Ndërlidhjet

Reeker: Nuk ka ndarje të Kosovës


Ambasadori i SHBA në Maqedoni, Philip Reeker, i tha Radios Evropa e Lirë se administrata amerikane është thellë e angazhuar për stabilizmin e Ballkanit dhe integrimin e tij në Bashkimin Evropian.

Reeker tha se SHBA nuk besojnë dhe i vlerësojnë të pabaza njoftimet për ndarje të Kosovës, apo për probleme në procesin e konsolidimit të misionit të Bashkimit Evropian.

“Zhvillimet në Ballkan ende nuk kanë përfunduar, pasi qëllimi ynë është që t’a shohim rajonin të integruar në Evropën e lirë dhe të sigurtë. Vendosja e EULEX-it kaloi pa probleme dhe në esencë kjo ndihmon në përforcimin e Kosovës dhe të institucioneve të saj. Përforcimi i sundimit të ligjit në këtë shtet do të ndihmojë edhe në stabilizimin e gjendjes, andaj EULEX-i është atje. Megjithëse ka vlerësime se vendosja e EULEX-it do të çojë në ndarje apo do të hasë në vështërësi, pikëpamjet e tilla nuk kanë kurrfarë baze", tha Reeker.

"SHBA mbeten të angazhuara si me praninë në EULEX ashtu me aktivitetet diplomatike për t’u sigurara se Kosova po ec përpara në drejtimin pozitiv ”, tha Philip Reeker për Radion Evropa e Lirë.

Ambasadori amerikan në Shkup gjithashtu shprehu bindjen se edhe administrata e re amerikane, e cila do të udhëhiqet nga Presidenti i zgjedhur Barack Obama, nuk do të ndryshojë kursin e politikës amerikane ndaj Ballkanit.
XS
SM
MD
LG