Ndërlidhjet

Në mot, Mitrovica - qytet me dy komuna?


Qyteti i Mitrovicës
Qyteti i Mitrovicës

Qeveria e Kosovës synon që para zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm, të formojë komunën veriore të Mitrovicës, siç parashihet me planin e Ahtisaarit. Por, për të ndodhur një gjë e tillë, duhet bashkëpunimi i serbëve lokalë, të cilët aktualisht refuzojnë çdo plan të dalë nga institucionet e Kosovës.


Nëse qeveria arrin të marrë bekimin e serbëve lokalë, komuna veriore e Mitrovicës mund të përurohet në vitin e ardhshëm, para mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Të paktën ky është synimi i Qeverisë së Kosovës, qeveri kjo, e cila në masë të madhe nuk njihet nga përfaqësues serbë të veriut të Mitrovicës.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, që vetë ishte në krye të komunës së Mitrovicës, pranon se integrimi i qytetit, por edhe krijimi i komunës së re, është proces i vështirë. Por, ai shpreson se përmes afirmimit të procesit të decentralizimit, serbët lokalë do ndryshojnë mendje.

“Ne kemi siguruar një pjesëmarrje të konsiderueshme në këtë proces, por jo edhe në Mitrovicë dhe në veri. Ne do të vazhdojmë me afirmimin e këtij procesi. Nëse sigurohet përkrahja e qytetarëve, është e mundur që në zgjedhjet e ardhshme të instalohet komuna veriore e Mitrovicës. Ne duam që kjo të ndodhë në mot, por kjo varet nga vullneti i qytetarëve”,
thotë Ferati.

Por, ata që e prezantojnë veten si përfaqësues të serbëve në Mitrovicë, nuk pajtohen që veriu i qytetit të shndërrohet në komunë nën kushtet e përcaktuara në propozimin gjithëpërfshirës të Ahtisaarit, dispozita të të cilit legjislativi tashmë i ka shndërruar në ligje.

”Nuk pajtohemi me planin e Ahtisaarit. EULEX-i është këtu nën kushtet e vëna nga OKB-ja, e jo me planin e Ahtisaarit. Komuna e Mitrovicës veriore ekziston dhe ajo nuk do të krijohet as me planin e Rexhepit, e as me atë të Ahtisaarit”, thotë Milan Ivanoviq, nga Këshilli Nacional Serb, duke ofruar këtë si arsye për kundërshtimin e planit.

“Ata e kanë menduar shumë mirë që disa lagje te përziera apo lagje shqiptare në Mitrovicë, t’i takojnë pjesës jugore, ndërsa veriu i Mitrovicës, Zveçani e Leposaviqi të mbesin të rrethuara nga fshatrat shqiptare, gjë që shumë shpejt mund të çojë në destabilizim dhe ndërprerje të komunikimit të pjesës veriore me Serbinë. Është e qartë se këtë plan e ka sjellë ndonjë analist ushtarak shqiptar, gjë që serbëve nuk u përshtatet fare”, thotë Ivanoviq.

Dilema në krijimin e komunes veriore të Mitrovicës, sipas ministrit Ferati, nuk ka vetëm në mesin e serbëve, por edhe te vetë shqiptarët.

“Shqiptarët kanë drojë se si do të përdoret ky pushtet i gjithëfuqishëm nga komuniteti shumicë i komunës së re, qoftë në Mitrovicë, Ranillug, Kllokot e komuna të tjera. Ndërsa, serbët kanë dilema se cili është shpjegimi i Beogradit për këtë, dhe nëse marrin pjesë, a thua do të tregojnë se jeta po normalizohet dhe ‘brenga’ që Beogradi e tregon, është e paqëndrueshme. Kemi këto rezerva, por kjo është një ofertë me të cilën mund të lëvizim nga gjendja momentale”, pohon Ferati.

Plani i Ahtisaarit parasheh që një rol në krijimin e komunës veriore të Mitrovicës ta luajë edhe Zyra Civile Ndërkombëtare. Zëdhënësi i ICO-së, Andy McGuffie, thotë se është më se i rëndësishëm bashkëpunimi i banorëve.

“Kjo do kërkojë gjithsesi edhe bashkëpunimin e banorëve lokalë. Nuk mendoj se është mençuri të përmenden afate dhe data, por mendoj se ICO-ja dhe qeveria duhet të lëvizin me këtë proces sa më shpejt që të jetë e mundur. Presim përkrahjen edhe të 25 vendeve dhe tq shteteve tjera, që janë në Grupin Drejtues”, tha McGuffie.

Ndryshe, incidentet e fundit në pjesën veriore të Mitrovicës, sipas autoriteteve të rendit, kanë ngritur tensionet ndëretnike. Kjo mund të jetë edhe një nga shkaqet që mund të çojnë në vonesën e zbatimit në praktikë të procesit të decentralizimit në këtë komunë.
XS
SM
MD
LG