Ndërlidhjet

McCain, Obama mbi politikën e jashtme


Barack Obama dhe John McCain
Barack Obama dhe John McCain

Të martën, më 4 nëntor, amerikanët do të zgjedhin presidentin e ri: demokratin Barack Obama apo republikanin JohnMcCain. Radio Evropa e Lirë ka biseduar me dy vëzhgues veteranë të politikës së jashtme amerikane, për të fituar idenë ç'mund të pritet nga Uashingtoni kur njëri nga kandidatët do të inaugurohet president më 20 janar, 2009.


McCain thotë se nuk do t'i tërheqë forcat amerikane nga Iraku, derisa të jetë i sigurt në fitore, pavarësisht se kur kjo mund të ndodhë.

Obama thotë se nëse kushtet lejojnë, ai do të fillonte t'i tërheqë forcat luftarake 16 muaj pasi të bëhet president, dhe t'i dërgojë në Afganistan.

Por, analistët kanë mendime të ndryshme nëse cilado nga këto strategji është e mjaftueshme për këto konflikte.

Michael Rubin, ekspert i politikës së jashtme në Institutin Amerikan Enterprise në Uashington, i tha Radios Evropa e Lirë se mënyra e vetme për të trajtuar Irakun dhe Afganistanin është ndërmarrja e një hapi shumë më të vështirë politik. Kjo, sipas tij, është rritja e mëtejme e ushtrisë amerikane në mandatin e ardhshëm presidencial.

"Pyetja kryesore është: Cila është madhësia e duhur e ushtrisë amerikane që do t'i trajtonte të dyja problemet? Kjo është diçka që mund të gjendet në tavolinën e presidentit Obama apo presidentit McCain
", thotë Rubin.

Ai thotë se arsyeja përse nevojitet shtimi i trupave amerikane është se partnerët e NATO-s janë treguar shumë të ngadalshëm në dërgimin e më shumë trupave luftuese në Afganistanin jugor.

Por, analisti tjetër, Alan Lichtman, thotë se ka pak gjasa për rritjen e ushtrisë amerikane. Lichtman, profesor i historisë politike amerikane në Universitetin Amerikan në Uashington, i tha Radios Evropa e Lirë se madje edhe në qoftë se ekonomia amerikane do të shkojë mirë, gjë që nuk po ndodh, do të ishte shumë e vështirë për Shtetet e Bashkuara që t'i rritin forcat e tyre.

"Të dy kandidatët do të donin t'i shmangin prioritetet drejt Afganistanit. Pak është e paqartë se ku do t'i gjejë McCain trupat që t'a rritë praninë ushtarake në Afganistan. Duket se të dy janë të përkushtuar për më shumë trupa, por kjo nuk do të ndodhë shpejt. Dikush mund të pyesë: si do ta shtoni ushtrinë dhe t'i mbani premtimet për t'i ulur taksat", thotë Lichtman.

Çështje tjetër është Irani. A do të jetë administrata e ardhshme më konfrontuese, apo më e gatshme për të biseduar me Teheranin?

Rubin pret më shumë diplomaci.

"Ronald Reagan njëherë ka thënë: 'Beso, por verifiko'. Që të dy, Obama dhe McCain do të provonin diplomacinë. Senatori McCain me siguri do të vinte më shumë theks te verifikimi. Senatori Obama me siguri më shumë do të nënvizonte besimin. Por, këtu shtrohet pyetja, çfarë do të bëjnë iranianët", thotë Rubin.

Po çka të bëhet me Rusinë?

Lichtman e sheh senatorin McCain si një ndër të fundit nga luftëtarët e Luftë së Ftohtë.

"Nëse besoni në botën bardh e zi, në të mirën dhe të ligën, atëherë McCain është kandidati që do të preferonit, sepse mendoj se kjo është mënyra me të cilën ai e sheh botën, për dallim nga Obama, i cili sheh edhe gri. Nuk mund ta imagjinoni Obamën të thotë: Pashë në sytë e Putinit KGB.
Obama është më i qetë, më i nuancuar se McCain. Këto janë dy pikëpamje shumë të ndryshme të botës së sotme dhe këta kandidatë nëse zgjedhen, do të veprojnë në këtë mënyrë",
thotë Lichtman.

Rubin, ndërkaq, thotë se reagimi i McCainit dhe Obamës ndaj invazionit të Rusisë në Gjeorgji është indikator i qasjeve të ndryshme që ata kanë. Asokohe McCain e quajti Rusinë agresor, ndërsa Obama u bëri thirrje të dy palëve që të shfaqin vetëpërmbajtje.

Megjithatë, dy analistët janë dakord se ajo që kandidatët thonë në fushatë, mund të mos jetë njëlloj me veprimin që do ta bënin si president. Ata kujtojnë fjalët agresive të Clintonit për ndaljen e dhunës në Bosnje gjatë fushatës në vitin 1992, i cili nuk intervenoi në Ballkan deri në vitin 1999.

Nga ana tjetër, në vitin 2000, Bushi tha se se do të kishte një politikë të jashtme "të përulur", por që doli krejtësisht ndryshe nga veprimet e fuqishme pas 11 shtatorit, 2001.
XS
SM
MD
LG