Ndërlidhjet

"UNMIK i gatshëm ta ndërmjetësojë takimin Sejdiu-Tadiq"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Pas deklaratave të presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, se do të ishte i gatshëm të takojë homologun e tij serb, Boris Tadiq, UNMIK-u është i gatshëm që rolin e tij të ri, të lehtësuesit në konsultimet mes Prishtinës dhe Beogradit, ta avancojë një shkallë më lart, në organizues të mundshëm të një takimi të presidentëve të të dyja vendeve. Gatishmërinë e vet UNMIK-u e ka shprehur nëpërmjet zëdhënësit, Aleksandër Ivanko, në konferencën e rregullt për media. Ivanko tha se kjo administratë do të ishte e lumtur nëse do të ndodhte një takim i tillë. "Me dëshirë do ta lehtësonim një takim të tillë. Nese ka gatishmëri nga të dyja palët, do të ishim të Iumtur ta bënim këtë", tha Ivanko, i cili dyshon se mund të ndodhe një takim i tillë tash për tash. Megjithatë, zëdhënësi i UNMIK-ut deklaroi se nëse nuk do të ketë takim, OKB-ja në Kosovë vazhdon ta luajë rolin e lehtësuesit, duke udhëtuar herë në Prishtinë e herë në Beograd, për të provuar që të dyja palët të vijnë deri të ndonjë zgjidhje...

EPOKA E RE
Zyrtarët e BE-së janë në bisedime me serbët lokalë dhe me Beogradin zyrtar në përpjekje për ta siguruar mbështetjen e tyre për vendosjen e Misionit Evropian në veri të Kosovës, ka thënë i dërguari i posaçëm i BE-së në Kosovë, Pieter Feith. Në një intervistë për BBC-në, diplomati holandez ka thënë të mërkurën se për shkaqe sigurie, Zyra Civile Ndërkombëtare nuk e ka hapur zyrën e saj në veri të Mitrovicës të banuar me shumicë serbe, por në pjesën jugore të qytetit. Ai ka mohuar të ketë përplasje të kompetencave ndërmjet misionit të BE-së, atij të OKB-së dhe Qeverisë së Kosovës. "Nëse e lexoni Kushtetutën, e cila është miratuar, janë disa kompetenca ekzekutive të cilat i takojnë përfaqësuesit të Zyrës Civile Ndërkombëtare. Nuk e konsideroj veten si shef të madh dhe në këtë fazë në të cilën ndodhet Kosova, kjo nuk do të ishte e duhur. Shefi i madh është qeveria dhe kuvendi si në çdo demokraci dhe varet nga udhëheqësit e zgjedhur që të ofrojnë lidership dhe ta drejtojnë vendin drejt një të ardhmeje të sigurt", ka thënë ai...

INFOPRESS
Shefi i diplomacisë së Kosovës, Skënder Hyseni, pati paralajmëruar njohje të Republikës së Kosovës që në fillim të këtij muaji, ndërsa të mërkuren në Tiranë ka përsëritur se priten njohje të reja dhe ka sinjale të qarta rreth tyre. Hyseni ka takuar presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, dhe homologun e tij ne Qeverinë e Shqipërisë, Lulzim Basha, në vizitën e tij të parë zyrtare në Tiranë, në funksionin e ministrit të Jashtëm të Kosovës. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka përgëzuar ministrin e Punëve të Jashtme për punën e tij të suksesshme gjatë gjithë procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës, shpalljes së pavarësisë dhe njohjes nga sa më shumë vende të botës. Gjithashtu, Topi ka dhënë vlerësime maksimale edhe për maturinë e klasës politike dhe udhëheqjes në Kosovë që ka kaluar sfida të ndryshme në ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve të pavarura demokratike. Theks të veçantë, presidenti Topi u ka dhënë arritjeve të deritanishme të diplomacisë së re në Kosovë, duke përmendur këtu veçanërisht emërimin e dhjetë ambasadorëve të rinj...

LAJM
Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që Mali i Zi, si dhe vendet e tjera te rajonit, të njohin pavarësinë e Kosovës, sepse kjo do t'i kontribuojë forcimit të stabilitetit rajonal. Kështu ka deklaruar ambasadori amerikan në Podgoricë, Frederick Moor, gjatë një vizite në një kamp refugjatësh. "Mendoj se nëse ekziston pasiguri, nëse nuk ekzistojnë marrëdhënie normale diplomatike në mes të shteteve të këtij rajoni, kjo dëmton stabilitetin rajonal", tha Moore. Ai tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se është në interes të vendeve të rajonit që t'i bashkohen qëndrimit të vendeve euroatlantike dhe të njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ndërkohë, presidenti slloven, Danilo Turk, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ka deklaruar se respekton qëndrimin e këtij vendi në rastin e Kosovës. "Filozofia e politikës së jashtme të Sllovenisë kurrë nuk ka qenë të bëjë presion. Njohja e Kosovës është çështje për tërë komunitetin ndërkombëtar, prandaj nuk do të ishte e drejtë të ketë pritje të veçantë nga vendet të cilat janë në fqinjësinë tonë të drejtpërdrejtë", tha presidenti slloven në një konferencë për media, pas bisedimeve me homologun e tij malazez, Filip Vujanoviq...

KOHA DITORE

Bashkimi Evropian ka kërkuar të mërkurën nga Serbia që të jetë konstruktive dhe pragmatike lidhur me Kosovën, por publikasht nuk është sqaruar se çfarë mendohet saktësisht. Në takimin e parë qe kanë pasur zyrtarët e lartë të BE-së me lidershipin e Serbisë prej kur në Serbi është krijuar qeveria e re, është folur për rrugën e integrimit të Serbisë në këtë organizatë, por edhe për situaten në rajon e në veçanti në Kosovë. Kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Durao Barroso, ka thënë pas takimit me presidentin e Serbisë se "e kupton se Kosova është çështje e vështirë dhe e ndjeshme, por është e rëndësishme për bashkëpunimin rajonal, prandaj pret nga Serbia që të jetë konstruktive dhe pragmatike". Barroso e tha këtë duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq. Presidenti i Serbisë tha se sa i përket Kosovës, vendi i tij vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe e sheh atë si një akt ilegal të "udhëheqjes shqiptare të Kosovës", prandaj ai rikonfirmoi se "Serbia do të kërkojë mendimin konsultativ të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë". Tadiq tha se Serbia do ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës "me mjete diplomatike dhe ligjore" dhe nuk ka bërë e as që do të bëjë agresion apo bllokadë të ekonomisë së Kosovës...

EXPRESS
Demarkacioni i kufirit me Maqedoninë dhe njohja e shtetit të Kosovës nga Shkupi, janë dy çështje që nuk shkojnë njëra me tjetrën, ka thënë të mërkurën zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Ai ka vlerësuar se pala kosovare e ka marrë obligim çështjen e demarkacionit me dokumentin e Ahtisaarit dhe, sipas tij, kjo çështje po ecë mirë. "Besojmë që të dy gjërat mund të ecin ose paralelisht ose njëra pas tjetrës, por nuk është e thënë që të kushtëzohen njëra me tjetrën", ka thënë Kuçi të mërkurën, pas mbledhjes së Qeverisë. Sipas tij, Maqedonia është e interesuar që të ketë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje, përfshirë edhe Kosovën. "Nëse do të pyeteshim ne, do të donim që njohja të ishte e para". Kritikat e fundit të opozitës për mosshtrirje të autoritetit në tërë vendin dhe për shkelje të Kushtetutës, Kuçi i ka vlerësuar më shumë si akuza politike. "Unë mendoj që këto akuzat politike për shkelje të Kushtetutës dhe ilegalet duhet t'i dallojmë. Unë mendoj që kemi të bëjmë më tepër me politikë se me legalitet", ka thënë ai...

ZËRI
Kryeministri Hashim Thaçi ka vaznduar me hapjen e zyrave të reja në Kryeministri, përkundër ekzistimit të ministrive përkatëse, si përpjekje për të parë nga afër punët që qeveria po kryen në fusha të caktuara. Kryeministri Thaçi ka theksuar se në javët e ardhshme Qeveria do të jetë e fokusuar në angazhimet për zbutjen e varfërisë dhe gjendjes sociale në Kosovë, përmes reformimit të sektorëve shoqërorë dhe institucionalë në Kosovë. Në fakt, dje në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Thaçi kumtoi se ai propozon hapjen e katër zyrave të tjera brenda Zyrës së Kryeministrisë, përfshirë Zyrën për komunitete, Zyrën për veteranët e UÇK-së, Zyrën për pensionistë dhe Zyrën per biznese, me qëllim, siç u tha, zgjidhjen e problemeve të këtyre kategorive. Qeveria, pa ndonjë debat e miratoi këtë propozim të kryeministrit. Hapa të tillë kryeministri Thaçi pati ndërmarrë edhe në fusha tjera, ndër to edhe me hapjen e Zyrës per Energji, por të paktën per këta gjashtë muajt e parë të qeverisjes së tij nuk ia doli që.të ndikojë në përmirësimin e gjendjes së furnizimit me rrymë. Në asnjë rast, Thaçi nuk e përmendi mundësinë e përzierjes së përgjegjësive me ministritë përkatëse që shtrijnë aktivitetin e tyre në fushat ku Kryeministria tash do të formojë zyra të reja...




XS
SM
MD
LG