Ndërlidhjet

Kriza globale (s') ka prekur sistemin bankar


Ekspertë të ekonomisë thonë se kriza financiare në botë mund të ketë ndikim edhe në sistemin bankar të Kosovës. Sipas tyre, tanimë vetëm kanë filluar të paraqiten elementet e krizës financiare edhe në disa nga bankat që funksionojnë në Kosovë. Ndërsa, drejtuesit e Bankës Qendrore të Kosovës në konferencën përmbyllëse vjetore për gazetarë, thonë të kundërtën.


Ndonëse ekspertë të ekonomisë alarmojnë për goditje të mundshme të sistemit bankar nga kriza globale financiare, drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës vlerësuan se sistemi bankar si dhe ai i sigurimeve nuk janë goditur nga kjo krizë ndërkombëtare.

Eksperti i ekonomisë, Musa Limani, thotë se çdo problem që e tangon Bashkimin Evropian, e tangon edhe ekonominë e Kosovës. Kriza financiare, sipas Limanit, do ta prekë edhe sistemin bankar në Kosovë, pasi, siç tha ai, tani vetëm kanë filluar të paraqiten disa elemente të krizës financiare.

"Pasi që Kosova gjendet në eurozonë, unë mendoj se çdo problem që e tangon Bashkimin Evropian, e tangon edhe ekonominë e Kosovës, prandaj do ta godasë edhe sistemin bankar në Kosovë", pohon Limani.

Për të penguar problemin financiar, disa nga shtetet e ndryshme të botës kanë ndërmarrë hapat e parë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ta penguar këtë problem, i cili ka përfshirë mbarë botën dhe i cili mund të ndikojë në zhvillimin ekonomik, kanë mbështetur sistemin bankar me 600 miliardë dollarë. Po ashtu edhe vendet e Evropës kanë intervenuar me 200 miliardë euro në sistemin bankar të Evropës.

Duke pasur parasysh këtë fakt, profesor Limani konsideron se Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa konkrete nëpërmes Bankës Qendrore të Kosovës. Ai sugjeron autoritet kosovare që të bëjnë një paket masash, ndërsa intervenimi më i rëndësishëm në këtë drejtim, sipas Limanit, duhet të jetë kontrollimi i kredive.

"Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa konkrete. Nëpërmes Bankës Qendrore të Kosovës, intervenimi më i rëndësishëm duhet të jetë kontrollimi i kredive - ato nuk duhet të jepen pa mbulesë, pasi kjo mund të shprehet në krizë financiare", vlerëson Limani.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, konsideron se kriza globale financiare nuk ka pasur ndikim në sektorin bankar të Kosovës, për faktin se nuk ka pasur investime jashtë vendit. Ai thotë se gjatë kësaj periudhe sistemi bankar ka përformuar mirë dhe ka qenë mjaft stabil.

"Sektori financiar, veçanërisht ai bankar i Kosovës, kryesisht burimet e financimit i ka të brendshme nga depozitat e ekonomisë dhe qytetarëve dhe nuk ka qenë i varur shumë nga kreditimi nga jashtë", shpjegon ai.

Sipas Rexhepit, edhe sektori i sigurimeve ka qenë i pandikuar nga kriza financiare ndërkombëtare, pasi që është në fazën e parë të zhvillimit dhe nuk ka pasur investime jashtë.

"Bankat e Kosovës nuk kanë pasur ekspozime apo investime në tregun e hapur financiar që të goditen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kriza financiare ndërkombëtare", tha Rexhepi.

Ndërsa, sektori i vetëm, i cili është goditur drejtpërdrejt nga kriza financiare, është Trusti Pensional i Kosovës.

"Si rezultat i krizës financiare, vlera e investimeve të Trustit në tregun e aksioneve ka pasur rënie. Kjo ka ndikuar që Trusti të ketë një zvogëlim prej 24.5 për qind gjatë këtij viti".

Ndërkaq, sa i përket zhvillimit të sektorit financiar, gjatë vitit 2008, drejtuesit e Bankës Qendrore theksuan se ka pasur zhvillime të mira. Asetet e përgjithshme në sektorin financiar të Kosovës gjatë këtij viti kanë arritur në 2.2 miliardë euro, që paraqet një rritje prej 25.2 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Në këtë rritje të aseteve, ndikim më të madh kanë pasur rritja e aseteve në sektorin bankar që kanë shënuar një rritje prej 30.9 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Gjatë këtij viti, sipas të dhënave të BQK-së, ka vazhduar trendi i rritjeve të depozitave në sektorin bankar të Kosovës. Depozitat kanë arritur nivelin prej 1.4 miliardë eurosh.

Guvernatori i BKQ-së vlerëson se kjo ka qenë një ndër rritjet më të mëdha të funksionimit të sistemit bankar, në përjashtim të vitit 2003.
XS
SM
MD
LG