Ndërlidhjet

“Trenat e Serbisë – cenim i sovranitetit të Kosovës”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Përfaqësuesit e institucioneve dhe të subjekteve opozitare të vendit kanë ndarë mendime të kundërta në gjashtëmujorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Drejtues të opozitës kanë akuzuar liderët institucionalë se për gjashtë muaj nuk ia kanë dalë që Kushtetuta të jetë funksionale në tërë territorin e vendit. Por, zëvendëskryeministri Ramë Manaj, akuzat e opozitarëve, i ka vlerësuar të paargumentuara juridikisht... Ai ka thënë se gjashtëmujori i Kushtetutës së Kosovës konsiderohet shumë i suksesshëm për ndërtimin dhe funksionalizimin e shtetit të Kosovës. “Gjashtëmujori i Kushtetutës së Republikës së Kosovës është një periudhë e suksesshme e shtetit të Kosovës. Pas hyrjes në fuqi të aktit më të lartë juridik të vendit, Kushtetutës, kemi pasur një vazhdimësi në miratimin e ligjeve dhe në ndërtim institucional, si ministri të reja dhe segmente të tjera”, ka thënë Manaj...

ZËRI
Askush në Kosovë, vendorë apo ndërkombëtarë, nuk kanë marrë përgjegjësinë për trenin e linjës Beograd – Leshak, i cili në mëngjesin e së dielës ka hyrë në brendi të territorit të Kosovës pa leje qarkullimi dhe pa ndonjë kontroll në pikën kufitare. Zyrtarë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare kanë hedhur topin në fushën e njëri-tjetrit, duke konfirmuar tollovinë që është duke ekzistuar në Kosovë në ushtrimin e përgjegjësive që nga shpallja e pavarësisë e këtej. Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit në Qeverinë e Kosovës, Fatmir Limaj, në pasditen e së martës i ka drejtuar një letër shefit të EULEX-it, Iv de Kermabo, me të cilën ka kërkuar që EULEX-i të ndërmarrë hapa në ndalimin e trenave ilegalë që vijnë nga Serbia drejt territorit të Kosovës. Më herët, gjatë ditës, Limaj e kishte cilësuar veprimin e Beogradit si “cenim të sovranitetit të Kosovës”...

KOSOVA SOT
Qeveria e Kosovës dhe komunat kanë nënshkruar themelimin e pesë agjencive për zhvillim rajonal në Kosovë. Agjencitë për zhvillim rajonal do të themelohen në pesë komuna të Kosovës, në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren dhe Gjilan. Ky projekt është përkrahur nga Komisioni Evropian, i cili fillimisht ka ndarë 7 milionë euro nga Programi i Paraaderimit IPA për të mbështetur këtë proces. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe ata nga Zyra Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, me rastin e krijimit të këtyre pesë agjencive rajonale për zhvillim në Kosovë, pohuan se agjencitë e para testuese do të fillojnë të funksionojnë në fillim të vitit 2009. Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Renzo Davidi, tha se KE-ja shpreson se koncepti i ri për zhvillim ekonomik rajonal të Kosovës, do të kultivojë jo vetëm rritën ekonomike dhe hapjen e vendeve të punës, por po ashtu do të shërbejë edhe si bazë për pajtim ndëretnik në Kosovë...

LAJM
Shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, tha të martën në Mitrovicë se ndihet i lumtur me shtrirjen e misionit evropian, pa probleme, edhe në pjesën veriore të Kosovës. Ai tha se deri tash gjithçka është në rregull dhe po funksionon ashtu siç është parashikuar. Këto komente Kermabon i bëri pas një takimi me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, dhe pasi paraprakisht kishte qëndruar në pjesën veriore të Kosovës, me ç’rast ishte takuar edhe me shefat e stacioneve policore. “Shtrirja e EULEX-it, ashtu siç e kemi parashikuar, është një hap përpara. Jemi të vendosur që së bashku me Qeverinë e Kosovës ta vendosim sundimin e ligjit nëpërmjet policëve dhe gjykatësve profesionistë që i kemi në dispozicion”...

INFOPRESS
Misioni i BE-së në Kosovë, EULEX, si qëllim kryesor ka mbikëqyrjen e sundimit të ligjit dhe këshillimin e institucioneve të Kosovës në këtë fushë, por shpesh do të mund të marrë vendime e madje edhe të anulojë vendime të marra nga institucionet e Kosovës. Kjo e drejtë u garantohet atyre tashmë nga Plani i Veprimit të Përbashkët. Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, ka thënë të martën për gazetën se ky mision në dy situata parashihet ta shfrytëzojë rolin ekzekutiv. “Ne do të përdorim funksionin tonë ekzekutiv të paktën në dy situata; e para kur neve na është kërkuar nga institucionet vendore që ta kryejmë një rast që ata nuk janë në gjendje, ose kur shohim se rrezikohet sundimi i ligjit nga vetë institucionet vendore”. Ajo ka thënë se përveç kësaj, EULEX-i mund që edhe të anulojë vendime të marra nga institucionet e Kosovës...

EXPRESS
Emërimi i kryeshefit ekzekutiv të LDK-së do të hedhet për diskutim të mërkurën në mesditë, ndonëse anëtarët e Kryesisë nuk kanë arritur gjatë javës që të gjejnë një kompromis për kriteret që duhet të përfillen me këtë rast. Kjo situatë mund të sjellë sërish tensione në partinë e dytë në vend. Udhëheqësia e LDK-së është e ndarë nëse njeriu që do ta pasojë Blerim Kuçin do të gjendet brenda apo jashtë Kryesisë. Mbështetësit e presidentit Fatmir Sejdiu po e kërkojnë kryeshefin ekzekutiv jashtë këtij organi, derisa “Grupi i Gorenjës” kërkon që aty të vendoset nënkryetari i LDK-së, Fadil Ferati. Sot mund të jetë dita kur dy grupet do ta testojnë fuqinë...

BOTA SOT
Miratimi i ligjeve të pakos së Ahtisaarit, si një dokument gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, ka ngjallur shqetësime te deputetët e Kuvendit të Kosovës, jo vetëm për faktin se ato miratohen me procedura të shpejtuara, pa asnjë shqyrtim, por edhe për faktin se deputetët nuk kanë idenë se kur do t’iu vijë fundi ligjeve të ashtuquajtura “liget e Ahtisaarit”. Dhe, me të drejtë ata kanë ngritur zërin, duke kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi, si institucione vendimmarrëse, që të sqarojnë se sa është numri i përgjithshëm i ligjeve të Ahtisaarit. Fillimisht si pako në Kuvend nga Qeveria e Kosovës, ishin sjellë në disa seanca 34 ligje, të cilat janë konsideruar si ligje bazike për shtetin e Kosovës, e të cilat ishin miratuar para hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Më vonë këtij numri iu shtuan edhe disa ligje të tjera, përfshirë gjashtë të martuara në seancën e së martës. Numri i ligjeve që dalin drejtpërdrejt nga pakoja gjithëpërfshirëse e presidentit Ahtisaarit ka arritur numrin 46...

KOHA DITORE
Ndërrimi i emblemave dhe kalimi i personelit ndërkombëtar, gjykatësve, prokurorëve dhe policëve nga UNMIK-u në EULEX, shihet me dyshim nga kosovarët, për shkak të rrezikut të bartjes së “përvojës” së misionit të OKB-së në misionin e BE-së. Rreth 15 për qind e stafit të EULEX-it aktualisht janë zyrtarë të UNMIK-ut, të cilët vetëm e kanë ndërruar uniformën. Zyrtarë, ish-zyrtarë dhe ekspertë të fushës së rendit e të drejtësisë në Kosovë kanë besim në EULEX-in dhe e konsiderojnë atë më të përgjegjshëm sesa UNMIK-un, mirëpo shpresojnë që veprimet e stafit të UNMIK-ut nuk do të kopjohen nga stafi i ULEX-it. Kritikat më të mëdha iu adresohen gjyqtarëve dhe prokurorëve të UNMIK-ut, për të cilët thuhet se në njëfarë mënyre janë sjellë si “bosa”, pa i dhënë llogari askujt për veprimet e tyre. Vazhdimi i kësaj mënyre të sjelljes konsiderohet vazhdim i dështimit të misioneve ndërkombëtare, të cilat në Kosovë janë kompetente për mbështetjen dhe mbikëqyrjen e institucioneve vendore...
XS
SM
MD
LG