Ndërlidhjet

Së shpejti, emërimet e reja në polici


SHPK
SHPK

Zyrtarët institucionalë pohojnë se pas formimit të Komisionit për Emërime të Larta dhe Disiplinë, pritet të bëhen emërimet e reja në Policinë e Kosovës. Ekspertët për siguri thonë se Ministria e Punëve të Brendshme është vonuar në ristrukturimin e udhëheqjes së policisë.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë se pas formimit të Komisionit për Emërime të Larta dhe Disiplinë, pritet që së shpejti të bëhen emërimet e reja në udhëheqjen e Policisë së Kosovës. Fisnik Rexhepi, këshilltar i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pohon se të gjitha emërimet e reja do të bëhen bazuar në Ligjin e policisë.

“Ministri i Punëve të Brendshme, javën e ka kaluar, ka nënshkruar vendimin për themelimin e Komisionit për Emërime të Larta dhe Disiplinë. Ky komision do të përkrahet në çështjet administrative edhe nga sekretaria. Tanimë i mbetet komisionit që t'i përcaktojë kriteret dhe proceduarat për të hyrë në fazën e ardhshme të emërimeve në Policinë e Kosovës", tha Rexhepi.

Zoti Rexhepi bën të ditur se MPB-ja ka ftuar mekanizmat ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë, të vëzhgojnë mbarëvajtjen e emërimeve të reja në polici. Ai vlerëson se emërimet e reja do të sjellin ndryshime dhe profesionalizëm më të madh në policinë kosovare.

“Tani ne jemi në proces të ngritjes së vazhdueshme të kapaciteteve të Policisë së Kosovës. Jemi në proces të marrjes së përgjegjësive. Ne e mirëpresim edhe ardhjen e misionit të EULEX-it, që do të ketë rolin monitorues këshillues dhe ne presim që Policia e Kosovës t’i marrë të gjitha përgjegjësitë e saj që i takojnë edhe me Kushtetutë, edhe me Ligjin e ri për polici", tha Rexhepi.

Mirëpo, eksperti për çështje të sigurisë, Ramadan Qehaja, mendon se emërimet e reja dhe ristrukturimi i Policisë së Kosovës është dashur të bëhet edhe më herët. Për një gjë të tillë, Qehaja konsideron se MPB-ja është vonuar.

“Ndryshime rrënjësore në Policinë e Kosovës duhet të ketë, duke filluar nga stafi menaxhues e deri te ai polici më i thjeshtë që vepron në bazë. Mendoj që ky ka qenë momenti i fundit që të fillohet me një gjë të tillë dhe kjo ka qenë e pritur që më herët. Ne e kemi të formuar që 4 vjet MPB-në dhe deri më tash nuk është bërë asnjë lëvizje me qëllim të ndërrimit eventual të stafit komandues në polici", tha Qehaja.

Nga ana tjetër, Sheremet Ahmeti, mendon se me emërimet e reja, Policia e Kosovës do të ketë suksese edhe më të mëdha në punën e saj.

“Policia e Kosovës do të udhëhiqet nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe është plotësisht në kuptimin e asaj përgjegjësie ndaj institucioneve të vendit. Dhe, normalisht, do t'i kemi edhe monitoruesit, por Policia e Kosovës do të mëvetësohet dhe punët e saj do t’i realizojë konform ligjit që është i paraparë", theksoi Ahmeti.

Sido që të jetë, zyrtarë të misionit EULEX në Kosovë, të cilët do të kenë kompetenca në gjyqësi, polici dhe dogana, kanë përgatitur një listë të standardeve, të cilat duhet t’i përmbushë Policia e Kosovës, në mënyrë që të arrijë një shkallë të nevojshme të profesionalizmit. Lista përmban pika që kanë të bëjnë me përgjegjshmërinë, shumetnicitetin, si dhe lirimin nga ndikimet politike të sektorit të policisë dhe të tjera.
XS
SM
MD
LG