Ndërlidhjet

Pakoja e Ahtisaarit - kompromisi më i madh


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Zyrtarët e institucioneve të Kosovës thonë se nuk do të pranojnë asnjë lloj kompromisi me Beogradin, sa i përket çështjes së statusit të Kosovës. Ndërkaq, partitë opozitare mendojnë se ka hapësirë për gjetjen e kompromisit për çështjet e padefinuara Prishtinë-Beograd.

Prishtina zyrtare nuk do të pranojë asnjë lloj kompromisi me Beogradin që del jashtë pakos së presidentit Ahtisaari. Kështu thonë zyrtarë të institucioneve shtetërore të Kosovës, të cilët përjashtojnë mundësinë për arritjen e një kompromisi me shtetin serb, i cili do të rihapte çështjen e statusit të Kosovës.

Sidoqoftë, dialogu indirekt Prishtinë-Beograd, i moderuar nga administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka vazhduar me qëllim të gjetjes së një konsensusi për 6 çështjet e pazgjidhura ndërmjet dy vendeve, e që kanë të bëjnë me policinë, doganat, gjyqësinë dhe të tjera.

Lidhur me këtë, OKB-ja ka angazhuar, kohë më parë, një ndërmjetësues të ri, zelandezin Andrew Ladley, i cili pritet të hartojë një dokument që përmban një tablo të kompromiseve për këto çështje. Zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Xhavit Beqiri, sqaron qëndrimin e Kosovës:

"Qëndrimi i institucioneve të Kosovës dhe i presidentit dihet - asnjë kompromis tjetër që del jashtë pakos së Ahtisaarit, as që mund të diskutohet dhe as që mund të merret parasysh nga pala kosovare".

"E dini që vetë pakoja e Ahtisaarit ka qenë një kompromis i dhembshëm për palën kosovare, kështu që as që mund të imagjinohet ndonjë kompromis tjetër. Ai ka qenë limiti i fundit mbi të cilin Prishtina zyrtare ka mundur të kalojë", thotë Beqiri.

Opozita kosovare pajtohet në parim në qëndrimin e institucioneve udhëheqëse të Republikës, por nuk përjashton mundësinë e arritjes së kompromisit për çështjet e ashtuquajtura teknike me shtetin serb.

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, mendon se ka hapësirë të gjendet një marrëveshje për temat e përcaktuara nga Sekretari Gjeneral i OKB-së, Ban Ki Moon.

"Bisedimet për status kanë përfunduar, kurse sa i përket bisedimeve teknike apo bisedimeve për çështje të tjera ndërmjet dy vendeve fqinje, natyrisht se ka hapësirë të bisedohet", shprehet Arifi.

Mirëpo, Arifi thekson se bisedimet me Beogradin zyrtar duhet të zhvillohen në cilësinë e shteteve të pavarura. Ai mendon se Kosova nuk duhet të pranojë asnjë lloj dokumenti që vë në pikëpyetje statusin e Kosovës.

"Çdo dokument që tenton të prekë ose të rihapë çështjen e statusit të Kosovës, është i papranueshëm dhe askush nuk mund t'i detyrojë institucionet e Kosovës dhe popullin e Kosovës që të rihyjë në këto bisedime",
mendon ai.

Ndërmjetësuesi aktual në dialogun për çështjet teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Andrew Ladley, aktualisht po qëndron në Beograd, për të zhvilluar takime me zyrtarë shtetërorë të Qeverisë serbe.

Temat e bisedimeve që Ladley është përcaktuar të zhvillojë me Prishtinën dhe Beogradin kanë të bëjnë me policinë, doganat, gjyqësinë, transportin, telekomunikacionin, menaxhimin e vijës kufitare, si dhe monumentet ortodokse të kultit.
XS
SM
MD
LG