Ndërlidhjet

Kosova - e vonuar në formimin e AKI-së


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Situata aktuale e sigurisë në Kosovë dëshmon nevojën e krijimit sa më parë të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Kështu thonë ekspertë për çështje të sigurisë në Prishtinë, të cilët theksojnë se institucionet përgjegjëse të vendit janë vonuar në këtë drejtim. Qeveria e Kosovës hedh poshtë çdo lloj vonese në krijimin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ndërsa nuk jep ndonjë afat kohor se kur do të mund të realizohet kjo çështje.

Ekspertët për çështje të sigurisë thonë se Kosova duhet sa më parë të formojë Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, e cila, sipas tyre, do të ndikonte në hetimin e rasteve të fundit, të cilat, siç thonë ekspertët, kanë tensionuar situatën e sigurisë në Kosovë. Eksperti Ramadan Qehaja thotë se vonesat në krjimin e këtij institucioni janë të paarsyeshme.

"Duhet të ndërmerren masa, sepse po e shihni edhe vetë që jemi në një situatë shumë të ndërlikuar të karakterit politik, por edhe të sigurisë", shprehet eksperti Qehaja.

Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet se procedura për formimin e këtij mekanizmi të sigurisë, si dhe udhëheqësve të tij, është në proces e sipër. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se konsultat ndërmjet krerëve shtetërorë të vendit janë në zhvillim e sipër dhe se do të përfundojnë në afatin e paraparë kohor.

Sipas ligjit, Drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës do t'i përgjigjet kryeministrit, por do të informojë dhe presidentin e vendit.

"Kryeministri i Kosovës është në konsulta të vazhdueshme me presidentin e vendit, po ashtu me faktorë relevantë ndërkombëtarë, në mënyrë që këto emërime të bëhen në kohën e duhur dhe të jenë konform kritereve që i kërkon ligji", konsideron Krasniqi.

Kritikat për vonesën në ndërtimin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës hedhen poshtë nga ekzekutivi kosovar, i cili këto vonesa i quan relative. Krasniqi sqaron:

"Vonesa është relative. Ne nuk mund të themi se ka pasur vonesa në këtë drejtim; ka pasur një kujdes të shtuar dhe për këtë arsye kryeministri me presidentin janë në konsulta të vazhdueshme dhe do t'i emërojnë këta njerëz në kohën e duhur".

Ligji për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës e përcakton këtë mekanzëm si të vetmën strukturë civile të shërbimit të fshehtë në Kosovë. Sipas Qehajës, struktura udhëheqëse e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës duhet të jetë jashtë ngjyrimeve politike apo partiake.

"Drejtori i kësaj agjencie, zëvendësdrejtori dhe shefi i inspeksionit, nëse janë nga një parti apo nga partia në pushtet, përkatësisht nga partitë në koalicion, është gabim, sepse ne duhet të kërkojmë njerëz që duhet ta kryejnë punën, sepse fjala është për shtetin e Kosovës që duhet të mbrohet",
mendon Qehaja.

Ligji për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës përcakton dhe metodat e mbledhjes së informatave që mund të jenë përgjimi njerëzor, telefonik, mobil përmes personave dhe agjentëve të fshehtë, mbledhjen e të dhënave konfidenciale nëpër institucione të ndryshme dhe të tjera.

Ky ligj ka hyrë në fuqi me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, më 15 qershor të këtij viti, ndërsa akoma nuk ka filluar ndërtimi i segmenteve elementare për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

XS
SM
MD
LG