Ndërlidhjet

Shqetësime pas mbledhjes së KS të OKB-së


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Institucionet e Kosovës thonë se 6-pikëshi mbetet i papranueshëm, përderisa opozita konsideron se vendimet e fundit të KS-së do kenë pasoja të mëdha për funksionimin e shtetit dhe i paraprijnë ndarjes së brendshme të Kosovës.


Institucionet e Kosovës thonë se nuk do të ndryshojnë pozicionin e tyre ndaj planit gjashtëpikësh të Sekretarit Ban Ki Moon, duke e konsideruar atë të papranueshëm. Në anën tjetër, opozita kritikon ashpër lidershipin e Kosovës, duke e fajësuar atë se e ka sjellë vendin në një gjendje shumë të rëndë.

Këto vlerësime pasojnë mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit, ku është aprovuar raporti i Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, dhe plani i tij gjashtëpikësh për shtrirjen e EULEX-it, i kundërshtuar nga Prishtina.

Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se Kosova mbetet e vendosur që ta kundërshtojë çdo qasje tjetër që nuk e përfill Kushtetutën dhe planin e Ahtisaarit.

”Kundërshtohet çfarëdo varianti që cenon kushtetutshmërinë dhe sovranitetin e Kosovës. Përndryshe, EULEX-i është i mirëpritur, sepse ai është ftuar vetë nga institucionet e Kosovës, më saktë nga presidenti Sejdiu, por në bazë të mandatit që i jep plani i presidentit Ahtisaari. Çdo shmangie nga kjo marrëveshje që ka ekzistuar më parë, do të thotë se është e papranueshme për institucionet e Kosovës dhe si e tillë do të trajtohet”, tha Beqiri.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se me miratimin e gjashtëpikëshit ka filluar procesi i ndarjes së brendshme të Kosovës. Kjo është një humbje politike që do të reflektohet në unitetin dhe integritetin e Kosovës, tha Haradinaj, duke e fajësuar lidershipin aktual.

“Me këtë fillohet një proces i ri i një ndarjeje të brendshme të Kosovës, sepse këto struktura të reja, të formuara me ndihmën e EULEX-it, nuk i raportojnë drejtpërdrejt Prishtinës. Ky është një realitet që kemi në vend. Mendoj se për këtë humbje politike, përgjegjës të parë janë lidershipi i vendit, presidenti, kryetari i qeverisë dhe qeveria. Pra, kemi të bëjmë me një lidership pa vizion”, tha Haradinaj.

Në vazhdim, Ramush Haradinaj kërkoi që Parlamenti i Kosovës të marrë në duar çështjen e shtrirjes së EULEX-it dhe të vendosë nëse ky mision si i tillë i duhet apo jo Kosovës.

“Nëse serbët kanë mundur t’i thonë jo EULEX-it, atëherë edhe Prishtina është dashur t’i thotë jo EULEX-it, në bazë të një plani tjetër, përpos dakordimeve të mëhershme. Për këtë, Parlamenti duhet ta japë mendimin e vet, se a pajtohet që EULEX-i të shtrihet në gjithë vendin mbi bazën e marrëveshjeve të reja, apo duhet të hapim një proces të ri negociimi për shtrirjen e EULEX-it në përputhje dhe me dakordinimin e Prishtinës”, tha Haradinaj.

Në anën tjetër, Besa Gaxherri, nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, thotë se vendimet në Nju Jork janë pasojë e politikave të lidershipit të Kosovës.

Gaxherri thotë se institucionet e Kosovës duhet të mblidhen me urgjencë dhe të përcaktojnë politikat e veta karshi zbatimit të gjashtëpikëshit të OKB-së. Deputetja Besa Gaxherri thotë se në rrethana normale, presidenti dhe kryeministri i Kosovës, pas vendimeve të fundit në Nju Jork, do të duhej të largoheshin nga postet që i mbajnë.

“Në qoftë se e dinë vetëm pak se i kanë borxh këtij populli dhe kanë gabuar shumë rëndë, këta nuk është dashur t’i thërrasë Kuvendi që të japin dorëheqje, por do të ishte dashur që ata vetë të japin moralisht dorëheqje. Nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, unë besoj - Kuvendi në Kosovë tashmë është një vegël e qeverisë – do ishte dashtur që Kuvendi t’i ftojë në përgjegjësi dhe natyrisht t’ua marrë atyre mandatin”, thotë Gaxherri.

Shefi i misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon, tha se misioni i tij është i gatshëm dhe do të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës. Ai tha se EULEX-i e ka bazën komanduese në Bruksel, mirëpo, për arsye se edhe ky mision do të mbështetet në Rezolutën 1244, raportet e tij për punën e EULEX-it do t’i adresohen edhe Nju Jorkut.

“E di se ka mospajtime rreth gjashtëpikëshit ndërmjet Prishtinës e Beogradit, por ne jemi të gatshëm që mbi bazat e agjendës dhe planit të veprimit të përbashkët, ta përmbushim misionin tonë”, tha Kermabon.

Sidoqoftë, mbi 2 mijë policë, prokurorë, gjykatës dhe doganierë nga BE-ja, pritet që të fillojnë punën nga 2 dhjetori. Këshilli i Sigurimit ka aprovuar tashmë raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, me të cilin, mes tjerash, UNMIK-u parashihet t’ia dorëzojë autorizimet EULEX-it në fushën e sundimit të ligjit, përderisa EULEX-i do të funksionojë mbi bazat e Rezolutës 1244 dhe do të jetë neutral ndaj statusit, përkatësisht pavarësisë së Kosovës.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG