Ndërlidhjet

Raportet e ardhshme SHBA-Rusi


Marrëdhëniet ruso-amerikane janë zhytur viteve të fundit në nivelin e Luftës së Ftohtë, për shkak të mospajtimeve rreth zgjerimit të NATO-s, mbrojtësve kundër-raketorë dhe raporteve të Moskës me vendet e saj fqinje. A do të hyjnë Washingtoni dhe Moska në një kapitull të ri marrëdhëniesh me ardhjen e Barack Obamas në zyrën ovale?


Vetëm një ditë pas fitores zgjedhore të Barack Obamas, vjeshtën që shkoi, liderët botërorë me padurim uronin presidentin e ardhshëm amerikan. Vetëm presidenti rus, Dmitry Medvedev, vendosi të dërgojë një mesazh tjetër, duke thënë se duhet neutralizuar planet e Washingtonit për të ndërtuar sistemin mbrojtës kundër-raketor në Evropën Qendrore.

Atëbotë, Medvedev nuk e kishte përmendur presidentin e zgjedhur me emër në fjalimin e tij dhe as që e kishte përgëzuar atë për fitoren në zgjedhje. Kjo lëvizje është parë si shenjë injorimi dhe përpjekje e Moskës për të sfiduar zotin Obama.

Njëkohësisht, ky veprim i Moskës kishte lënë të kuptohej se konfrontimet që kanë përshkuar marrëdhëniet ruso-amerikane në vitet e fundit, do të vazhdonin, e madje edhe do të intensifikoheshin.

Por, ndërkohë që Obama përgatitet të marrë përsipër detyrën e presidentit dhe me sekretaren e tij të Shtetit, Hillary Clinton, analistët thonë se ka më shumë gjasë që të dyja palët të bëjnë përpjekje për të ndryshuar kahjen e marrëdhënieve.

Fyodor Lukyanov, redaktor në revistën moskovite "Rusia në Marrëdhëniet Globale", thotë se një konstatim i këtillë mund të bazohet në krizën ekonomike gjithnjë e më të thellë. Çmimet në rënie të naftës tashmë kanë zvogëluar sjelljen agresive të Kremlinit në skenën botërore, ashtu siç kanë ndikuar edhe luftërat në Irak dhe Afganistan në agjendën amerikane të politikës së jashtme.

Këtë vit, thotë Lukyanov, do të ketë pasiguri ekonomike, që do të kufizojë veprimet e Moskës dhe Washingtonit në arenën ndërkombëtare.

"Nuk mendoj se është realiste për Rusinë që t’i ndjekë synimet që ka përcaktuar në 2007-ën dhe gjysmën e parë të 2008-ës, në kohën kur dukej sikur ka burime të mjaftueshme për çdo gjë. Tani është e nevojshme të ekonomizohet dhe të caktojë prioritetet. E njëjta vlen edhe për administratën e Barack Obamas", thotë zoti Lukyanov.

Por, me gjithë kundërshtitë, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për njëra-tjetrën në zgjidhjen e problemeve kyçe. Washingtoni ka nevojë për bashkëpunimin e Moskës për t’i ndrydhur ambiciet nukleare të Iranit dhe për të ofruar rrugët e furnizimit për misionin e NATO-s në stabilizimin e Afganistanit. Nga ana e saj, Rusia synon një marrëveshje të re për kontrollimin e armatimit me Shtetet e Bashkuara.

Lukyanov thotë se shumë nga elita ruse janë ende në konfuzion nga Obama dhe nuk e dinë se çfarë mund të presin nga presidenti i ardhshëm.

"Nuk e di se çfarë lloj toni mund të presim nga Obama. Ne ende nuk mund ta imagjinojmë atë se çfarë presidenti mund të jetë. Obama është ende më shumë një simbol aktualisht, se që është president dhe është e vështirë të parashikohet",
thotë Lukyanov.

Me një armatim gjithnjë e më të vjetër, Rusia ka kohë që synon t’i ringjallë negociatat për kontrollimin e armëve me Shtetet e Bashkuara.

Steven Pifer, ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit, thotë se dialogu për kontrollin mbi armët midis Moskës dhe Washingtonit mund të ketë një ndikim më pozitiv, sepse i jep Rusisë mundësinë që të ruajë raportet me Washingtonin.

"Me zhvillimin e negociatave bilaterale, në Moskë Rusia do të shihej si superfuqi, paralelisht me Shtetet e Bashkuara, në kuptimin e armatimit nuklear. Kjo duket se ka rëndësi për Rusinë dhe kjo është në rregull; ne duhet ta shfrytëzojmë atë mjet. Mund ta shfrytëzojmë atë për të prodhuar përparime në çështje që janë të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara", thotë zoti Pifer.

Por, jo të gjithë analistët pajtohen me një strategji të këtillë. David Satter, nga Instituti Hudson, shpjegon:

"Nuk ka kuptim t'i disponojmë. Ata duhet ta kuptojnë se jemi duke u marrë me ta në baza realiteti, në baza të një situate reale politike, interesave dhe vlerave tona reale. Humbja e kohës me gjeste të zbrazëta për të na dhënë ne të drejtën për të thënë gjënë e duhur, për çka edhe kemi të drejtën, mund të interpretohet prej tyre vetëm si mjet potencial për manipulim", thotë zoti Satter.

Një kritik i ashpër i Kremlinit, David Satter, së fundi ia ka tërhequr vërejtjen zotit Obama të mos e trajtojë liderin rus si mik.

Liderët rusë dhe amerikanë për një kohë të gjatë kanë reklamuar publikisht raportet e tyre personale. Richard Nixon e ka ushqyer apetitin e Leonid Brezhnevit për makina, duke i dhënë atij një Lincoln Continental. Bill Clinton dhe Boris Yeltsin e kanë thirrur njëri-tjetrin në publik me emrin e tyre të parë. Dhe, George Bush në mënyrë të famshme ka shikuar drejt Vladimir Putinit.

Ende nuk është e qartë se me kë Obama do të mund të krijonte përshtypjen e një miqësie, me udhëheqësin shtetëror rus, Medvedev, apo me liderin de facto të Rusisë, Putin? Në këtë drejtim, nuk do të jetë vetëm zoti Obama ai që do të përcaktojë kahjen e administratës së re në raport me Rusinë.

Si sekretare shteti, Hillary Clinton do të jetë fytyra publike e politikës së jashtme amerikane dhe analistët thonë se në Moskë ka shqetësime se veteranë nga administrata e Bill Clintonit, me apo pa vetëdije, do ta trajtojnë Rusinë si një çështje ende të papërfunduar.
XS
SM
MD
LG