Ndërlidhjet

Ndikimet politike të sulmeve terroriste të 11 shtatorit


Flamuri amerikan i vendosur në Pentagon, në vendin ku u përplas aeroplani, më 11 shtator 2001.
Flamuri amerikan i vendosur në Pentagon, në vendin ku u përplas aeroplani, më 11 shtator 2001.

Ngjarjet e 11 shtatorit 2001 kishin ndikim të fuqishëm në pikëpamjen e Amerikës për rolin e saj në botë, duke shkaktuar rishikimin e politikës së jashtme dhe të parimeve ekonomike e politike të 50 vjetëve të shkuar.


Për dallim nga vitet e kaluara, përvjetori i sivjemë i sulmeve terroriste të 11 shtatorit, në Shtetet e Bashkuara nuk u shënua me përkujtime të mëdha, por kjo nuk do të thotë se Amerika i ka harruar 3000 viktimat nga viti 2001.

Analistët thonë se sulmet terroriste kishin ndikim të madh në politikën e jashtme dhe e karakterizuan pothuaj tërë presidencën e presidentit aktual, George Bush.

Ngjarjet e 11 shtatorit 2001 kishin ndikim të fuqishëm në pikëpamjen e Amerikës për rolin e saj në botë, duke shkaktuar rishikimin e politikës së jashtme dhe parimeve ekonomike e politike të 50 vjetëve të shkuar.

Por, tash shtrohet pyetja, mos vallë në fushatën presidenciale, 11 shtatori dhe lufta në Irak ranë në plan të dytë pas ekonomisë?

Po, thotë Robert Spitzer, profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut.

"Numri i viktimave në Irak po shënon rënie dhe shkalla e luftimeve është reduktuar. Sigurisht që kjo është pasojë e shtimit të trupave që bëri presidenti Bush. Prandaj, tash problemet ekonomike kanë dalë në plan të parë",
thotë Spitzer për Radion Evropa e Lirë.

Por, kështu nuk mendon Patrick Basham, drejtor i Institutit për Demokraci në Uashington. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ai shfaqi bindjen se siguria kombëtare dhe ekonomia janë njësoj të rëndësishme për amerikanët.

"Ironia është se Iraku përsëri është kthyer në ekuacionin politik, por jo më në aspektin negativ. Ose, thënë ndryshe, republikanët dhe John McCain kanë përmendur aspektet e luftës që janë përmirësuar. Dhe, kjo ka bërë që opinioni të jetë i ndarë", thotë Basham.

Sidoqoftë, Spitzer dhe Basham janë dakord se 11 shtatori e përkufizoi presidencën e Bushit.

Spitzer thotë se kur Bush u zgjodh president kishte popullaritet shumë të ulët, për shkak të procesit të kontestuar zgjedhor ku u përfshi edhe Gjykata Supreme.
Por, menjëherë pas 11 shtatorit, popullariteti i tij filloi të rritet për shkak të vendosmërisë që tregoi.

Edhe Basham e pohon të njëjtën.

"Me ose pa qëllim, presidenca e Bushit u gjet në një situatë, e cila u përcaktua si luftë kundër terrorit, të cilën ai e menaxhoi me shumë shkathtësi politike", thotë Basham.

Por, shtrohet pyetja, a thua 11 shtatori do ta përkufizojë edhe politikën e presidentit të ardhshëm?

Spitzer nuk mendon kështu.

"Do të jetë një element vital i presidencës. Nëse për shembull do të ketë ndonjë sulm terrorist, kuptohet që ai do të ketë efekt nxitës te presidenti. Madje, edhe po të mos ketë, lufta globale kundër terrorizmit do të vazhdojë", thotë Spitzer.
XS
SM
MD
LG