Ndërlidhjet

Krasniqi: Plani është prodhim i Beogradit dhe Rusisë


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi

"Ky dokument është prodhim i politikës së Beogradit dhe i pengesave nga Rusia. Dhe, mendoj që burimin dhe fillimin e ka jodemokratik, nga vende jodemokratike”, thotë për radion Evropa e Lirë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, Prishtina zyrtare vazhdon të këmbëngul në kundërshtimin e marrëveshjes se arritur në mes të OKB-së, BE-së dhe Beogradit për shtrirjen e misionit EULEX në Kosovë. Ju si e shihni zgjidhjen e kësaj çështjeje?

JAKUP KRASNIQI
Vërtetë institucionet e Kosovës e kanë dhënë fjalën e tyre, por unë si kryetar i parlamentit duhet të them edhe një herë se ne jemi të interesuar që me Bashkimin Evropian dhe trupat e BE-së të kemi koordinim të plotë.

Gjithashtu dëshirojmë që vërtet EULEX-i të shtrihet në terë Kosovën. Por dua të them se gjashtë pikat e ofruara nga marrëveshja e sekretarit të përgjithshëm me Beogradin, janë thjesht një dokument që nuk premton stabilitet në Kosovë, nuk premton stabilitet as në rajon dhe krijon probleme edhe për sot edhe për të ardhmen.

Kjo është arsyeja që ky dokument është hedhur nga të gjitha institucionet e Kosovës. Tash mendoj që edhe qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar në kuptimin më të mirë të fjalës. Me një fjalë ne jemi të bindur se tanimë ai dokument ashtu siç është, është i papranueshëm, nuk garanton siguri, nuk garanton funksionalizimin e asnjë institucioni në Kosovë.

Dhe në fund të fundit nuk garanton funksionim as të EULEX-it, si një instrument i Bashkimit Evropian për të monitoruar tri segmentet e fuqishme në Kosovë, siç janë doganat, sistemi gjyqësor dhe sistemi i sigurisë. Zgjidhja më e mirë është që thjesht EULEX-i të vendoset mbi bazën e dokumentit të presidentit Ahtisari dhe mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve që janë miratuar në Kuvend. Për ne, është i vonuar funksionalizimi i EULEX-it, dëshirojmë që ai të funksionalizohet sa më shpejt.

Për atë ne kemi miratuar ligje me proceduara të shpejta për të krijuar edhe hapësirë ligjore, për të vepruar EULEX-i në Kosovë. Ne dëshirojmë që EULEX-i të vendoset në terë Kosovën, pa qenë i parcializuar, pa qenë neutral, se nuk mund të jetë neutral. Kosova është shpallur me 17 shkurt shtet i pavarur. Është pranuar nga shumë shtete të OBK-së, nga shtetet më të fuqishme në aspektin ekonomik edhe të demokracisë. Mendojmë se e vetmja zgjidhje e drejtë dhe mundshme është që EULEX-i të shtrihet mbi bazën e dokumenteve që janë fuqi dhe mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni thënë se mbi Kosovën po behet presion jodemokratik dhe anti-kushtetues. Mund ta sqaroni pak, dhe sa janë të vendosur kosovarët që të mos lëshojnë pe?

JAKUP KRASNIQI
Është një e vërtetë e madhe. Unë, e kam thënë në pika të shkurta që ky presion është jo demokratik për faktin se ky dokument është prodhim i politikës së Beogradit dhe i pengesave që janë bërë nga Rusia. Dhe në ketë drejtim mendoj që burimin dhe fillimin e ka jodemokratik, nga vende jodemokratike dhe nga vende që dëshirojnë të rikthejnë proceset.

Nga vende që thjesht Kosovës dhe proceseve demokratike i kanë bërë të themi pengesa të mëdha. Nga kjo jam nis kur kam thënë se është presion jodemokratik. Institucionet e Kosovës, e kanë përgjegjësinë dhe e kanë marrë përgjegjësinë nga qytetarët e Kosovës për të krijuar institucione funksionale.

Dhe mënyra se si kërkesa po bëhet, faktikisht nuk mund të flasim që po krijohen institucione funksionale, por po krijohen institucione paralele që gjithnjë do të jenë faktor i destabilitetit dhe pasigurisë në atë pjesë.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke marrë për bazë situatën e tanishme politike në Kosovë, a mund të ketë përkeqësim të marrëdhënieve në mes Prishtinë dhe faktorit ndërkombëtar?

JAKUP KRASNIQI
Shikoni, mendoj se Prishtina është treguar mjaft e kujdesshme. Ne jemi të interesuar që ta ruajmë kontinuitetin dhe bashkëpunimin me Brukselin dhe Nju Jorkun edhe me Uashingtonin.

Por, ne jemi të interesuar të themi se për diçka që është e dëmshme, diçka që nuk funksionon dhe diçka që prodhon destabilitet dhe pasiguri, të mos bëhemi përgjegjës dhe institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi për të garantuar siguri dhe funksionalitet të plotë të institucioneve në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë zoti Krasniqi se institucionet e Kosovës, janë duke përgatitur një plan për veriun e Kosovës. Çfarë plani është ai?

JAKUP KRASNIQI
Po, shikoni, unë nuk jam idhtar i planeve, se plane më të mira për të ndërtuar shoqëri dhe institucione të Kosovës është dokumenti gjithëpërfshirës i presidenti Ahtisari dhe Kushtetuta e Kosovës.

Natyrisht që Qeveria dhe institucionet e Kosovës, duhet të mendojnë edhe në rrugë të tjera, por gjithnjë duke qenë në bashkëpunim të plotë me ICO-në, pastaj edhe me EULEX-in edhe me trupa dhe mekanizma të tjerë që janë në Kosovë.

Ne nuk dëshirojmë të kemi marrëdhënie të acaruara me asnjë faktor që na ka ndihmuar në këto procese, por kemi edhe obligim që të japim kontributin tonë për të krijuar pozicion të ri dhe funksionalizim të institucioneve në Kosovë.
XS
SM
MD
LG