Ndërlidhjet

Pacolli: Iniciativa e Serbisë – e rrezikshme


Behxhet Pacolli

Behxhet Pacolli

“Është një iniciativë e rrezikshme për Kosovën, që mund të ndikojë drejtpërsëdrejti në vullnetin e shumë shteteve që janë në prag të vendosjes për njohjen e Kosovës”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Behxhet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pacolli, nisma e Serbisë për të kërkuar vlefshmërinë e pavarësisë së Kosovës nga GJND-ja, është futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Si e shihni ju këtë çështje dhe cilat mund të jenë pasojat nëse kalon ajo?

BEHXHET PACOLLI

Sigurisht se është një iniciativë e rrezikshme për Kosovën, një iniciativë që mund të ndikojë drejtpërsëdrejti në vullnetin e shumë shteteve që janë në prag të vendosjes për njohjen e Kosovës.

Unë nuk besoj asnjëherë që ka kthim mbrapa; puna e pavarësisë është kryer. Mirëpo, kjo do të ndikojë sigurisht në vullnetin ose disponimin e shumë shteteve që kanë qenë gati për ta njohur Kosovën. Kosova është dashur të punojë, të jetë më intensive dhe të jetë më aktive në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Kanë kaluar më shumë se shtatë muaj që kur Kosova ka shpallur pavarësinë. Ndërsa, çështja e veriut të Mitrovicës vazhdon të jetë e njëjtë. A po rrezikon të shndërrohet ky problem në një konflikt të ngrirë?

BEHXHET PACOLLI
Është një konflikt i ngrirë tani për tani. Ky problem është specifik. Është problem që kërkon pak kohë. Do t’i propozoja qeverisë që të formojë disa komisione të përbashkëta, ndoshta të përbëra prej shqiptarëve dhe serbëve, që kanë vendosur të jetojnë në Kosovë dhe të pranojnë realitetin e Kosovës – komisione që do të ndërlidhin me bashkatdhetarët tanë në Mitrovicë.

Të punohet në atë drejtim dalëngadalë dhe t’u tregohet atyre se ardhmëria e vetme është Kosova dhe çdo aktivitet tjetër çon kah dëmi që mund të jetë jo vetëm për ta, por edhe për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri më tash, Kosovën - shtet të pavarur dhe sovran - e kanë njohur 47 shtete. Si e vlerësoni ju ritmin e njohjeve?

BEHXHET PACOLLI

Është ngadalësuar dhe ky ngadalësim mua më preokupon shumë. Vetë fakti se tre muajt e fundit kemi ardhur tek ky numër dhe kemi stagnuar, do të thotë se ne nuk kemi punuar më tepër, në mënyrë sistematike, që procesi në mënyrë evolutive të vazhdojë.

Është stagnuar dhe kur diçka stagnon, shkon edhe në harresë. Kam frikë shumë se mos po shkon në harresë tek këto shtete, që duhet Kosovën ta pranojnë si realitet, të pranohet pavarësia e saj dhe të pranohet si partner i ardhshëm për bashkëpunim.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur nisma për krijimin e një blloku opozitar në Kuvendin e Kosovës. Cila është gjendja aktuale e kësaj iniciative? Pse nuk ka pasur zhvillime në këtë drejtim deri më tani?

BEHXHET PACOLLI
Do të them se nisma ka filluar së pari me një takim që është bërë me iniciativën e AKR-së. Ajo ka vazhduar më tutje me iniciativën e LDD-së, ka vazhduar më tutje me iniciativën e AAK-së dhe sot në mbrëmje kemi takimin e radhës, i cili do të bëhet në mes të partive opozitare.

RADIO EVROPA E LIRË
Është përfolur shumë një tender, të cilin e keni marrë nga qeveria. Analistët thonë se kjo mund të ketë ndikime që opozita të jetë më e dobët. Cila është përgjigjja juaj rreth kësaj çështjeje?

BEHXHET PACOLLI
Kosova nuk është e koalicionit. Kosova nuk është e qeverisë. Kosova është e krejt kosovarëve, të cilët jetojnë dhe punojnë në këtë vend të lirë, vend ku kemi nevojë për një ekonomi të mirëfilltë, ku kemi nevojë për kuantitet dhe krahas kuantitetit edhe për kualitet.

Prandaj, unë jam një deputet i Kuvendit të Kosovës, jam në krye të Aleancës Kosova e Re. Mabetex-i është një subjekt ekonomik, ku unë jam vetëm një njeri, i cili para shumë kohësh e ka themeluar atë grup dhe tani nëse flitet për Mabetex-in që ka fituar këtë tender, është subjekt ekonomik që nuk ka ndërlidhje me mua.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG