Ndërlidhjet

Miliband: EULEX do shtrihet në tërë Kosovën


Britania e Madhe siguron shtrirjen e misionit për drejtësi të Bashkimit Europian-EULEX në të gjithë territorin e Kosovës.

Këtë e bëri të qartë në Prishtinë, ministri i punëve të jashtme të Britanisë së Madhe, David Miliband, i cili tha se hapi më i rëndësishëm në vazhdën e proceseve poltike nëpër të cilat po kalon Kosova do të jetë vendosja e misionit EULEX në të gjithë vendin.

Shefi i diplomacisë britaneze i bëri këto komente pas takimit me udhëheqësit e Republikës së Kosovës.

"Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë me ju në çdo hap. Hapi I ardhshëm do të jetë shtrirja e plotë e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës dhe kjo do të ndodhë. Ky do të jetë një hap I rëndësishëm përpara në vazhdën e procesit të zhvillimeve", tha Miliband.

Sipas Miliband, sovraniteti territorial i Kosovës është shumë i rëndësishëm andaj edhe nuk duhet lejuar ndarja e veriut të vendit.

Ai po ashtu shprehi bindjen se Prishtina zyrtare nuk do të aprovojë ndonjë konsensus me palën serbe e cila kalon vijën e kuqe të shtetit të Kosovës gjatë dialogut indirekt ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të moderuar nga administrata e OKB-së në Kosovë mbi 6 çështjet e përcaktuara nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së.

"Mendoj se sovraniteti mbi territorin e Kosovës I takon Qeverisë së Kosovës. Gjashtë pikat që janë duke u diskutuar janë pjesë e dialogut por do të jetë e rëndësishme kur të gjithë qytetarët e Kosovës fitojnë vetëbesimin për vendin e tyre në shoqërinë multi-etnike të shtetit të tyre. Ajo që mendoj mund të bëjë diskutimi mbi 6 pikat, është promovimi I llojit të dialogut I cili do të jetë I rëndësishëm për të fituar besimin e të gjithë qytetareve të Kosovës", konsideroi shefi i diplomacisë britaneze.
XS
SM
MD
LG