Ndërlidhjet

logo-print

“EULEX-i me dy korniza ligjore në Kosovë”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOHA DITORE
Prishtina zyrtare ka shfaqur sërish kundërshtimin e saj lidhur me parimet, në bazë të të cilave misioni i BE-së për forcimin e sundimit të ligjit (EULEX) do të funksionojë në Kosovë. Përderisa EULEX-i vazhdon të thotë se është një mision teknik, i cili për të zbatuar mandatin e tij do të përdorë dy korniza ligjore, atë të Kushtetutës së Kosovës dhe rregulloret e UNMIK-ut, autoritetet kosovare e konsiderojnë këtë si çështje të ndjeshme, të hapur për interpretime. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, thotë se parimisht misioni evropian nuk guxon të jetë gjoja i painteresuar sa i përket gjendjes në Kosovë. Ai thotë se e gjithë puna e EULEX-it mbështetet në parimin e bashkëpunimit reciprok të këtij misioni me autoritetet kosovare, në të gjitha ato fusha ku do të punohet në forcimin e sundimit të ligjit...

KOSOVA SOT
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën duket se do t’i këndellë udhëheqësit e republikës sonë. Korrupsioni i lartë, administrata e pareformuar, trafiqet dhe krimi i organizuar, janë akuza të rënda, me të cilat duhet të përballen drejtuesit e shtetit. Raportet që bëhen nga Komisioni Evropian janë shumë serioze dhe të argumentuara fuqishëm. Mbi bazën e tyre vlerësohet se në ç’nivel është zhvillimi i shtetit dhe nxirren rekomandimet përkatëse. Qeveria ka arsye të forta për t’u brengosur në lidhje me kritikat e adresuara në këtë raport, që ende nuk u është dorëzuar zyrtarisht institucioneve tona. Niveli i lartë i korrupsionit në administratë, nëpër ministri, në kompanitë publike, është një faqe e errët, që do të ketë efekte negative në proceset integruese të vendit në rrugën drejt BE-së...

EXPRESS
Çmimorja e shërbimeve shëndetësorë, e cila përcakton shumën e pagesës që pacienti duhet ta ofrojë për t’u trajtuar në institucione shëndetësorë publike, lidhet ngushtë me Ligjin për sigurime shëndetësore. Ky ligj akoma nuk është i implementuar, por çmimorja assesi nuk do të futet në funksion pa u implementuar njëherë ky ligj, thonë zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë. “Qytetarët nuk duhet të kenë panik, sepse çmimorja nuk ka për qëllim t’i dëmtojë ata, kur dihet sa është e rritur papunësia dhe varfëria në Kosovë, por për shërbimet çfarëdo qofshin, çmimet e tyre do t’i paguajë sigurimi shëndetësor – varet aty ku ata do të jenë të siguruar”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Skënder Berisha...

BOTA SOT
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk është e përçarë. Ajo po punon në zhvillimin e reformave të paralajmëruara të saj, në suaza të normalitetit”. Këto komente i bëri nënkryetari i Kryesisë së LDK-së, Fadil Ferati, pas mbledhjes së fundit të Kryesisë së LDK-së. Ndërkohë, Ferati përjashtoi mundësinë e presioneve nga presidenti Sejdiu për ndryshime në Kryesi. “Nuk kishte propozim për shef të ri të ekzekutivit, por shumë shpejt LDK-ja do ta gjejë zëvendësimin. Mund të ketë pasur pakënaqësi po nuk ka qarë askush”, tha Ferati... Ndërkaq, Eqrem Kryeziu, nënkryetar i LDK-së, nuk ka dashur të diskutojë çështjen e dorëheqjes së Blerim Kuçit, duke theksuar kështu se ajo është dorëheqje e parevokueshme dhe “nuk kemi çka të kundërshtojmë apo të diskutojmë”...

ZËRI
Kuvendi i Kosovës zotohet se nuk do ta lë pa përkujdesje dhe të pasistemuar asnjë nga pjesëtarët aktualë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Komandanti i TMK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi është siguruar dje nga Komisioni parlamentar për siguri se shpërbërja e TMK-së nuk nënkupton lënien në rrugë të pjesëtarëve të këtyre trupave, por sistemimin e tyre sipas ligjeve, përmes pensionimit të parakohshëm apo edhe përmes inkuadrimit të tyre në policinë kufitare dhe në sektorin civil. Takimi djeshëm i Komisionit parlamentar për siguri me gjeneralin Selimi kishte për qëllim debatin dhe njoftimin e dyanshëm me zhvillimet në TMK pas miratimit të Ligjit për pensionimin e parakohshëm të TMK-së dhe Ligjit për Forcën e Sigurisë...

EPOKA E RE
Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë bërë të ditur se qëllimi i bisedimeve BE – Serbi dhe Beograd – OKB, është që misioni i EULEX-it të vendoset në tërë territorin e Kosovës dhe atë në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe nën patronazhin e OKB-së. Siç ka bërë të ditur një diplomat i lartë në Këshillin e Ministrave të BE-së në Bruksel, bisedimet edhe më tej po zhvillohen dhe është krejtësisht e qartë se qysh më 7 nëntor në seancën e KS të OKB-së do të mund t’i jepet “drita e gjelbër” për fillimin e operacioneve të vendosjes së 2000 policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it. “Plotësisht janë të qarta kushtet të cilat i ka paraqitur presidenti serb Boris Tadiq dhe duhet ta presim rezultatin e bisedimeve”, ka thënë zyrtari i lartë i BE-së, që është i përfshirë në rrjedhën e bisedimeve me Beogradin...

LAJM
Partitë opozitare të Kosovës kanë kritikuar të enjten Qeverinë për angazhim të pamjaftueshëm në integrimin e pakicave në shoqërinë kosovare. Ky vlerësim është bërë në qendrën mediale në fshatin Çagllavicë, ku është debatuar lidhur me atë se çfarë ofrojnë partitë opozitare për integrimin e pakicave në Kosovën shtet të pavarur e sovran. Opozita, edhe pse e vetëdijshme për vështirësitë e integrimit të komunitetit serb, për shkak të obstruksioneve të Beogradit, i cili përpiqet të sabotojë institucionet e Kosovës, vlerëson se ka hapësirë për të bërë më shumë. Nënkryetari i partisë më të madhe opozitare, AKR, Ibrahim Gashi, tha se opozita e ka dhënë provimin e saj për komunitetet me miratimin e ligjeve që dalin nga pakoja e Ahtisaarit, e që më shumë se 70 për qind prej tyre kanë të bëjnë me komunitetet...

INFOPRESS
Qeveria e Kosovës e ka gati pakon e saj për shërbyesit civilë në të cilën do të parashihet një ngritje e ndjeshme e pagave, shujta mujore, transporti i organizuar dhe rregullimi ligjor i statusit të shërbyesit civil. Burime mirë të informuara të gazetës brenda Qeverisë së Kosovës kanë bërë të ditur se është duke u shqyrtuar mundësia që ngritja e pagave për shërbyesit civilë të jetë një shifër jo shumë larg 10 përqindëshit. Nëse realizohet një ngritje prej 10 për qind, atëherë i bie që nëse koeficienti 5 i pagës së një shërbyesi civil rrogën mujore e ka pasur 155 euro bruto, nga janari do ta ketë 200 euro bruto...
XS
SM
MD
LG