Ndërlidhjet

Selimi: TMK po i lëshon vendin FSK-së


Gjenerallejtënant Sylejman Selimi
Gjenerallejtënant Sylejman Selimi

Forca e Sigurisë së Kosovës parashihet të jetë operacionale deri në mesin e vitit 2009, tha komandanti i emëruar i kësaj Force, gjenerallejtënant Sylejman Selimi. Ai tha se shpërbërja e TMK-së do të jetë e dhimbshme për faktin se të gjithë pjesëtarët e saj nuk do të mund të përfshihen në FSK.


Pas gati një dekade të funksionimit, Trupat Mbrojtëse të Kosovës do të shpërbëhen për t’i lëshuar vendin formimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha sot komandanti aktual i TMK-së dhe komandanti i ardhshëm i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi.

Në një vlerësim të punës së TMK-së dhe procesit të formimit të FSK-së, Selimi tha se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë një forcë profesionale, e aftë dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve.

Gjenerali Selimi tha po ashtu se shpërbërja e TMK-së nuk është aq e lehtë, për faktin se një pjesë e këtyre trupave nuk do të mund të jenë pjesë e FSK-së, e cila do të ngritët mbi kriteret e NATO-s.

"Ne jemi në prag të përfundimit të misionit të TMK-së dhe ky mision do ta mbyllë thuajse një dekadë të sukseseve në vazhdimësi, të cilat i ka pasur, dhe shumë shpejt do të fillojmë me ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky është një proces jo i lehtë për pjesëtarët e TMK-së, duke ditur faktin se të gjithë pjesëtarët e TMK-së nuk do të mund të jenë në Forcën e Sigurisë dhe kjo pak na bën që të mos e ndjejmë veten komod, të mos e ndjejmë veten mirë. Mirëpo, bashkërisht me institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, të cilat edhe i kanë dhënë zotimet, ne besojmë dhe jemi të bindur që i tëri ky proces do të kalojë në formën më të mirë të duhur”, ka thënë Selimi

Gjenerali Sylejman Selimi shprehu besimin e tij se FSK-ja do të jetë funksionale deri në mesin e vitit 2009. Ai tha se formimi i Forcës së Sigurisë në këtë fazë nuk do ta zbehë rolin që ka KFOR-i në Kosovë.

"Ne jemi në proces, nëse flasim për vitin që po hyjmë, nuk besoj që do ta minimizojë rolin e vet KFOR-i në Kosovë. Ka edhe ai planet e veta, planet afatgjate. Unë jam i bindur që FSK-ja do të jetë në kuadër të përgjegjësive dhe ligjit, që të jetë sa më funksionale dhe sa më shpejt ta ketë rolin e vet operativ”, tha Selimi.

Forca e Sigurisë së Kosovës parashihet të ketë 2 mijë e 500 trupa të rregullta dhe 800 rezervë. Kjo Forcë do të pajiset me një armatim të lehtë dhe do të jetë e mbikëqyrur nga NATO-ja. Ndërkohë që një pjesë e TMK-së që nuk do t’i përmbushë kriteret për t’u integruar në FSK, parashihet të pensionohet apo të përfshihet në punë tjera institucionale.

Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është që asnjë prej pjesëtarëve të tashëm të TMK-së të mos mbetet pa përkujdesje institucionale. Kurse, përfshirja në FSK do të kërkojë respektimin e kritereve që parashihen edhe për forcat tjera që veprojnë në kuadër të NATO-s. Si e tillë, FSK-ja shihet nga kosovarët edhe si bërthama e ushtrisë së ardhshme të Kosovës.
XS
SM
MD
LG