Ndërlidhjet

logo-print

Partitë shqiptare kundër ndryshimeve në Kodin zgjedhor


Shkupi

Shkupi

Ndryshimet e reja në Kodin zgjedhor, të prezantuara nga Ministria e Drejtësisë, janë kundërshtuar jo vetëm nga partitë politike shqiptare, por edhe nga ekspertët juridikë, sipas të cilëve, garantimi i 10 vendeve në Kuvend për bashkësitë e vogla devalvon dhe ul fuqinë e shqiptarëve në Maqedoni. Ministria e Drejtësisë, nga ana tjetër, thotë se ndryshimet janë pjesë e agjendës evropiane, ku edhe Maqedonia synon të anëtarësohet.

Propozim-ndryshimet e reja në Kodin zgjedhor, të propozuara nga Ministria e Drejtësisë, nuk ndryshojnë aspak nga ato të para një viti më parë, që patën shkaktuar tensione të shumta dhe madje konfrontime fizike mes deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë.

Ministria e Drejtësisë sërish parasheh që tre deputetë të zgjidhen nga diaspora, të cilës i garantohet edhe pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale. Veç kësaj, ndryshimet rikthejnë në debat edhe 10 vendet e deputetëve në Kuvend, të garantuara për bashkësitë etnike, me çka numri i deputetëve do të rritej nga 120 në 133.

Sikur edhe para një viti kur ishte në opozitë, edhe tani kur është në pushtet, ndryshimet kundërshtohen nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ndërsa arsyet e tij se me këto ndryshime tentohet të rrënohet Parimi i Badinterit, mbështeten edhe nga ekspertët shqiptarë për çështje juridike.

“Për sa i përket vendeve të garantuara vetëm për komunitetet joshumicë dhe joshqiptarë, siç janë turqit, romët, serbët, boshnjakët etj., mendoj se do të rritet në mënyrë artificiale fuqia e tyre politike dhe zgjedhore, përkundër përqindjes me të cilën realisht janë të përfaqësuar në strukturat e organeve të pushtetit në Maqedoni”.

“Mendoj se me këtë rritje artificiale të fuqisë së tyre politike dhe zgjedhore, do të ndikohet negativisht në uljen dhe dobësinë e fuqisë së komunitetit etnik shqiptar, si komuniteti i dytë për nga numri në Maqedoni”, tha Jeton Shasivari, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Ai kundërshton edhe propozimin me të cilin parashihet pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

“Mendoj se në Maqedoni ende nuk janë pjekur kushtet që diaspora, të cilën e përbëjnë shtetasit e Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit, të mund të realizojnë të drejtën e tyre të zgjedhjes, për shkak se Maqedonia për nga struktura e saj e politikës së jashtme në nivel të ambasadave dhe të konsullatave, ende nuk është e përgatitur që të sigurojë realizimin e kësaj të drejte”.


“Dhe, përderisa nuk ka kushte për një gjë të tillë, atëherë mendoj se do të krijohet hapësirë për manipulime të reja zgjedhore edhe me këtë çështje në të ardhmen”, tha zoti Shasivari.

Por, Ministria e Drejtësisë konsideron se ndryshimet bëhen me qëllim të harmonizimit të legjislaturës vendase me atë të Bashkimit Evropian dhe se me vendet e garantuara për bashkësitë e vogla etnike vetëm se zbatohet kushtetuta për barazinë mes qytetarëve që jetojnë në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG