Ndërlidhjet

Rexhepi: UNMIK-u ka dështuar në Mitrovicë


Bajram Rexhepi
Bajram Rexhepi

"UNMIK-u ka dështuar në Mitrovicë, andaj përfundimi sa më i shpejtë i këtij misioni, do të ndikojë pozitivisht për zhvillimin e qytetit", thotë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në raportin e tij të fundit, tërheq vëmendjen se ndarja e qytetit të Mitrovicës mund të thellohet. Çfarë mendoni ju?

BAJRAM REXHEPI
Ata kanë ngritur disa shqetësime serioze në shenjë kritike ndaj misionit të UNMIK-ut, i cili nuk ka bërë mjaft për të vendosur rendin dhe ligjin dhe ka toleruar strukturat paralele që të veprojnë dhe ky është një sinjal i keq.

Prandaj, unë më shumë e kuptoj si një kritikë ndaj UNMIK-ut, si një ngritje e shqetësimit, sesa si një realitet, për arsye se Kosova është shtet sovran, i pavarur, i pranuar ndërkombëtarisht nga një numër i madh i shteteve dhe nuk ka gjasa për ndarjen.

Mirëpo, funksionimi i disa funksioneve qendrore është i vështirësuar në pjesën veriore. Pra, edhe një herë them se është më tepër ngritje e shqetësimeve dhe një kritikë që UNMIK-u dhe në të ardhmen edhe EULEX-i të bëjnë më tepër që të vendoset rendi dhe ligji në pjesën veriore.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se UNMIK-u ka dështuar në Mitrovicë?

BAJRAM REXHEPI
Ka dështuar. Këtë e kanë pranuar publikisht para disa muajsh - zoti Joachim Ruecker kur pati thënë se nuk ka bërë mjaft UNMIK-u në tetë vjetët e kaluar dhe nëse e përkthejmë në gjuhën e rëndomtë, i bie që kanë dështuar.

RADIO EVROPA E LIRË
EULEX-i pritet të vendoset në tërë Kosovën, ndërkohë që problem mbetet akoma Mitrovica. Si mendoni ju se do të duhej të punohej për vendosjen e EULEX-it në veri të Mitrovicës?

BAJRAM REXHEPI
Janë duke punuar, janë duke provuar që të gjejnë modalitete se në çfarë forme më të lehtë të vendoset. Pos tjerash, ka edhe bisedime në mes të krerëve të UNMIK-ut, zotit Zannier, dhe strukturave shtetërore të Serbisë, që ata të mos bëjnë pengesë.

Pritet realisht që deri në fund të tetorit ose deri në fund të vitit të vendoset misioni i EULEX-it edhe në pjesën veriore dhe të marrë situatën në dorë sa i përket policisë, gjyqësisë dhe doganave dhe kjo është e pritshme dhe duhet të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbët e veriut kundërshtojnë institucionet e Kosovës sikurse edhe ato ndërkombëtare. Sa është vështirë për ju që të menaxhoni qytetin e Mitrovicës si kryetar i komunës?

BAJRAM REXHEPI
Realisht është vështirë. Ka qenë edhe e pritshme që ata të kundërshtojnë çdo gjë që është nga institucionet e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare, sidomos këto evropiane dhe pas shpalljes së pavarësisë, mirëpo, megjithatë, funksionimi në Mitrovicë është i vështirë.

Unë kryesisht e kryej funksionin në ato pjesë që janë në përgjegjësinë time. Pjesa veriore e Mitrovicës dihet se menaxhohet për momentin nga UNMIK-u nëpërmjet një këshilli multi-etnik dhe po ashtu edhe strukturat paralele, dhe unë aty nuk kam ingirenca.

Megjithatë, ne jemi të interesuar që qytetarëve të komunitetit shqiptar dhe komuniteteve tjera joserbe t’u dalim në ndihmë ose t’i përkrahim me projekte të ndryshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa po ndikon në fakt ndikimi i Beogradit te serbët në këtë problem?

BAJRAM REXHEPI
Faktikisht, është e njohur botërisht se janë të instrumentalizuar dhe janë drejtpërdrejt nën direktivat e tyre nëpërmjet Qendrës Koordinuese dhe Këshillit Nacional Serb, sidomos në pjesën veriore.

Janë drejtpërdrejt nën urdhrat e Beogradit dhe ata nuk mund ta heqin përgjegjësinë për këto qëndrime jodemokratike, për refuzim të vendosjes së rendit dhe të ligjit, për arsye se kanë edhe interesin e tyre që strukturat e caktuara, që janë jashtë ligjit, të bëjnë aktivitete të ndryshme kriminele, qoftë të krimit ekonomik, qoftë të formave të tjera, dhe ajo atyre u konvenon, sepse me vendosjen e rendit dhe të ligjit, nuk mund të funksionojnë strukturat paralele të sigurisë, kontrabandimi dhe shumë çështje të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se duhet të ekzistojë një vendim i prerë nga bashkësia ndërkombëtare sa i përket këtyre akteve kriminale, siç i quani ju?

BAJRAM REXHEPI
Ajo ka qenë domosdoshmëri, mirëpo ka qenë edhe jogatishmëri e vazhdueshme e UNMIK-ut dhe mu në këtë pjesë të Kosovës, në pjesën veriore, ata kanë humbur kredibilitetin më së tepërmi.

Kredibiliteti i tyre është në nivel shumë të ultë dhe nuk pres që tash, në fazën kur ekziston një konfuzion nga ata dhe janë në fazën e rikonfigurimit, që të përmirësojnë imazhin e tyre. Prandaj, jo rastësisht kam thënë se sa më shpejt të përfundojnë misionin e tyre, do të jetë më mirë për të gjithë.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni pasur ju mbështetjen e nevojshme nga autoritetet qendrore të Kosovës?

BAJRAM REXHEPI
Definitivisht kam pasur përkrahje të mjaftueshme edhe politike, edhe me donacione nga niveli qendror. Faktikisht, ato donacione janë gati sa krejt buxheti i Mitrovicës dhe tash së fundi edhe 2 milionë euro për disa projekte në pjesën veriore, që është me rëndësi për të gjithë qytetarët në pjesën veriore, në veçanti për komunitetin shqiptar dhe të hiqet ai percepcioni psikologjik i qytetarëve se pjesa veriore është tabu e paprekshme.

Me këtë duam të dëshmojmë se edhe ajo është territor i Kosovës, edhe aty do t’i shtrijmë ingirencat, do të kujdesemi për të gjithë qytetarët dhe gradualisht, pas thyerjes së këtij akulli nëse mund të thuhet, procesi duhet të vazhdojë në mënyrë më të lehtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni t’i implementoni këto projekte?

BAJRAM REXHEPI
Po, janë projektet konkrete. Projekti i ujësjellësit do të ndodhë. Ka qenë e gatshme edhe alternativa, janë siguruar edhe mjetet, por për shkak të procedurave që duhet t’i respektojmë, ky projekt duhet të shkojë nëpërmjet Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe Mbrojtjes së Ambientit.

Tenderi, nëse s’ka dalë, del të hënën. Projekti është i gatshëm dhe tenderimi ka qenë i gatshëm. Mendoj se me procedurë të përshpejtuar, brenda tetorit do të fillojë ky projekt.

Do të jetë asfaltimi i rrugës për Vidimriq, një pjesë e rrugës për Kroin e Vitakut, ku Ministria për Kthim dhe Komunitete ka premtuar se do të financojë ndërtimin e nëntë shtëpive.

Në Lagjen e Doktorëve janë duke u ndërtuar pa probleme të mëdha fillimisht 8 shtëpi, me mundësi që edhe disa shtëpi të tjera, për arsye se janë ofruar donatorë të ndryshëm që të japin material ndërtimor falas dhe nëse japin e rrisin numrin e përfituesve të këtyre donacioneve. Këto janë nga niveli komunal sa i përket Lagjes së Doktorëve.

Do të ndërtohet një urë në fshatin Suhodoll, urë e dimensioneve normale që mund të kalojë me tonazhe deri në 20 tonë, për arsye se do të jetë domosdoshmëri për bartjen e materialit ndërtimor për Kroin e Vitakut dhe do të jetë një komunikim më i mirë. Do të vazhdojë po ashtu asfaltimi i rrugës nga Gushavci, Vinarci dhe ka po ashtu edhe projekte të tjera, të cilat, varësisht nga fondet, do t’i zhvillojmë.

XS
SM
MD
LG