Ndërlidhjet

Tadiq: Për Kosovën duhet luftuar në drejtësi


Boris Tadiq
Boris Tadiq

Presidenti serb, Boris Tadiq, para nisjes për në Nju Jork, ku do të mbahet seanca e ardhshme në Kombet e Bashkuara dhe propozimi i rezolutës serbe për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka thënë se Serbisë i duhet mbështetje e gjerë. Analistët serbë thonë se çështja kryesore është fakti pse Serbia po kërkon një sqarim nga Gjykata e Drejtësisë.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka thënë se nga lufta politike për Kosovën, tash gjithçka duhet të kalojë në sferën e drejtësisë. Para nisjes për në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, Tadiq ka thënë se Serbisë i duhet një mbështetje e gjerë për të kaluar projekt-rezolutën, e cila do të jepte dritën e gjelbër për Gjykatën e Drejtësisë në Hagë, për të dhënë një mendim këshillues për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij, ditët e ardhshme do të jenë një punë e vërtetë dhe e rëndësishme për Serbinë.

Tadiq, gjatë qëndrimit në Nju Jork, është bërë e ditur se do të ketë takime të paktën me 30 delegacione të ndryshme, për t’u kërkuar mbështetje për rezolutën.

“Ne, deri tani, kemi pasur mbështetjen e disa vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe anëtarëve të Kuvendit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, por na duhet një mbështetje më e gjerë”, ka thënë Tadiq, duke shtuar se argumentet e Serbisë në fushën e drejtësisë hapin rrugë dhe mundësi të reja për çështjen e Kosovës dhe vendosjen e statusit të ardhshëm të saj.

Edhe partitë politike në koalicion dhe ato në opozitë e kanë përshëndetur futjen në rend dite të projekt-rezolutës, por grupi i ri i radikalëve të udhëhequr nga Tomisllav Nikolliq dhe Partia Demokratike e Serbisë e ish-kryeministrit Vojisllav Koshtunica, kanë kërkuar edhe paditjen e secilit shtet që ka njohur Kosovën.

Megjithatë, ndonëse e konsideruar si fitore politike për Serbinë, ky veprim edhe nëse ngadalëson njohjen e Kosovës shtet, për analistët serbë mund të jetë edhe një gjë që i dëmton marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe rrugën e integrimit.

Jelena Milliq, nga Qendra për Studime Euroatlantike, thotë se kjo kërkesë është legale dhe e drejtë dhe duhet marrë parasysh situatën e Serbisë. Por, çështja kryesore, sipas saj, përse Serbia po e bën këtë veprim?!

“Kombet e Bashkuara do të duhej ta lejonin gjykatën të jepte mendimin e saj dhe të thoshte se në bazë të Rezolutës 1244 ka ardhur deri te një status i ri i Kosovës, e kjo ndodh sidomos kur ekzistojnë bisedime të dështuara, që ne në parim i kemi. Kjo do të ishte një zgjidhje e mirë, sepse nuk do të cenohej e drejta ndërkombëtare”.

“Beogradi zyrtar do të kishte një argument para opinionit publik dhe të thotë që ne kemi bërë gjithçka që mundem, por forcat janë më të mëdha. Ose kjo, ose ndonjë propozim i mëvonshëm për ndarjen e Kosovës, sepse nuk shoh arsye tjetër pse Serbia po e bën këtë gjë”, thekson Milliq.

Ndërkaq, Vesna Petroviq, eksperte për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, mendon se triumfi i Serbisë ende mund të ndalohet në Nju Jork.

“Është e nevojshme që shumë shtete të binden për të votuar. Ekziston një parim i votimit ku numërohen shtetet që janë më të pranishme në atë moment dhe atëherë shikohet nëse ekziston shumica apo jo. Shtetet mund të vendosin të votojnë në mënyra të ndryshme, por mund të mos jenë të pranishme në momentin e votimit
”, thotë Petroviq.

Megjithatë, për analistin Vatrosllav Vekariq, Serbia duhet të ketë plane të mira për të ardhmen.

“Partnerët tanë mund të thonë mirë ‘ju tani po hyni në konflikt me ne dhe konflikt të drejtësisë dhe dëshironi të na bashkëngjiteni’. Çështja është te orientimi ynë në të ardhmen, se çfarë dëshirojmë të bëjmë me problemin e Kosovës në të ardhmen dhe sa jemi të gatshëm të jemi elastikë”, thotë Vekariq.
XS
SM
MD
LG