Ndërlidhjet

Gjendja në Mitrovicë dhe statusi i Trepçës


Ura qendrore në Mitrovicë
Ura qendrore në Mitrovicë

Gjendja aktuale e qytetit të Mitrovicës po ndikon edhe në funksionimin e kompleksit Trepça. Menaxherë të këtij kompleksi thonë se zgjidhja e statusit të qytetit do të zgjidhte edhe statusin e Trepçës. Ata thonë se aktivizmi i Trepçës do të ndikonte edhe në integrimin e qyetit të Mitrovicës.

Gjendja aktuale e qytetit të Mitrovicës po ndikon rëndë edhe në funksionimin e kompleksit metalurgjik Trepça. E ardhmja e këtij kompleksi varet nga zgjidhja e statusit të qytetit, thonë udhëheqës të këtij kombinati.

Por, qyteti i Mitrovicës, që prej përfundimit të luftës përballet me vështirësi në funksionimin e tij si një tërësi. Në pjesën jugore të qytetit të banuar me shumicë shqiptare, sektorët e këtij kompleksi udhëhiqen nga shqiptarët, ndërkaq në pjesën veriore kompleksi menaxhohet nga serbët.

Nazmi Mikullovci, menaxher i kombinatit Trepça shpjegon se në cilat anë gjenden sektorët e Trepçës.

“Prej fillimit kjo ka qenë një prej pengesave të rëndësishme për funksionimin e Trepçës. Në pjesën veriore gjenden dy miniera, Bello Bërda dhe metalurgjia e plumbit, dhe të gjitha objektet e përbashkëta që kanë qenë në Trepçë në kohën e viteve të '80-ta. Kurse, në pjesën jugore janë dy miniera që janë në funksion”, thotë Mikullovci.

Në anën tjetër, Miftar Hyseni, menaxher i minierës me flotacion “Trepça“, që gjendet në pjesën jugore të qytetit, thotë se kjo minierë tashmë punon me kapacitet të kufizuar dhe ka të punësuar 600 punëtorë. Por, problem në këtë kuadër, sipas tij, është statusi i pazgjidhur i Trepçës.

“Me të vërtetë varet shumë nga statusi i qytetit, sepse Trepça është e ndarë në pjesën veriore dhe atë jugore. Ka shumë njësi të saj që nuk punojnë, për shkak se nuk dihet statusi qytetit. Trepça është e lidhur ngushtë me vetë qytetin. Do të thotë, është çështje jetike zgjidhja e statusit të qytetit, në mënyrë që të funksionojë Trepça më mirë”, shprehet Hyseni.

Ndryshe, dikur kompleksi Trepça njihej si vend që siguron punë për shumicën e rajonit në Mitrovicë. Por, sot, në sektorët e Trepçës që gjenden në pjesën jugore të qytetit punojnë vetëm 1350 punëtorë, nga 25 mijë sa ka pasur dikur.

Zgjidhja e këtij problemi i takon Qeverisë së Kosovës, thotë Ismail Smakiqi, shef i administratës dhe personelit në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, duke shtuar se Kuvendi i Mitrovicës nuk ka shumë kompetenca në këtë drejtim.

Megjithatë, ai thotë se aktivizimi i Trepçës, përveç se do të ndikonte në zhvillimin ekonomik, do të ndikonte edhe në integrimin e qyetit të Mitrovicës.

"Shumë pak si qytet, po mendoj edhe si komunë, kemi fushëveprimtari në këtë drejtim. Me vetë faktin se janë punëtorë të Mitrovicës, ne kemi interesim për rrjedhat e mëtutjeshme të Trepçës, por shumica e çështjeve janë çështje të qeverisë”,
thotë Smakiqi.

Por, Mikullovci thotë se në rend të parë duhet të zgjidhet çështja e pronës së Trepçës.

“Sigurisht që zgjidhja e statusit do të ndikonte dukshëm në krijimin e disa kushteve që ky kompleks të jetë më funksional. Mirëpo, çështje kyçe është çështja e statusit të Trepçës. Dhe, me zgjidhjen e statusit të Trepçës dhe pronësisë së Trepçës, do të zgjidheshin edhe disa probleme të tjera", pohon Mikullovci.

Sidoqoftë, problem tjetër që mban peng kombinatin Trepça në Mitrovicë, në aspektin e zhvillimit dhe atë të privatizimit, është borxhi i krijuar që në vitet e '90-ta, në kohën kur ky kompleks ishte menaxhuar nga pushteti serb. Ky borxh, për të cilin thuhet se Trepça i ka kreditorëve të huaj, sipas menaxherëve, arrin deri në 250 milionë euro.
XS
SM
MD
LG