Ndërlidhjet

Thaçi: Njohjet nga Shkupi e Podgorica thellojnë paqen në rajon


Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përshëndetur vendimet e Maqedonisë dhe Malit të Zi për njohjen e Kosovës së pavarur. Thaçi tha se tani rajoni po ndërton një paqe e stabilitet edhe më të qëndrueshëm dhe po tregon orientim të qartë bashkëpunimi drejt integrimeve euroatlantike

Njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga fqinjët e saj, Mali i Zi dhe Maqedonia, do ta thellojë edhe më tepër stabilitetin dhe paqen në rajon, ka thënë sot kryeministri Hashim Thaçi.

Duke përshëndetur vendimet e Shkupit dhe Podgoricës, kryeministri Thaçi tha se tash është hapur një perspektivë e re e bashkëpunimit në rajon, me synime të përbashkëta për integrime në strukturat euroatlantike.

“Vendimi i Malit të Zi dhe i Maqedonisë për Kosovën shtet e forcon edhe më tepër paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal, por edhe lehtëson dhe përshpejton integrimin e vendeve tona në strukturat e BE-së dhe në NATO”.

“Kosova do të ndërtojë raporte të shkëlqyeshme me të gjitha vendet e rajonit. Tash presim dhe do të punojmë që të kemi veprime konkrete bashkëpunimi si shtete në kuptimin bilateral dhe multilateral”.

Kryeministri Thaçi tha se vendimet e Malit të Zi dhe Maqedonisë nuk duhet shikuar si të drejtuara kundër Beogradit apo ndonjë vendi tjetër. Këto pozicione, sipas kreut të Qeverisë së Kosovës, tregojnë përcaktimin e qartë të vendeve në rajon, që janë të orientuara drejt integrimeve evropiane.

Thaçi tha se në një të ardhme jo të largët, beson se edhe Prishtina dhe Beogradi do të mund të bashkëpunojnë dhe zhvillojnë raporte të mira ndërfqinjësore.

“Beogradi nuk e përcakton as zymtësinë, as gëzimin për Prishtinën dhe kjo definitivisht duhet të largohet nga mendja e njerëzve në Kosovë. E ardhmja e Kosovës ndërlidhet drejtpërdrejt me strukturat e BE-së, NATO-s dhe bashkëpunimin special me SHBA-të”.

“Por, Prishtina është e gatshme të bashkëpunojë me autoritetet e Serbisë për interesa të përbashkëta të dy vendeve tona, të qytetarëve tanë, për paqen, stabilitetin në rajon. Në Beograd veç ka zëra pro pavarësisë së Kosovës dhe ato zëra do të rriten, gjë të cilën ne e mirëpresim”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Njohja e Kosovës nga vendet fqinje të dala nga ish-Federata e Jugosllavisë është cilësuar në vazhdimësi në Prishtinë si një shtytje përpara në gjithë procesin e njohjes së Kosovës së pavarur.

Për Kosovën ky ishte një lehtësim, aq më tepër kur njohjet nga fqinjët erdhën vetëm një ditë pasi që në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ishte votuar pro rezolutës serbe për mendimin këshillëdhënës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në lidhje me pavarësinë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG