Ndërlidhjet

logo-print

“Pak gjasa që EULEX-i të shtrihet në veri ditën e parë”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

BOTA SOT
Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e së martës ka vendosur që në seancën e 11 dhjetorit të jetë në interpelancë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkesë kjo e bërë pareshtur nga Grupi Kuvendar i AAK-së, ndërsa do të shqyrtohen disa projektligje , të cilat janë të lidhura direkt me Projektligjin e Buxhetit të vitit 2009. Ndërkohë që në seancën e radhës, të enjten, në interpelancë në Kuvend do të jetë ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi. Megjithëse, kryekuvendari Jakup Krasniqi paralajmëroi interpelancën e kryeministrit më 11 dhjetor, ai nuk ishte i sigurt se kryeministri do të paraqitet në interpelancë, edhe pse rregullat ligjore obligojnë, që ai të jetë në interpelancë sipas vendimit të Kryesisë së Kuvendit...

EXPRESS
Një nga proceset më jotransparente negociatore kulmoi të mërkurën e kaluar me plotësimin e planit të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, për rikonfigurimin e prezencës ndërkombëtare në Kosovë. Në njëfarë mënyre, diskutimet e zhvilluara që prej fillimit të verës në përpjekje për të marrë mbështetjen e Serbisë për EULEX-in, janë drejtuar nga shefi aktual i UNMIK-ut, Lamberto Zannier... Popullariteti i Zannierit, megjithatë, ka rënë tek shqiptarët, një pjesë e të cilëve besojnë se plano 6-pikësh që ai ka negociuar, e çon Kosovën drejt ndarjes. Tek e fundit, Serbia e ka festuar këtë plan. Por, interpretimi i diplomatit italian është se, në fakt, gjashtë pikat janë e kundërta e ndarjes – se ato identifikojnë problemet që ekzistojnë e që duhet zgjidhur, se sjellin opsione, por se nuk janë version i fundit “merre ose leje” dhe se janë subjekt i bisedimeve të mëtejme... Si erdhi deri tek gjashtë pikat, çfarë roli ka pasur Qeveria e SHBA-së në këtë proces dhe si janë marrëdhëniet e tij me Qeverinë e Kosovës? PSSP Lamberto Zannier, në një intervistë për Express, sjell perspektivën e KB-ve për planin që ka shkaktuar debat dhe demonstrata në Kosovë, por edhe që ka qetësuar opinionin e Serbisë me shtrirjen e EULEX-it...

ZËRI
Mijëra qytetarë nga mbarë vendi kanë demonstruar të martën në Prishtinë, duke e kundërshtuar fuqishëm edhe një herë gjashtëpikëshin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, fuqizimin e Rezolutës 1244 dhe shtrirjen e EULEX-it sipas kësaj rezolute të OKB-së. Mirëpo, për dallim nga protesta e para disa ditëve, ku po ashtu ishte kundërshtuar plani 6-pikësh i Ban Ki Moonit, në këtë protestë numri i protestuesve ka qenë pak më i vogël, porse protesta ka qenë e qetë dhe pa asnjë incident... Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka theksuar se kundërshtimi i Sejdiut e Thaçit është verbal, ndërsa ky i yni është vepër dhe më i fuqishëm. “Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu po mundohen t’i ruajnë karriget e veta dhe asgjë nuk po punojnë për popullin”, tha Kurti. Sipas tij, gjashtë pikat legalizojnë strukturat paralele dhe kudo që ka serbë të përsëritet veriu i Kosovës...

KOHA DITORE
Gjasat janë shumë të vogla që misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë (EULEX), nga e marta e ardhshme të vendoset edhe në veri të Kosovës. Burime të gazetës pohojnë se kjo çështje është bërë temë e diskutimeve ndërmjet Brukselit dhe Prishtinës zyrtare, me ç’rast ende nuk është arritur një konsensus për këtë gjë. Vetë presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, ka pohuar të martën se është në komunikim të vazhdueshëm me qendra të vendosjes për të nxjerrë rezultatin që EULEX-i të shtrihet përnjëherë në gjithë Kosovën. Misionarët evropianë nga EULEX-i ndërkaq llogarisin që nga e marta e ardhshme të jenë autoritet i vetëm në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, por ndryshe nga kjo, zyrtarët e UNMIK-ut pohojnë se kështu nuk do të jetë edhe në veri, për shkak të mungesës së vullnetit të banorëve kosovarë serbë atje. “Beogradi nuk i ka larguar pengesat në veri, dhe përderisa kjo të mos ndodhë, askush nuk mund të presë ndryshim të gjendjes atje”, thonë burimet e gazetës...

INFOPRESS
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës pritet që të premten t’i prezantojë dy emra për zv/ministra, atë të Tregtisë dhe Industrisë dhe atë të Ministrisë së Forcës së Sigurisë. Në mbledhjen e mbajtur të martën, për herë të parë pas shumë kohësh, LDK e ka vënë në tavolinë për diskutim këtë temë dhe ka folur për kriteret në bazë të të cilave do të gjenden emrat. Sipas zyrtarëve të kësaj partie, nuk është diskutuar ndonjë emër konkret për këto poste. Profesionalizmi në bazë të dikasterit dhe përkushtimi ndaj punës, janë dy nga kriteret që do të ketë për bazë kryesia. Kërkesa që kjo çështje të diskutohet dhe të mbyllet përfundimisht ka ardhur nga i shkarkuari nga posti i zv/ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Naser Osmani...

KOSOVA SOT
Çështja e shtrirjes së misionit të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës vazhdon të mbetet kryefjalë e diskutimeve politike brenda dhe jashtë Kosovës. Këto diskutime janë pasuar nga deklaratat e zyrtarëve ndërkombëtarë, të cilët kanë folur për një shtrirje graduale. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se misioni evropian duhet të kryejë veprime të shpejta dhe të vendoset në tërë territorin e Kosovës, duke shtuar se nuk i kupton vonesat. Ai kërkoi një punë më të shpejtë dhe më të ngjeshur nga ana e EULEX-it dhe gjithë faktorit ndërkombëtar, për t’u vendosur në tërë vendin. “Unë do të kem konsulta të drejtpërdrejta këto ditë... Për ne është me rëndësi që të zbatohet parimësia, atë që ne jemi marrë vesh, edhe në kuptimin e kërkesës që kemi bërë si institucione të Kosovës, që ta kemi në Prishtinë, ta kemi në Kosovë, ta kemi në veri dhe në lindje. Në veri të ketë bashkëpunim edhe të institucioneve të Kosovës, për aq sa do të jetë edhe mandati”, ka thënë presidenti Sejdiu...

EPOKA E RE
Nga përvoja e një ushtaraku, kryetari i PSD-së, Agim Çeku, ka paralajmëruar për rrezikun që i kanoset Kosovës në rast të ndryshimit të Marrëveshjes së Kumanovës. Ai ka thënë se Serbia nëpërmjet kërkesës (e cila është ende jozyrtare) për ndryshimin e kësaj marrëveshjeje, jo vetëm që tenton ta harrojë historinë e kapitullimit ushtarak në luftë me NATO-n, por është duke bërë përpjekje që t’i krijojë vetes hapësirë që t’i stacionojë trupat e veta ushtarako-policore në kufi me Kosovën. Prapavijë tjetër e kësaj kërkese, sipas Çekut, padyshim që është edhe tendenca për ta bllokuar procesin e krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, mision i cili i takon dhe është duke u implementuar nga NATO-ja...

LAJM
Aleanca Kosova e Re e konsideron përpjekjen e Beogradit për të ndryshuar Marrëveshjen e Kumanovës si ndërhyrje në punët e brendshme dhe cenim të tërësisë territoriale dhe integritetit shtetëror. Muhamet Kelmendi, nënkryetar i AKR-së, tha të martën në Prishtinë, se pretendimet e Serbisë janë në shërbim të destabilizimit të gjendjes në Republikën e Kosovës dhe rajon. Ai ka rikujtuar se është pikërisht makineria ushtarake serbe, shkaktare e vrasjes së mbi 13 mijë qytetarëve të Kosovës, fati i dy mijë prej të cilëve ende nuk dihet, dhe e shkatërrimit të mbi 300 mijë objekteve civile, fetare dhe kulturore në Kosovë gjatë luftës së fundit. Andaj, pretendimet e Serbisë, që nëpërmjet rishikimit të marrëveshjes së nënshkruar në Kumanovë, ushtria serbe të mund të kthehet sërish në Kosovë, sipas Kelmendit Janë absurde dhe hap drejt nxitjes së konflikteve të reja në Ballkan...
XS
SM
MD
LG