Ndërlidhjet

logo-print

Autoritetet e UNMIK-ut nisin punën në gjykatën në veri


Gjykata në Mitrovicë, e rrethuar nga protestuesit serbë, 14 mars 2008.

Gjykata në Mitrovicë, e rrethuar nga protestuesit serbë, 14 mars 2008.

Administrata e OKB-së në Kosovë ka paralajmëruar se nga e premtja, me kapacitete të limituara, nis punën gjykata në veri të Mitrovicës. Zëvendësshefi i UNMIK-ut, David Harland, tha se funksionalizimi i plotë i gjykatave në veri pritet të bëhet deri në fund të vitit.

Gjykata në Mitrovicë do të nisë punën me trajtimin e rastit të parë nga e premtja, kanë konfirmuar sot zyrtarët e UNMIK-ut. Dy gjykatës dhe dy prokurorë ndërkombëtarë do të nisin punën në këtë gjykatë, e cila që nga 17 marsi ishte mbyllur.

Zëvendësshefi i UNMIK-ut, David Harland, tha sot gjatë një konference të përbashkët me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, dhe përfaqësuesen serbe, Rada Trajkoviq, të mbajtur në Çagllavicë, se kthimi i rendit në gjykatat në veri të Kosovës, parashihet të zhvillohet në disa faza.

“Në dhjetor ne do të fillojmë me fazën e dytë, kur do të sjellim në Mitrovicë gjykatës e prokurorë kosovarë, si nga radhët e shqiptarëve, ashtu edhe të serbëve”, tha Harland.

Ai shpresonte se deri në fund të vitit, gjykatat në veri do të jenë plotësisht funksionale.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, tha se pavarësia e Kosovës nuk ka zgjidhur asnjërin nga skenarët e këqij për këtë qytet, që nisnin nga ndarja, trazirat dhe dhuna.

Rexhepi tha se përkundër shumë problemeve në këtë pjesë të Kosovës, udhëheqësia në Mitrovicë ishte treguar e përmbajtur dhe në vazhdimësi e ka ftuar edhe komunitetin serb që të integrohet dhe të përfillë zbatimin e rendit ligjor, për t’u shmangur nga skenarët e Beogradit.

Në vazhdim, Rexhepi tha se edhe administrata e UNMIK-ut ishte e paaftë që të përballet me zgjidhjen e problemeve. Rexhepi tha se gjendja, megjithatë, nuk është e pariparueshme dhe se integrimi i qytetit mund të ndodhë nëse ka politika efikase nga autoritetet vendore e ndërkombëtare.

“Në veri, hapat afatshkurtër do të duhej të përcillnin rastin pozitiv të hapjes së gjyqit. Por, nuk duhet harruar që çështja e gjyqit është pjesë e pakos së problemeve, ku përfshihet policia dhe çështja e doganave, të cilat duhet të adresohen tani nëse synohet një sukses më i plotë”, tha Rexhepi.

Ndërkohë, përfaqësuesja serbe në këtë konferencë, Rada Trajkoviq, tha se shumë çështje që kanë të bëjnë me komunitetin serb, përfshirë edhe gjykatat, kërkojnë edhe përfshirjen e Beogradit, në mënyrë që funksionimi i institucioneve të akceptohet edhe nga serbët.

Mendoj se është e nevojshme një marrëveshje dhe janë të nevojshme konsultimet dhe bashkëpunimi ndërmjet Prishtinës e Beogradit”, tha Rada Trajkoviq, duke kërkuar që zgjidhja e problemeve të bëhet mbi baza reale.

Ajo tha se nuk pajtohet me veprimet e serbëve në veri, si djegia e doganave, kontrabanda e tjera, pavarësisht se nuk e përkrahte pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq, Bajram Rexhepi kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë me dije Beogradit se nuk është ai që vendos për të ardhmen e Kosovës dhe Mitrovicës.

“Veriu nuk mund të mbesë peng i dilemave apo negociatave të Beogradit për një rrugë më të favorshme apo më të shpejtë për në Evropë. Nëse Beogradi e ka seriozisht orientimin evropian, atëherë veten duhet ta dëshmojë tash, duke qenë partner evropian në Kosovë”,
theksoi Rexhepi.

Sidoqoftë, në konferencën e sotme, u tha se në veri të Kosovës ka një kaos. Zëvendësshefi i UNMIK-ut, David Harland, tha se atje nuk ka zbatim të ligjit dhe se aktualisht mund të bësh edhe shkelje ligjore, por nuk ka ligj mbi të cilin shqiptohen sanksionet.

Ndërsa UNMIK-u është në proces të rikonfigurimit, Harland nuk ka konfirmuar asgjë nëse pas UNMIK-ut, në fund të vitit, në veri të Kosovës do të ketë një shtrirje të EULEX-it, si mision që merr përgjegjësitë në fushën e policisë dhe drejtësisë në Kosovë.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG