Ndërlidhjet

"Protestë në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Në Prishtinë, sot, demonstrohet kundër planit 6-pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, me të cilin rrezikohet funksionimi i Kosovës si shtet unik dhe sovran në tërë territorin e vet. Organizata të shumta të shoqërisë civile të Kosovës janë dakorduar që së bashku të organizojnë demonstratë, siç thonë ata, të fuqishme dhe paqësore, në kundërshtim të këtij plani. Në konferencën për shtyp që kanë mbajtur dje organizatorët, kanë njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet, se është arritur një mobilizim i të gjitha shtresave qytetare dhe se andaj pritet pjesëmarrje masive. Organizatorët janë shprehur se me këtë shprehet zëri i popullit të Kosovës kundër projekteve që cenojnë të ardhmën e Kosovës si shtet i pavarur, unik dhe sovran. Sipas tyre, rreziku që i kanoset vendit, ka bërë që të tubohen së bashku, të ftojnë popullin në demonstratë, me qëllim që të mbrohet Kushtetuta e Kosovës si shtet i pavarur, sovran dhe i pandashëm...

KOSOVA SOT
Kryesia e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e djeshme, ka vendosur që seanca e radhës të mbahet më 27 nëntor, si dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë. Në fillim të seancës, me kërkesë të Grupit Parlamentar të LDD-së, do të paraqitet në interpelancë ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, kurse në vazhdim kabineti qeveritar do t'u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë së Kosovës. Kryesia e Kuvendit shtyu seancën e 21 nëntorit për javën tjetër, 25 nëntor, për shkak se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, do të jetë në udhëtim zyrtar jashtë vendit, kurse në këtë seancë ishte planifikuar që të bëhet prezantimi dhe diskutimi i buxhetit të Kosovës për vitin 2009...

BOTA SOT
Ndihmëssekretari i Shtetit të SHBA-së, Daniel Fried, tha se pikat e paraqitura nga presidenti Sejdiu, përbëjnë një platformë të mirë për të ecur përpara. Fried paralajmëroi se menjëherë do të udhëtojë drejt Gjenevës për të biseduar me zyrtarët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për mënyrën se si të ecet përpara. "Unë do të shkoj në Gjenevë për t'u takuar më Allen Le Roa nga Kombet e Bashkuara, për të diskutuar hapat e ardhshëm. Por, dua të them se kemi bazë të mirë për të lëvizur në mënyrë produktive" tha Fried, duke shtuar se SHBA- ja dhe BE-ja kanë punuar ngushtë për të ardhmën e Kosovës, për të ardhmën e saj në Evropë që nga fillimi, ndërkohë premtoi se edhe në të ardhmen "do të punojmë me Qeverinë e Kosovës dhe me miqtë tjerë ndërkombëtarë”...

EPOKA E RE
Zëvendësministri i Jashtëm italian, Alfredo Mantica, ka thënë të martën në Prishtinë se vendosja e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës është një prioritet absolut, për çka do të gjendet një zgjidhje brenda Bashkimit Evropian. Ai ka thënë se Italia është angazhuar që në kuadër të BE-së të gjendet një zgjidhje që i përshtatet realitetit në Kosovë dhe ka përsëritur edhe një herë qëndrimin se Italia ka njohur Kosovën shtet të pavarur dhe respekton planin e Ahtisaarit. Mendojmë se vendosja e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës është një prioritet absolut dhe jemi angazhuar në kuadër të Bashkimit Evropian që të gjejmë një zgjidhje, e cila i përshtatet realitetit vendor...

INFOPRESS
Zbatimi eventual i planit gjashtëpikësh të sekretarit të OKB-së, Ban Ki Mun, për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë, paraqet rrezik edhe për Maqedoninë dhe vendet tjera të rajonit. Ky është vlerësim i ekspertëve për çështje juridike dhe politike në Maqedoni, Jeton Shasivari dhe Biljana Vankovska.
Shasivari thotë se pas këtij plani fshihen elemente të shtetësisë për serbët e Kosovës. ‘Miratimi i këtij plani në fakt mund të reflektojë mjaft negativisht dhe do të shkaktonte një efekt domino për Maqedoninë, kur dihet që në Maqedoni ka pjesë të territorit me shumicë shqiptare’. "Mendoj se klasa politike ndërkombëtare që i merr vendimet në nivel ndërkombëtar, duhet të jetë e vetëdijshme për këto fakte. Do të jetë një efekt domino që nuk do i dihej fundi", deklaroi Shasivari, ekspert juridik. Profesoresha e Universitetit të Shkupit, Biljana Vanskovska, thotë se faktori ndërkombëtar duhet të jetë shumë i kujdesshëm kur bëhet fjalë për Kosovën dhe duhet të punojë në ndërtimin e urave të bashkëpunimit midis shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, e jo të lejojë ndarjen eventuale të Kosovës në baza etnike...

EXPRESS
Pas dy ditë bisedimesh intensive në Prishtinë, me krerët institucionalë, përfaqësues të partive opozitare dhe diplomatë evropianë, Daniel Fried ka filluar përpjekjet për të çarë bllokadën e krijuar nga kundërshtimi i fuqishëm kosovar ndaj marrëveshjes OKB-Serbi, e përmbledhur në dokumentin gjashtëpikësh. Në një takim të ri me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, të martën, diplomati amerikan ka marrë në formë të shkruar qëndrimin përfundimtar të institucioneve të Kosovës për planin e OKB-së dhe vendosjen e EULEX-it. Pozicioni i fundit i kosovarëve - një deklartë prej katër pikash - refuzon në tërësi dokumentin gashtëpikësh, por fton EULEX-in të shtrihet në tërë vendin, sipas mandatit të paraparë me deklaratën e pavarësisë, dokumentin e presidentit Ahtisaari, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, Aksionin e Përbashkët të BE-së dhe ftesave të mëhershme kosovare për këtë mision evropian...

KOHA DITORE

Plani prej katër pikave që pala kosovare ka përgatitur të martën si kundërpërgjigje ndaj planit 6-pikësh të Ban Ki Moonit, është një bazë e mirë për miqtë ndërkombëtarë të Kosovës në bisedimet për fatin e EULEX-it, kanë thënë analistët. Është thënë se paraqitja e platformës kosovare do të rezultojë me gjetjen e një kompromisi ndërmjet dy planeve që njihen deri tashti. "Kundërshtimi në diplomaci nuk pranohet me automatizëm. Ajo që po ndodh tashti, është se kosovarët po ndërtojnë pozicion, serbët kanë ndërtuar pozicion. Tash po tentohet që mesi të arriohet diku në njëfarë kompromisi ndërkombëtar", ka thënë analisti Haki Abazi. Ai ka thënë se do të instalohet një lloj i negociatave, për shkak se çështjet që janë konsideruar të mbyllura me propozimin e Ahtisaarit, "po rihapen me veprime proaktive të politikës serbe". Abazi ka thënë se premisa nga e cila ka qenë dashur të nisen liderët kosovarë në lidhje me propozimin gjashtëpikësh, ka qenë dashur të jetë ndryshe, e jo e atillë se a e mbështet SHBA-ja dhe BE-ja qëndrimin refuzues...
XS
SM
MD
LG