Ndërlidhjet

Analistët: Në veri po konservohet kriza


Mitrovica
Mitrovica

Moszbatimi i Kushtetutës në pjesën veriore të Kosovës paraqet rrezik të madh për fatin e vendit. Kështu thonë analistët politikë në Kosovë.


Analisti Milazim Krasniqi konsideron se nëse një situatë e tillë vazhdon të mos ndryshojë, gjërat do të përkeqësohen.

"Atje kriza po konservohet dhe në njëfarë forme duket se projekti është që të marrë formën e një konflikti tipik, si ai që ka qenë në Abkhazi ose në Osetinë e Jugut, dhe që pastaj projektuesit serbë të presin një moment të volitshëm për një formë të ndërhyrjes ose një formë të destabilizimit, që do të rezultonte me amputimin e asaj pjese të Kosovës", tha Krasniqi.

Analisti tjetër, Ismajl Hasani, pohon se institucionet e Kosovës duhet të jenë më shumë të angazhuara sa i përket kësaj çështjeje.

"Është një situatë, e cila vazhdon të jetë rezultat i proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova. Aktualisht, këtu kemi parasysh ngjarjet dramatike lidhur me debatin në Këshillin e Sigurimit dhe situatat e tjera nëpër të cilat mendoj se është e nevojshme që faktori institucional të jetë më fleksibil në situata të ndryshme", tha Hasani

Zoti Krasniqi potencon se fajtorë kryesorë për gjendjen e krijuar në Mitrovice janë misionet ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës. Por, sipas tij, Beogradi është ai që po i stimulon situatat e tilla.

"Padyshim që po të mos ishte Beogradi financues, kjo nuk do të shkonte në këtë drejtim. Pa asnjë dyshim tjetër këtu janë edhe institucionet e Kosovës, të cilat nuk kanë asnjë projekt, me të cilin do t'u ishin qasur serbëve të Kosovës në përgjithësi dhe serbëve të veriut në veçanti”.

“Në anën tjetër, edhe UNMIK-u, padyshim, është fajtor jashtëzakonisht i madh, për arsye se ka toleruar për nëntë vjet një gjendje te tillë të serbëve të Kosovës, të cilët kanë formuar institucione paralele, organe paramilitare dhe e tëra kjo është lejuar", theksoi Krasniqi.

Për zotin Hasani, institucionet ndërkombëtare në Kosovë janë të interesuara në ndryshimin e gjendjes, por, sipas tij, ekziston mungesa e hapësirës për të vepruar.

"Nga mbetjet e UNMIK-ut dhe nga EULEX-i që është në fazën e konsolidimit, ka pafuqi, ka mungesë të hapësirës për të vepruar, për faktin se pjesët e militarizuara të kësaj treve të Kosovës vazhdojnë t'i mbajnë sytë nga Beogradi, përkatësisht të marrin mesazhe nga qarqet militariste në Beograd", u shpreh Hasani.

Analisti Krasniqi thotë se krahas problemeve politike me të cilat institucionet kosovare po përballen në veriun e Mitrovicës, nga një gjendje e tillë, Kosova do të humbë shumë edhe në aspektin ekonomik

“Edhe dëmet ekonomike janë shumë të rënda, sepse, sikundër dihet, atje nuk ka dogana. Atje po lulëzon kontrabanda dhe krimi i organizuar, kështu që edhe kjo paraqet një rrezik për stabilitetin e Kosovës edhe ekonomik, por edhe politik, meqë fuqia që merr krimi i organizuar përmes parave të pista, në të ardhmen nëse vazhdon, mund të shndërrohet në një fuqi të ndikimit politik", pohon Krasniqi.

Kosova tash është shtet i pavarur, por misioni i Kombeve të Bashkuara, që e administroi vendin për 9 vjet, vazhdon ende t'i kryejë funksionet e njëjta në pjesën veriore. Në ndërkohë, misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit ende nuk ka filluar të funksionojë si duhet.
XS
SM
MD
LG