Ndërlidhjet

Serbia ka obligime të mëdha para BE-së


Pamje në Beograd
Pamje në Beograd

Viti 2009 mund ta bëjë Serbinë kandidate për integrimin në Bashkimin Evropian. Por, analistët serbë thonë se këto data mund të jenë më shumë stimulime. Megjithatë, edhe nëse kjo ndodh, sipas tyre, Serbia ka shumë obligime në rrugën e integrimit dhe ato ende nuk janë kuptuar.

Lajmi nga Brukseli se Serbia mund të futet në listën e vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian është pritur me skepticizëm në Serbi dhe pa gëzim të parakoshshëm.

Problemi i Kosovës dhe bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës do të jenë dy barrierat kryesore të Serbisë dhe kjo e zbeh entuziazmin për progres.

Megjithatë, analistët mendojnë se pragu i përmendur nga presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, mund të arrihet nëse për këtë gjë Serbia vërtet mundohet dhe vazhdon të tregojë progresin e nisur.

Megjithatë, Kuvendi i Serbisë ende nuk ka mundur të tregojë një efikasitet sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me integrimin.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është duke u diskutuar në Kuvend, por diskutimet maratonike dhe kundërshtimet e opozitës kanë penguar deri tani vënien në vota të ratifikimit të saj.

Dushan Llaziq, nga Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Beograd, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se është vështirë të flitet për datat, sepse për Serbinë janë kërkuar detyra të caktuara dhe jo data.

"Mendoj se nëse Serbia arrin që në disa drejtime të politikës së saj të bëjë progres, është reale që në fillim të vitit të ardhshëm të bëhet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian".

"Por, kuptohet se duhet të përmbushen një varg parakushtesh që nuk janë paraparë vetëm për Serbinë. E vetmja gjë që mund të kërkohet shtesë është të vazhdojë bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës, përkatësisht t'i dërgojë të akuzuarit",
thotë Llaziq, duke shtuar se në Bashkimin Evropian ekziston një besim se në Serbi, me qeverinë e re, ka një gatishmëri për të arritur një progres më të madh.

Llaziq mendon se takimet në Bruksel tregojnë një mbështetje tjetër për Serbinë. Por, sipas tij, Serbia duhet t'i tregojë letrat e saj se e dëshiron një gjë të tillë para BE-së.

"Do të ishte logjike që problemi me Hagën të mbarojë deri në këtë afat. Nuk mund të them se në çfarë faze është kjo, por ajo që është e pranishme në opinion në Serbi, duket se kjo çështje është duke u përshpejtuar dhe se kjo duhet të mbarojë në një apo mënyrë tjetër... Ndoshta, me arrestimin apo edhe vetëdorëzimin e dy të akuzuarve të mbetur të Hagës", shton Dushan Llaziq.

Ndërkaq, analisti i së përditshmes “Politika”, Boshko Jakshiq, thotë se Serbia ka shumë vonesa që tani nuk shihen, por ato do të vërehen kur të fillojë më konkretisht integrimi.

"Obligimet tjera të mbetura na duken shumë të lehta, por mund të jenë të zorshme. Ka vonesa nëse krahasohet me Kroacinë. Ka vonesa në luftën kundër korrupsionit, me nivelizimin e ligjeve, gjyqësinë. Kur Brukseli të japë dritën e gjelbër, Beogradi do ta shikojë se ka edhe shumë gjëra për të bërë
", thekson Jakshiq.

Ai mendon se viti 2009 është i mundur, por më shumë mund të jetë një stimulim.

"Ky mund të jetë një impuls i mirë që të realizohet viti 2009 si vit i kandidimit, por kam frikë se gjërat nuk mund të bëhen aq shpejt. Serbia do ta kuptojë se ekzistojnë obligime të tjera shumë serioze që duhet plotësuar para fillimit", shton Jakshiq.

XS
SM
MD
LG