Ndërlidhjet

Viti 2008 i shtoi shpresat për Irakun


Pamje në Bagdad
Pamje në Bagdad

Gjatë vitit 2008, dhuna në Irak shënoi rënie të mjaftueshme, që i shton shpresat se ky vend, përfundimisht, mund të stabilizohet. Uashingtoni dhe Bagdadi konsideruan se është koha për ta hartuar një orar për tërheqjen e trupave amerikane, ndërsa partitë irakiane arritën marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe parlamentare.


Duket se pas pesë vjetësh në Irak, niveli i dhunës përfundimisht ka rënë në pikën që irakianëve përsëri u mundëson që ta planifikojnë të ardhmen.

Numri i vrasjeve të irakianëve civilë ka shënuar rënie prej 3800 vrasjeve në muaj para dy vjetësh, në nivelin e sotëm prej 600 vrasjesh brenda një muaji. Me këtë rënie, rreziku i luftës civile, shpeshherë i paralajmëruar nga vrasjet nga dhuna sektare, përfundimisht është ulur.

Sulmet me makina bomba ende vazhdojnë dhe kanë marrë shumë jetë. Por, pas shtimit të pjesëtarëve të ushtrisë amerikane në vitin 2007 dhe kthimit të sunitëve kundër Al-Kaidës, muajt e fundit kanë qenë më të qetë që nga përmbysja e Saddam Husseinit.

Ja se çka tha këto ditë për situatën e sigurisë një banor i Bagdadit:

"Tash ne mund të themi se situata e sigurisë gradualisht po përmirësohet. Por, pas nënshkrimit të marrëveshjes me amerikanët dhe tërheqja e forcave amerikane dhe e atyre shumëkombëshe nga qytetet dhe rrugët - kjo mund të ketë efekt në siguri".

Uashingtoni dhe Bagdadi janë dakorduar për orarin për tërheqjen e trupave të Shteteve të Bashkuara nga Iraku. Forcat amerikane duhet të tërhiqen në bazat e tyre nga qytetet dhe vendbanimet gjatë vitit të ardhshëm dhe të largohen nga Iraku gjatë vitit 2011.

Të dyja palët shpresojnë se kjo marrëveshje edhe më tepër do t'i izolojë kryengritësit e mbetur irakianë. Kjo mund të bëhet me përgënjeshtrimin e argumentit të kryengritësve se Amerika po përpiqet që ta okupojë Irakun për një kohë të gjatë.

Marrëveshja Uashington-Bagdad mund të ndihmojë në rritjen e perceptimit se Qeveria e Irakut dhe ushtria po bëhen gjithnjë e më stabile dhe të afta për ta siguruar këtë vend. Kjo gjë do të forconte argumentin se kryengritjes i kishte ardhur fundi.

Por, derisa siguria është përmirësuar, Iraku ende ballafaqohet me prova madhore në frontin politik.

Kjo u pa edhe në incidentin kur një gazetar irakian e gjuajti me këpucë presidentin amerikan, George Bush, gjatë një konference për shtyp me kryeministrin irakian, Nuri al-Maliki. Me këtë rast gazetari drejtoi fjalë fyese për presidentin amerikan.

Megjithëqë presidenti Bush tha se nuk ka ndjenja të fuqishme kundër gazetarit, për shumë incidenti simbolizon tensionet lidhur me politikën e Uashingtonit në Irak.

Prej zhvillimeve të brendshme, veçohen zgjedhjet lokale që mbahen në janar dhe ato parlamentare, të parapara për fund të vitit 2009.

Duke u shprehur për miratimin e Kodit Zgjedhor nga Parlamenti irakian, Joos Hilterman, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, thotë se ky zhvillim ishte shumë i rëndësishëm.

"Mendoj se kalimi i ligjit zgjedhor provincial ishte shumë i rëndësishëm. Ai rithekson se atje ende ka proces demokratik. Kuptohet se do të ketë probleme, por kjo është rrugë e mirë për të lëvizur", thotë Hilterman.

Irakianët thonë se ende është herët të parashihet se zgjedhjet e ardhshme a do ta stabilizojnë Irakun, siç shpresohet.

Por, ka edhe të atillë që thonë se zgjedhjet janë hap i rëndësishëm. Njëri prej tyre, Mahmud Uthman, anëtar i Parlamentit nga aleanca kurde...

"Pasi Iraku gjithnjë ka qenë nën diktaturë gjatë shekullit të fundit dhe nën qeveritë qendrore pa masa demokratike, e tërë kjo është diçka e re për këtë vend. Pra, askush nuk duhet të presë se kjo do të shkojë lehtë. Megjithatë, zgjedhjet janë një hap përpara, pasi populli mund ta thotë fjalën e tij", thotë Uthman.
XS
SM
MD
LG