Ndërlidhjet

Qeveria me strategji të re kundër korrupsionit


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Lufta kundër krimit të organizuar është prioritet i Qeverisë së Kosovës. Kështu është thënë sot në konferencën "Strategjia Nacionale Kundër Krimit të Organizuar 2009 -2011", e organizuar nga Qeveria e Kosovës. Përfaqësuesit e qeverisë janë zotuar se tash e tutje do të ketë një përkushtim edhe më të madh në luftën kundër korrupsionit.


Qeveria e Republikës së Kosovës ka prezantuar sot strategjinë e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke shprehur përkushtimin e fuqishëm për luftë dhe zero tolerancë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekonomisë joformale.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se fenomenet negative, sikurse kudo në rajon dhe në botë, paraqesin pengesë për sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Lufta ndaj tyre, sipas Thaçit, është ndër prioritetet më të larta dhe të përditshme të institucioneve shtetërore të Kosovës.

"Qëllimi madhor dhe strategjik i Qeverisë, të cilën e drejtoj unë, është që ta përgatisë Republikën e Kosovës për të ardhmen e saj euro-atlantike, si anëtare e plotë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ky qëllim nuk mund të arrihet nëse lejohet që korrupsioni dhe krimi i organizuar të lëshojnë rrënjë. Është e qartë që kësisoj, vendi nuk do të mirëpritej në Evropë. Kjo do të ishte e papranueshme dhe e patolerueshme për institucionet dhe qytetarët e Kosovës", tha Thaçi.

Thaçi ka shtuar se përkushtimi i tyre është për një të ardhme të sigurt për qytetarët e Kosovës si qytetarë të Evropës. Ai ka pohuar se synimi i institucioneve për të luftuar fenomenet negative, si një ndër parakushtet për këtë të ardhme, është i palëkundur.

"Për këtë qëllim, strategjia jonë është fokusuar në dy drejtime; e para, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës sonë moderne, ne kemi forcuar dhe do të forcojmë edhe më tej bazën ligjore anti-korrupsion; e dyta, ne duhet t'i implementojmë këto masa ligjore në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Me vendosjen e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës, ne llogarisim në një mbështetës të fuqishëm në këtë luftë”, ka thënë Thaçi.

Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka pohuar se institucionet e Kosovës janë adresa më e mirë për luftën kundër korrupsionit.

"Është shfaqur një gatishmëri e fuqishme, e plotë në luftën kundër krimit të organizuar. Kjo është një bazë e mirë dhe baza më e rëndësishme për të vazhduar punën", tha ministri Pajaziti.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Agjencisë Anti-korrupsion dhe ata të Prokurorisë së Kosovës e kanë përshëndetur iniciativën e institucioneve të Kosovës, duke thënë se veprimet e tilla do të ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit.

Hasan Preteni, nga Agjencia Kundër Korrupsionit, thotë se Kosova ka nevojë për një strategji të tillë, por ka konstatuar se në vend, së pari duhet të ketë një fuqizim më të madh të ligjeve.

"Mendoj që është një nismë e mirë, një dokument që i duhet Kosovës. Mirëpo, në anën tjetër, them që është një element shumë i rëndësishëm që nomenklatura e Kosovës të plotësohet me ligje të lëmisë. Duhet një aktivitet më i shtuar që dokumentet që i punojmë ne vetë, të implemetohen
", tha Preteni.

Edhe kryetari i Gjykatës Supreme, Rexhep Haxhimusa, thotë se është i rëndësishëm hartimi i një strategjie të tillë.

"Unë mendoj se është mirë që një dokument i tillë të nxirret, sepse për nevojat e Kosovës lypset të definohen çështjet, të adresohen dhe të dihet se ku duhet të kërkohet llogaria", tha Haxhimusa.

Sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, kjo strategji, sipas planit të paraparë për partneritet evropian, duhet të jetë e gatshme deri në qershor të vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG