Ndërlidhjet

Shtohet konfuzioni rreth EULEX-it


Bruksel
Bruksel

Në Bruksel nuk ka pasur zyrtarë që publikisht kanë dashur të komentojnë deklaratën e z.Pierre Mirel, duke thënë se duan të presin e të shohin se çka ka ndodhur në këto takime të tij në Beograd. Kohë më parë, deputetë të Parlamentit Evropian kanë kërkuar të sqarohet roli i EULEX-i dhe të mos lejohet që ai të ndihmojë ndarjen e Kosovës apo ndonjë zhvillim që do çonte nga ndarja.


Informacioni, sipas të cilit Bashkimi Evropian është i gatshëm të miratojë kushtet kryesore të Beogradit për vendosjen e EULEX-i në Kosovë, nuk është konfirmuar në Bruskel.

Agjencia Asociated Press, të premten, ka cituar drejtorin për Ballkanin në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, të ketë thënë se "Bashkimi Evropian do të pajtohet me kërkesën që EULEX-i të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe të mbetet neutral në raport me statusin e Kosovës".

Sipas agjencisë Asociated Press, Pierre Mirel, ka shtuar se "Bashkimi Evropian gjithashtu pajtohet që misioni EULEX të mos i referohet planit të Martti Ahtisaarit".

Përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Pieter Feith, përmes një komunikate, ka thënë se "komentet që i janë mveshur zyrtarit të Komisionit Evropian nuk paraqesin qëndrim zyrtar të Bashkimit Evropian".

Në Bruksel nuk ka pasur zyrtarë që publikisht kanë dashur të komentojnë këtë deklaratë, duke thënë se duan të presin dhe të shohin se çfarë ka ndodhur në këto takime të Pierre Mirelit në Beograd.

Por, disa zyrtarë në Bashkimin Evropian pohojnë se janë duke vazhduar përpjekjet për të gjetur formulën e pranueshme që do të mundësonte dislokimin e misionit të EULEX-it në tërë teritorin e Kosovës dhe se për BE-në afati i fundit për këtë çështje do të jetë dhjetori.

Ndryshe, në BE përkujtojnë se është Këshilli i Sigurimit ai që do të diskutojë sërish për Kosovën dhe ata presin që në raportet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara gjithashtu të arrihet një marrëveshje për të sqaruar gjërat që ende duken të paqarta.

Disa diplomatë në BE pohojnë se nuk është problemi edhe aq shumë në raportet ndërmjet Brukselit dhe Beogradit, por ka paqartësi edhe në raportet e Brukselit me Nju Jorkun, sepse disa shtete të Bashkimit Evropian nuk pajtohen që misioni i EULEX-it të ketë zinxhir komandues që do ta obligonte komandantin e misionit që të jepte raporte edhe në OKB.

Për BE-në është e domosdoshme që komanda dhe autoriteti i fundit për EULEX-in të jetë Brukseli, thonë disa diplomatë në Bashkimin Evropian.

Mirëpo, në të njejtën kohë, nga deputetë të Parlamentit Evropian kanë ardhur disa kërkesa që të sqarohet roli i misionit evropian dhe të mos lejohet që EULEX-i të ndihmojë ndarjen e Kosovës apo ndonjë zhvillim që do të çonte nga ndarja.

Për këtë ka sinjalizuar edhe deputeti holandez, Langedajk, që është raportues i Parlamentit për Kosovën, por edhe deputetë të tjerë.

Disa deputetë kanë kërkuar që nëse pranohet që EULEX-i të jetë neutral ndaj statusit, kjo gjë të sqarohet dhe të mos pranohet moszbatimi i pakos së Ahtisaarit, pasi që edhe Kushtetuta e Kosovës lidhet me këtë pako.
XS
SM
MD
LG