Ndërlidhjet

Donnelly: Njerëzit e Clintonit në ekip të Obamës


Thomas Donnelly
Thomas Donnelly

"Njerëzit e Clintonit në ekipin e Obamës, pavarësisht zhvillimeve, Ballkanin do ta vështrojnë nga prizmi i viteve '90", thotë Thomas Donnelly, analist nga Instituti Enterprise / Washington.




RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të thotë për Ballkanin fitorja e Barack Obamës në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara?

THOMAS DONNELLY
Kur bëhet fjalë për Ballkanin, nuk duhet pritur ndryshim të madh në politikën amerikane, sepse në ekipin e Obamës do të gjenden edhe veteranët nga administrata e Clintonit dhe kjo do të thotë vazhdimësi e kësaj politike ndaj ish – Jugosllavisë.

Duke pasur parasysh zhvillimet traumatike në një të kaluar jo të largët, Shtetet e Bashkuara gjithsesi do të insistojnë në ruajtjen e status quo-s, duke përfshirë edhe pavarësinë e Kosovës.

Me kohë do të mund të hetohet interesim i ripërtërirë i Shteteve të Bashkuara për bazat ushtarake në vendet siç janë Rumania dhe Bullgaria. Kjo ka qenë një çështje aktuale nga fundi i viteve të 90-ta, ndërsa ishte lënë anash gjatë kohës së luftës në Afganistan dhe Irak.

Duhet thënë se sërish është aktualizuar dilema se si duhet riorganizuar NATO-n dhe forcat amerikane në Evropë pas intervenimit të Rusisë në Gjeorgji.

RADIO EVROPA E LIRË
Parashikoni që në ekipin e Obamës të gjenden veteranët nga koha e Clintonit. Angazhimi i administratës së Clintonit në Ballkan ka qenë triumf i kësaj politike. A do të thotë kjo se Obama do t'i kushtojë rëndësi më të madhe Ballkanit?

THOMAS DONNELLY
Politika e Bushit ndaj Ballkanit në fakt ka qenë vazhdimësi e Clintonit. Qëllimet afatgjata strategjike të Shteteve të Bashkuara mbeten të njëjta dhe nuk ndryshojnë brenda natës.

Gjatë viteve të 90-ta në botë ka dominuar paqja dhe stabiliteti relativ dhe rrjedhimisht Shtetet e Bashkuara kanë pasur mundësi të fokusohen në Ballkan. Por, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe forcimit të Kinës, është e vështirë të pritet që Ballkani të gjendet lart në listën e prioriteteve të Shtëpisë së Bardhë.

Por, megjithatë, tash pas intervenimit të Rusisë në Gjeorgji, ku është rrezikuar siguria evropiane për herë të parë pas Luftës së Ftohtë, mund të pritet që Shtetet e Bashkuara t'i kushtojnë vëmendje më të madhe zhvillimeve në kontinentin e vjetër dhe rrjedhimisht edhe në hapësirën e ish-Jugosllavisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, Ballkani ende ballafaqohet me vështirësi. Veriu i Kosovës ende është problem, ndërsa disa druajnë se pa një ndërhyrje të fuqishme të SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, Bosnja mund të shpërbëhet, që do të kishte pasoja të rënda për gjithë rajonin...

THOMAS DONNELLY
Në këtë rast do të ktheheshim në fillimin e viteve të 90-ta kur u shpërbë ish – Jugosllavia me luftën brutale para së gjithash në Bosnjë.

RADIO EVROPA E LIRË
A ndani mendimin e Holbrukut dhe Eshdaunit se Bosnja është buzë shpërbërjes nëse bashkësia ndërkombëtare nuk reagon me vendosmëri dhe urgjencë?

THOMAS DONNELLY
Nuk e di nëse kemi të bëjmë me një vlerësim të sforcuar apo me një gjendje reale. Nuk ka asnjë dyshim se Bosnja është në bllokadë. Është bërë shumë pak drejt pajtimit politik.

Nuk do ta cilësoja shtet të dështuar, por keqësimi i mëtejmë i situatës në Bosnjë mund të reflektojë negativisht në gjithë rajonin. Nuk jam i sigurt nëse kërcënohet një dhunë e përgjithshme si në vitet e 90-ta, por gjithsesi rreziku ekziston.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të reagonin Shtetet e Bashkuara nëse zhvillime të tilla do të ketë?

THOMAS DONNELLY
Njerëzit e Clintonit në ekipin e Obamës, pavarësisht nga zhvillimet, Ballkanin do ta vështrojnë nga prizmi i viteve të 90-ta. Afria e SHBA-ve me Serbinë në masë të madhe është vënë në pyetje për shkak të politikës së Millosheviqit.

Kjo mund të shihet edhe nga shembulli i Kosovës, me ç'rast Uashingtoni mbetet dyshues kur bëhet fjalë për politikën e Beogradit ndaj Prishtinës.

Duke pasur përvojën e administratës së Clintonit dhe personalitetet e kësaj politike në ekipin e Obamës, mendoj se në politikën e Uashingtonit ndaj Ballkanit do të mbetet dyshimi nëse Serbia ka miratuar standardet ndërkombëtare apo po vazhdon me sjelljet provokuese. Ekziston edhe dyshimi se Rusia do të vazhdojë me rolin destruktiv në raport me Serbinë.
XS
SM
MD
LG