Ndërlidhjet

Scheffer: S'ka ndryshim të rolit të NATO-s


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, gjatë qëndrimit në Prishtinë, 4 nëntor 2008.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, gjatë qëndrimit në Prishtinë, 4 nëntor 2008.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, gjatë qëndrimit në Prishtinë, tha se roli i NATO-s në Kosovë nuk do të ketë ndryshime. Ai premtoi ndihmën e NATO-s në krijimin e FSK.

Prania e NATO-s në Kosovë nuk do të ndryshojë pavarësisht se cili nga dy kandidatët për president do të fitojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë, në Prishtinë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.

I shoqëruar edhe nga delegacioni prej 26 ambasadorëve nga Këshilli Veriatlantik, Scheffer ka zhvilluar takime me udhëheqës vendorë e ndërkombëtarë, ku, ndër të tjera, ai ka takuar edhe kryeministrin Hashim Thaçi, ministrin e FSK-së, Fehmi Mujota, shefin e ICO-së, Pieter Feith, si dhe komandantin e KFOR-it, Emilio Jussepe Gay.

Scheffer tha se nuk dëshironte të spekulonte për çështjet politike, por, siç tha ai, nga deklaratat e dy kandidatëve për president të Shteteve të Bashkuara, që të dy janë të përkushtuar ndaj NATO-s dhe misioneve ndërkombëtare.

“Përderisa jam këtu në Prishtinë, mund të them se e di përkushtimin që kanë Shtetet e Bashkuara në lidhje me operacionin e KFOR-it në Kosovë dhe nuk pres kurrfarë ndryshimi në këtë çështje”,
tha Scheffer.

Një nga interesimet e veçanta të Schefferit ishte formimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Për këtë çështje, ai tha se ka diskutuar edhe me autoritetet kosovare, duke ua bërë të qartë atyre se FSK-ja do të formohet mbi kriteret dhe standardet e NATO-s.

Ai tha se është përgjegjësi e NATO-s dhe e KFOR-it që ta krijojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës mbi mandatin që ka NATO-ja në Kosovë që mbështetet në Rezolutën 1244.

“NATO-ja asiston në shuarjen dinjitoze të TMK-së dhe formimin e FSK-së si strukturë demokratike, shumetnike”, tha Scheffer.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s e ka mohuar që KFOR-i mund të ketë ndonjë mandat tjetër që buron nga pakoja e Ahtisaarit. Ai tha se ka vende anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur Kosovën e pavarur, por kjo, sipas tij, nuk ka ndikuar aspak në punën dhe angazhimin e KFOR-it.

Ai e ka çmuar lartë edhe rolin e udhëheqësve të Kosovës në këtë fazë të zhvillimeve politike. Ndërkaq, KFOR-i do të vazhdojë të garantojë një mjedis të qetë e paqësor në gjithë Kosovën, tha Scheffer.

Gjatë qëndrimit njëditor në Prishtinë, ai ka takuar edhe përfaqësuesit e serbëve, të cilët i ka inkurajuar që të jenë pjesë aktive e institucioneve dhe proceseve politike në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG