbarë Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Me rikonfigurimin e UNMIK-ut, parshihet që EULEX-i të funksionojë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara. A mendoni se është e mundshme?

YVES DE KERMABON
Po, absolutisht. Nuk parashoh ndonjë vështirësi. Shikoni, situata është kjo, ne ende kemi Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit në fuqi, edhe pse në fillim ne mendonim se do të kemi një rezolutë tjetër. Por, natyrisht, për shumë arsye, ne nuk e kemi këtë rezolutë të re, prandaj ende punojmë me 1244-shin.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka marrë vendim për të rikonfiguruar UNMIK-un dhe praninë ndërkombëtare në Kosovë. Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian dhe të 27 vendet anëtare kanë propozuar zbarkimin e këtij misioni mbi rendin dhe ligjin.

Për mua, korniza e punës është shumë e qartë, ne punojmë në kuadër të Rezolutës 1244, nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara apo autoritetin e sekretarit të përgjithshëm, por me qasje të qartë identifikimi të Bashkimit Evropian dhe me zinxhir të qartë komandues nëpërmjet BE-së dhe Brukselit.

Pra, do të ketë ndërlidhje midis Brukselit dhe New Yorkut, meqë edhe tash ka koordinim të ngushtë midis tyre, ashtu siç ka konsultime dhe koordinim midis UNMIK-ut dhe EULEX-it.

RADIO EVROPA E LIRË
A nënkupton ky aranzhim një mision dykahësh, në të cilin UNMIK-u do të mbikëqyrë rajonet e banuara me serbë, kurse EULEX-i ato me shqiptarë?

YVES DE KERMABON
Jo, aspak. Duhet ta shmnagim absolutisht çfarëdo ndarjeje gjeografike. Ne duhet të koordinohemi me UNMIK-un. Do të doja mbase ta qartësoj se EULEX-i është mision i sundimit të ligjit dhe është krejtësisht ndryshe nga UNMIK-u, i cili ka qenë i ngarkuar me administrimin e Kosovës.

Pra, do të thotë, synimi është që EULEX-i të zbarkojë në gjithë Kosovën, në konsultime të ngushta me UNMIK-un dhe të bëhemi operacionalë në fund të tanzicionit.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët pak më parë Rezolutën 1244 si kornizë ligjore. Në njërën anë është kjo rezolutë dhe në anën tjetër është Kushtetuta e Kosovës. A prisni përplasje në këtë drejtim, në raport me mandatet, përgjegjësitë…?

YVES DE KERMABON
Dua të jem shumë i qartë. Unë jam kreu i misionit të EULEX-it dhe nuk mund të jap vlerësime mbi ambientin politik, mbi statusin, Kushtetutën… Ajo që di është se kemi mandatin e Bashkimit Evropian, nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, dhe unë do t'i përqëndroj të gjitha përpjekjet e mia në këtë fushë.

Prandaj, nuk mund të përgjigjem në asnjë pyetje që ka të bëjë me shefin e administratës ndërkombëtare, Qeverinë e Kosovës apo Kombet e Bashkuara. Kam një definicion të qartë në domethënien e misionit tim në këtë kornizë të përgjithshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat do të jenë çështjet më sfiduese për ju, pasi të jeni funksionalizuar në gjithë Kosovën?

YVES DE KERMABON
Mendoj se çështja kryesore është vendosja e një sistemi të mirë të drejtësisë, por edhe të policisë. Mbi të gjitha, është e rëndësishme të rivendosim besimin dhe të ofrojmë garanci për secilin në Kosovë, e veçanërisht për pakicat, por edhe për gjithë popullatën; qasje të mirëfilltë në sistemin e drejtësisë për të mundësuar mbrojtjen e popullatës, të drejtat e tyre individuale, lirinë e lëvizjes, e madje edhe të drejtën mbi pronat - ka akoma shumë raste që janë në pritje.

E gjithë kjo është një sfidë e madhe dhe për ta përballur, duhet të punojmë afërsisht me institucionet kosovare, me të gjitha pakicat, përfshirë këtu edhe atë serbe gjithashtu.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flisni për serbët, si mendoni t'i dërgoni mesazhet tuaja?

YVES DE KERMABON
Këto mesazhe shpërndahen nëpërmjet mediave dhe shtypit në përgjithësi, por gjithashtu duke shfrytëzuar njohjet që i kam me disa liderë kyçë serbë në Kosovë, nga përvoja ime e mëparshme si komandant i KFOR-it.

Unë i njoh njerëzit këtu dhe përpiqem ta shrytëzoj mundësinë për të punuar me të gjithë ata që kanë vullnet të mirë për ta shpërndarë mesazhin tim.

RADIO EVROPA E LIRË
Dikur komandant i KFOR-it, sot shef i EULEX-it. Sa është ndryshe për ju?

YVES DE KERMABON
Dallimi kryesor është se si komandant i KFOR-it kam udhëhequr një mision ushtarak, tani ndërkaq është një mision civil. Megjithatë, ka më shumë ngjashmësi se që ka dallime midis misionit tim si komandant i KFOR-it dhe si udhëheqës i EULEX-it. Në të dyja postet, në kuptimin e përgjithshëm, detyra ime ka qenë dhe është të ofroj siguri për popullatën.

Si komandant i KFOR-it, isha i ngarkuar me krijimin e një ambienti të sigurt, kurse si shef i EULEX-it, jam i ngarkuar me krijimin e qasjes në sistemin e drejtësisë, policisë dhe doganave, me krijimin e një ambienti të sundimit të ligjit. Pra, të dyja misionet janë shumë të ngjashme, edhe pse njëri ka karakter ushtarak dhe tjetri civil.
XS
SM
MD
LG