Ndërlidhjet

Përfaqësues të komuniteteve joserbe që jetojnë në Kosovë, pohojnë se janë të anashkaluar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Sipas tyre, në Kosovë respektohet vetëm pakica serbe.


Komunitetet joserbe në Kosovë janë të anashkaluar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare në të gjitha sferat. Kështu të paktën thonë përfaqësues të komunitetit egjiptian, turk dhe atij boshnjak.

Xhevdet Neziraj, deputet në Kuvendin e Kosovës, nga komuniteti egjiptian, thotë se ka shumë dallime në raport me pakicat e ndryshme. Ai thotë se në Kosovë respektohet vetëm pakica serbe, ndërkaq komunitetet tjera ballafaqohen me vështirësi nga më të ndryshmet.

“Në përgjithësi, komunitetet joserbe janë anashkaluar nga institucionet vendore, por edhe nga institucionet ndërkombëtare, të cilat tashmë merren me analiza të shumta pse nuk janë të integruar. Mund të them lirisht se kanë bërë shumë pak dhe këto komunitete i përdorin vetëm për plotësimin e nevojave të komunitetit serb; duke i realizuar të drejtat e tyre, i përmendin edhe këto komunitete”, thotë Neziraj.

Institucionet vendore dhe ndërkombëtare, duke u marrë vazhdimisht me plotësimin e kushteve të komunitetit serb, kanë harruar se në Kosovë jetojnë edhe komunitete tjera, thotë Numan Baliq, deputet në Kuvendin e Kosovës, nga komuniteti boshnjak.

“Ne nuk jemi të kënaqur dhe besoj se institucionet vendore nuk e kanë treguar një interesim të vërtetë lidhur më çështjet kyçe. Çështje kyçe janë: përmbushja e standardeve, barazia e plotë në të gjitha fushat në nivel qendror, komunal, investime në trevat ku jetojnë komunitetet, gjuha, përdorimi i gjuhës, administrata dhe universiteti”, tha Baliq.

Edhe komuniteti turk ka probleme, por, në krahasim me komunitetet tjera joserbe, problemet janë më të vogla, thotë Mahir Jagxhillar, ministër në Qeverinë e Kosovës.

"Komuniteti turk në Kosovë është një komunitet i integruar në shoqërinë kosovare, por si çdo komunitet në Kosovë, edhe komuniteti turk i ka vështirësitë e veta, sidomos në zhvillimin e arsimimit dhe në aktivitete kulturore, por gjithashtu ekzistojnë probleme edhe në punësim”,
pohon Jagxhillar.

Ndryshe, Xhevdet Neziraj, nga komuniteti egjiptian, thotë se është momenti i fundit që institucionet vendore të kenë qasje të barabartë ndaj të gjitha komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë.

"...për arsye se nuk kemi të bëjmë me integrim, se ky komunitet nuk ka ardhur dje; në një farë forme jeton me shekuj këtu. Por, është anashkaluar në aspekte institucionale, duke përfshirë këtu ndërmarrjet publike, ku numri i tyre është shumë pak i përfaqësuar. Gjithashtu edhe në administratë, si shërbyes civilë nëpër asambletë komunale dhe në disa aspekte të tjera", thotë Neziraj.

Sipas disa të dhënave nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, UNHCR, në Kosovë jetojnë rreth 5 për qind të pakicës joserbe: boshnjakë, turq, goranë, egjiptianë, romë dhe ashkalinj. Të dhënat e sakta ende nuk dihen, duke marrë parasysh faktin se nuk është bërë ende regjistrimi i popullsisë, gjë që, sipas njoftimeve të deritashme, pritet të ndodhë vitin që vjen.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG