Ndërlidhjet

logo-print

Knaus: Çelësi për ose kundër ndarjes është në Beograd dhe Bruksel


Verena Knaus

Verena Knaus

“Çelësi për pengimin e ndarjes së Kosovës nuk gjendet vetëm në Prishtinë e Nju Jork, por edhe në Bruksel e Beograd”, thotë Verena Knaus, nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet.



RADIO EVROPA E LIRË

Zonja Knaus, javën e ardhshme, EULEX-i do të fillojë punën, ndërsa mbeten ende shumë kundërthënie rreth bazës legale të këtij misioni. Si e shihni ju këtë situatë?

VERENA KNAUS
Mendoj se siç është parë edhe nga demonstratat, që i kanë mbushur rrugët e Prishtinës, situata është e tensionuar dhe, siç shihet nga këto protesta, është një shqetësim i madh në Kosovë rreth vendosjes së EULEX-it.

Ky shqetësim nuk është për EULEX-in si të tillë, por për shkak të mënyrës se si u arrit kompromisi, në bazë të të cilit tani vendoset EULEX-i, dhe kjo në rrugët e Prishtinës njihet si plani 6-pikësh i Ban Ki Moonit.

Është një kompromis, që njerëzit këtu ndjejnë se është negociuar prapa dyerve të mbyllura mes UNMIK-ut, OKB-së në Nju Jork dhe Beogradit, duke mos marrë parasysh qëndrimet e Prishtinës dhe në veçanti realitetin në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke mbetur ende te baza legale - aktualisht në Kosovë mbetet në fuqi Rezoluta 1244; kemi Kushtetutën e Kosovës, ndërsa në veri përdoren ligjet serbe. Cila është rrugëzgjidhja e kësaj situate?

VERENA KNAUS
Zgjidhja shtrihet në qartësimin e perspektivës evropiane të Kosovës. Kjo nënkupton se Kosova duhet të bëhet shtet funksional.

Premtimi i Grupit të Kontaktit në vitin 2004 ka qenë se Kosova është e pandashme, se do të jetë shtet multi-etnik dhe shtet evropian. Për këtë arsye, mendoj se zgjidhja gjendet në Evropë.

Por, edhe problemi aktualisht gjendet në Evropë. Fakti që 5 nga 27 vendet anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën, është një problem. Problemi tjetër është se, siç e theksuat ju, në veri nuk ka sundim të ligjit. Është në interes të atyre njerëzve që jetojnë atje, që të zbarkohet EULEX-i.

Por, në anën tjetër, duhet që procesi i negocimit të Serbisë me BE-në të kombinohet bashkë me procesin e Kosovës.

Duket absurde që Brukseli po negocion ndaras me Beogradin rreth nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, apo dhënies së statusit të kandidatit Serbisë, derisa, në të njëjtën kohë, janë të angazhuar në bisedime paralele, sërish me Beogradin, për të lejuar misionin e BE-së që të zbarkohet.

I njëjti Bashkim Evropian dëshiron që të bëhet realitet e ardhmja evropiane e Kosovës dhe i njëjti Bashkim Evropian dëshiron që të bëhet realitet e ardhmja evropiane e Serbisë. Kjo duhet të kombinohet dhe t’i thuhet qartas Beogradit se negocimi për anëtarësim në BE, është i lidhur ngushtë me të qenit bashkëpunues për Kosovën.

Mendoj se në këtë mënyrë duhen vënë kornizat e zgjidhjes së problemit. Rruga përpara nuk është duke mos bërë asgjë, apo duke vazhduar me status quo-n, duke vazhduar me 1244-shin, me OKB-në në terren, apo me një strukturë shumë të dobët të BE-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Patët thënë njëherë se komuniteti ndërkombëtar duhet të ketë turp për konfuzionin rreth pranisë civile ndërkombëtarë në Kosovë. Ka ndryshuar gjë situata?

VERENA KNAUS
Fatkeqësisht, konfuzioni është përkeqësuar. Më 17 shkurt ka pasur një entuziazëm më të madh se struktura qeverisëse e Kosovës do të qartësohej.

Mendoj se në përgjithësi njerëzit janë lodhur nga UNMIK-u dhe janë të lodhur nga ajo se kush është përgjegjësi, se komuniteti ndërkombëtar që nuk i jep askujt llogari, vazhdon të jetë edhe më tej në krye.

Nëntë muaj më vonë, konfuzioni veç çka është më i madh, ndërsa lodhja edhe më e madhe. Dhe, kjo i bën njerëzit që të dalin në rrugë; është një frustrim që duhet marrë seriozisht.

Ne i kemi borxh Kosovës që t’i ofrojmë një perspektivë kredibile për të ardhmen, i kemi borxh që ta sqarojmë këtë ngatërresë rreth asaj se kush është në të vërtetë përgjegjës, ndërsa nuk mendoj se është zgjidhje një kompromis tjetër dhe një pazar tjetër legal.

RADIO EVROPA E LIRË

Çka mund të bëjnë institucionet e Kosovës për ta sqaruar situatën?

VERENA KNAUS
Mendoj se si hap të parë, ata duhet t’i marrin seriozisht dispozitat e planit të Ahtisaarit, dhe në mënyrë të njëanshme, në llogari të tyre të mundohen ta zbatojnë atë që munden.

Problemi qëndron se plani i Ahtisaarit, që nga fillimi u disejnua si një pako që i përfshin tre lojtarë - autoritetet e Kosovës, Serbinë, institucionet e Serbisë në terren, dhe komunitetin ndërkombëtar.

Ka shumë dispozita në planin e Ahtisaarit, që nuk mund të implementohen pa përkrahjen e komunitetit serb të Kosovës dhe Beogradit. Por, të gjitha të tjerat që mund të implementohen, i mbetet institucioneve të Kosovës që të ecin përpara në mënyrë që të ketë sukses.

Në të njëjtën kohë, mendoj se institucionet e Kosovës duhet të jenë më serioze rreth zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian. Kjo nënkupton që të shqyrtojnë se çka mund të bëjnë që ta shtyjnë agjendën përpara.

Ata janë dekurajuar p.sh. sa i përket liberalizimit të vizave, apo nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, por ata duhet të ndërmarrin iniciativë për këto çështje. Në anën tjetër, BE-ja duhet të jetë më reale.

Nëse nuk zgjidhet çështja e njohjes së Kosovës nga të gjithë anëtarët e BE-së, nëse nuk lëvizet përpara me këto problemet teknike - ekonominë, vizat apo çështjet e migrimit, atëherë do të vazhdohet me tangon që kemi luajtur vitin e kaluar me UNMIK-un, ICO-në dhe organizatat tjera që e udhëheqin shou-n, duke bërë shumë pak në përmirësimet e vërteta për jetët e njerëzve të rëndomtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Knaus, në anën tjetër, ka të shqetësuar se plani gjashtëpikësh i Ban Ki Moonit, që u përfshi në deklaratën presidenciale të KS-së, çon në ndarjen e Kosovës. Sa rrezikon të ndahet Kosova?

VERENA KNAUS
Kjo është një pyetje e vështirë. Nëse ka pasur bisedime për ndarje për disa vjet, fakt është se situata tani është përkeqësuar shumë më shumë se para 9 muajve, që nga pavarësia.

Pse? Sepse OKB-ja që ka qenë përgjegjëse për sigurimin e kufijve, për të siguruar se po funksionojnë doganat, për ofrimin e sundimit të ligjit, thjesht dështoi ta kryejë punën e vet. Ndërsa, EULEX-i e pati të pamundur që ta mbushë vakuumin, meqë nuk ishte lejuar të zbarkohet në veri të lumit Ibër.

Situata që kemi sot, është me e keqe sesa që ka qenë në 9 vjetët e kaluar. Shtrohet pyetja: A do ta përmirësojë këtë OKB-ja dhe BE-ja në bazë të 1244-shit? Kjo mbetet të shihet.

Çelësi i zgjidhjes dhe çelësi i pengimit të ndarjes gjendet në Beograd. Dhe, është ky momenti ku është vënë në sprovë kredibiliteti i qeverisë pro evropiane në Beograd; a është Tadiqi serioz në perspektivën evropiane, a janë politikanët e sotëm në Beograd seriozë në çuarjen e Serbisë përpara - pastaj do të duhej gjendur zgjidhja konstruktive për veriun e Kosovës.

Çelësi nuk gjendet vetëm në Prishtinë e në Nju Jork, ai gjendet në Bruksel dhe Beograd.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG