Ndërlidhjet

Topi: Pavarësia e Kosovës - ngjarja më historike në rajon


Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme, e ka cilësuar pavarësinë e Kosovës si ngjarjen më të madhe historike, si dhe zhvillimin më të rëndësishëm politik në Ballkan. Ai tha se ky proces është i pakthyeshëm dhe u kërkoi vendeve anëtare të OKB-së që ta pranojnë Kosovën sa më shpejt në OKB.

"Shqipëria e konsideron krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës si ngjarjen historike dhe zhvillimin më të rëndësishëm politik të këtij fillim-shekulli në rajonin ballkanik. Kosova e pavarur dhe demokratike, e orientuar drejt integrimit euroatlantik, është zgjidhja më e drejtë dhe e qëndrueshme dhe përbën simbolin e investimit më të suksesshëm të komunitetti ndërkombëtar", ka thënë Topi.

Presidenti shqiptar ka thënë se pavarësia e Kosovës paraqet stabilitet jo vetëm Ballkanin, por edhe më gjerë.

"Pavarësia e Kosovës e çliron përfundimisht këtë pjesë të Evropës nga makthi i luftës, i konflikteve ndëretnike, i spastrimeve e gjenocidit etnik, përmbush dhe respekton vullnetin e lirë të një populli. Kosova nuk udhëhiqet më nga Jugosllavia e dështuar, as nga jugosllavët e rinj të moderuar, por nga parimet e Evropës së civilizuar dhe të OKB-së së universalizuar", tha Topi.

Presidenti Topi, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme, ka shprehur besimin e tij të thellë në një Kosovë multi-etnike, ku, siç ka thënë, të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, do të ndjejnë Kosovën atdhe të tyre. Ai tha se kjo mundësohet edhe nga Kushtetuta e Kosovës.

"Kushtetuta e re e Kosovës dhe Paketa Ahtisaari përmbushin standardet më të larta të të drjetave të njeriut dhe ofrojnë mbrojtje të gjerë për të gjithë komunitetet që jetojnë nën Kosovë, në veçanti për serbët e Kosovës", tha Topi.

Ai përsëriti qëndrimin se Shqipëria i konsideron të pabaza përpjekjet për të vendosur paralele midis Kosovës dhe rajoneve të Gjeorgjisë, Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut.

"Argumente të panumërta historike, juridiko-kushtetuese, politike, demografike, etj., dëshmojnë se rasti i Kosovës është unik dhe zgjidhja e zbatuar për të është unike. Shqipëria është e bindur se njohja e shtetit të ri të Kosovës është në interes të Kosovës, të Shqipërisë, të Serbisë dhe të gjithë fqinjëve të afërt ose të largët të saj, të Evropës dhe të hapësirës mesdhetare",
tha presidenti Topi.

Ai ka kërkuar të pranohet realiteti dhe Kosova të jetë sa më shpejt anëtare e OKB-së.
XS
SM
MD
LG