Ndërlidhjet

“Kosova kërkon pjesëmarrje në GJND”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EXPRESS
Pasi e kishte të pamundur të ndalë rezolutën serbe në Asamblenë e OKB-së, Kosova tash po kërkon t’i lejohet pjesëmarrja në Gjykatën e Hagës për t’u ballafaquar drejtpërdrejt me argumentet legale të Serbisë kundër pavarësisë së vendit. Kërkesën zyrtare për pjesëmarrje e ka bërë të mërkurën ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, më anë të një letre drejtuar GJND-së. Këtë e ka konfirmuar për Express, këshilltari politik i ministrit, Kujtim Shala. “Letrën e kemi dërguar në Gjykatën e Drejtësisë me fax dhe me postë. Kur do të marrim përgjigje, nuk e dimë”, ka thënë ai. Tash për tash, zyrtarët kosovarë nuk janë të sigurt nëse Gjykata do të lejojë pjesëmarrjen e Kosovës, për shkak se shteti i ri nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara...

EPOKA E RE
Presidenti i Komisionit Evropian, Jose-Manuel Barroso, ka deklaruar në Bruksel se është fakt se Kosovën e kanë njohur shumica dërrmuese e shteteve të Bashkimit Evropian dhe ka shtuar se “kjo është dëshmi se ky rast nuk mund të shërbejë si precedent për rajonet separatiste të Gjeorgjisë – Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë”. “Që nga fillimi kemi thënë se Kosova nuk mund të krijojë precedent. Konsiderojmë se nuk duhet tërhequr asnjë lloj paraleleje mes situatës në Kosovë dhe rajoneve separatiste të Gjeorgjisë”, ka thënë Barroso pas takimit që ka zhvilluar me presidentin e Gjerogjisë, Mikhail Saakashvili... Saakashvili, ndërkaq, ka thënë se dallimi qëndron në faktin se “NATO-ja ka hyrë në Kosovë për ta penguar një spastrim etnik, ndërsa Rusia ka ardhur në Gjeorgji për ta kryer një spastrim etnik...”

KOSOVA SOT
Procesi i shuarjes së TMK-së dhe ndërtimi gradual i bazës së parë të FSK-së tash është një proces, i cili ka filluar krahas afatit për aplikim në FSK. Ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, tha se procesi i selektimit ka filluar. “Presim që në mes të datës 15 nëntor dhe 15 dhjetor të këtij viti të zgjedhim liderët kyçë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe besojmë shumë që në janar të vitit 2009 të mund të fillojmë me trajnimet e para të pjesës tjetër të FSK-së”, tha ministri Fehmi Mujota. Këto parashikime ai i bëri të mërkurën pas takimit që zhvilloi me një delegacion prej 15 anëtarësh të Komisionit të Mbrojtjes së Parlamentit të Finlandës...

LAJM
Zyrtarët e Aleancës Kosova e Re kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të heqë dorë nga kultura e shantazhit që ka aplikuar deri më tani në përballjen me problemet sociale në vend. Ismet Mulaj, anëtar i Kryesisë së AKR-së, tha të mërkurën se është shndërruar në praktikë të qeverisë plotësimi i kërkesave sindikale vetëm pas presionit sindikal. Kjo metodë, sipas tij, po aplikohet nga qeveria në mungesë të vizionit dhe programit për zgjidhjen e këtyre problemeve. “Në vazhdën e shumë arnimeve, qeveria bëri edhe arnimin e radhës, duke i plotësuar kërkesat e Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë, pas atyre të Arsimit dhe të Policisë”... Për zgjidhjen e këtyre problemeve, AKR-ja kërkon nga qeveria që ta iniciojë hartimin e Ligjit për paga, si dhe të dokumentit strategjik për reformën në shërbimin civil...

ZËRI
Dy liderët e opozitës, Ramush Haradinaj dhe Nexhat Daci, kanë kritikuar dje mjaft ashpër Qeverinë e Kosovës në lidhje me angazhimet e saj si në politikën e jashtme, por edhe në çështjet e brendshme pas thellimit të krizës sociale në vend. Opinionet e tyre, Haradinaj e Daci i bënë dje pas takimeve të ndara që zhvilluan me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Mishel Gifoni. Përderisa përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës e kanë vlerësuar dje si të suksesshme punën e tyre në përgatitjen e ekipit të Kosovës që do ta përfaqësojë vendin para GJND-së, kryetari i AAK-së, Haradinaj, shprehet i pakënaqur me punën e qeverisë lidhur me lobimin për pavarësinë dhe mbrojtjen e argumenteve për Kosovën e pavarur... Ndërkaq, kryetari i LDD-së, Nexhat Daci, është përqendruar në aspektet e brendshme, duke vlerësuar se kjo qeveri nuk ka program për të rimëkëmbur ekonominë kosovare, shëndetësinë dhe çështjet sociale...

INFOPRESS
Kosova shumë shpejt do të ndërtojë raporte bilaterale me botën arabe, në mënyrë që të ndërtohen raporte të shkëlqyeshme. Këto komente i ka bërë të mërkurën, në Prishtinë, kryeministri i vendit Hashim Thaçi, gjatë një konference për media. Me këtë rast, Thaçi ka falënderuar Qeverinë e Emirateve të Bashkuara për njohjen e Kosovës shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Sipas Thaçit, njohje e Kosovës nga ana e Emirateve të Bashkuara Arabe ka ardhur pas punës intensive të diplomacisë së Kosovës në drejtim të njohjes së pavarësisë edhe nga bota arabe... Kryeministri Thaçi shtoi se pas njohjes së pavarësisë edhe nga fqinjët, Mali i Zi dhe Maqedonia, për Republikën e Kosovës priten në të ardhmen e afërt edhe njohje të reja...

KOHA DITORE
Sir Michael Wood, ekspert i së drejtës ndërkombëtare publike nga Mbretëria e Bashkuar, do t’i prijë ekipit ligjor që do ta “mbrojë” pavarësinë e Kosovës para Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë, është bërë e ditur të mërkurën në Prishtinë. Lajmi është konfirmuar, me kënaqësi të madhe, nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në prani edhe të presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi. Për zgjedhjen e Woodit, kosovarët kanë konsultuar edhe partnerët ndërkombëtarë dhe ekspertët ligjorë... Eksperti britanik, sipas një biografie që i ka lexuar Thaçi, është paraqitur para GJND-së shuam herë dhe ka punuar në shuam raste të njohura të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Mendimin Këshillëdhënës të GJND-së për pasojat ligjore të ndërtimit të murit në territorin e okupuar palestinez...

BOTA SOT
Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu, takoi një delegacion të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje të Senatit francez, të kryesuar nga z.Andre Trillard. Presidenti Sejdiu e vlerësoi lart përkushtimin e vazhdueshëm të Francës për të mbështetur Kosovën. “Është shumë me rëndësi se niveli i bashkëpunimit ndërinstitucional, në këtë kuadër edhe ndërmjet parlamenteve të të dy vendeve, është i shkëlqyeshëm...”, theksoi Sejdiu pas këtij takimi. Ndërsa, Andre Trillard, duke u angazhuar për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Parlamentit francez dhe Kuvendit të Kosovës, theksoi të kenë ardhur në Kosovë që të ridëshmojnë mbështetjen e Francës për Kosovën...
XS
SM
MD
LG