Ndërlidhjet

Bush shpall planin për shpëtimin e bankave


Presidenti amerikan George Bush ka shpallë një plan me të cilin qeveria amerikane do blejë aksione në banka për të siguruar stabilitetin e sistemit bankar.

Bush ka thënë se qeveria do të garantojë kreditë ndër-bankare për të ringjallë tregun e kredive.

"Qeveria federale do të përdorë një pjesë të planit të shpëtimit financiar prej 700 miliardë dollarësh për të injektuar kapital në banka duke blerë aksione. Ky kapital i ri do t'u ndihmojë bankave të shëndosha që të vazhdojnë të japin kredi bizneseve dhe konsumatorëve. Kapitali ri do t'u ndihmojë bankave me telashe, që të mbushin vrimat e krijuara nga humbjet gjatë krizës financiare, kështu që ato do të rinisin me kreditë", tha Bush.

Zyrtarët kanë thënë më herët se qeveria do të blejë aksionet në bankat me telashe, përfshirë disa nga bankat më të mëdha, në një vlerë totale prej 250 miliardë dollarësh.

Plani për të blerë aksione kthen mbrapshtë qëndrimin e qeverisë amerikane që deri tash ishte fokusuar në blerjen e borxheve të këqija të bankave.

Disa qeveri evropiane kanë shpallë plane të njëjta të hënën, për të blerë aksione në banka, dhe për të ofruar garanci në një vlerë totale prej 1. 7 trilionë euro.

Të hënën bursat amerikane u rritën në më shumë se 11 për qind duke lënë pas javën më të keqe ndonjëherë.

Edhe tregjet në botë kanë reaguar pozitivisht.
XS
SM
MD
LG